Ish-zyrtari i rrugëve, Apeli e nxori të pafajshëm
Nikolin Jaka, ish-zv.ministër i Transporteve, u arrestua (së bashku me disa të tjerë) në shtator të vitit 2007 gjatë një operacioni të koduar me emrin "Duart e pastra". Pas gjykimit që zgjati pak muaj, ai u shpall fajtor dhe u dënua me një vit dhe 20 ditë heqje lirie. Të gjithë të akuzuarit nuk i pranuan për asnjë moment akuzat, por prokuroria i mbështeti pretendimet e saj në një sërë përgjimesh telefonike që kishte bërë gjatë një muaji. Sipas organit të akuzës, zëvendësministri i Transporteve kishte ushtruar presion ndaj Berzanit (ish-drejtori i rrugëve) për zhvillimin e tenderëve, por, në të njëjtën kohë, Jaka kishte bërë presion edhe ndaj firmave të ndryshme, në mënyrë që ato të tërhiqeshin. Akuzat kishin qenë kryesisht për tenderin e aksit rrugor Has-Qafë-Prush, por janë përmendur edhe tenderët e rrugëve: Himarë e Vjetër-Kthesa e Kikurit, rruga paralele Tiranë-Vorë dhe supervizioni i Rrëshen-Kalimashit. Lirimi i Jakës u bë në maj 2008, pas përfundimit të dënimit me gjykim të shkurtuar dhe pagimit të gjoibës prej 500 mijë lekë. Më tej, Jaka e ka apeluar vendimin e gjykatës, duke fituar pafajsi. Reagimi i prokurorisë ka qenë i menjëhershëm, duke e ankimuar vendimin e apelit në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit nuk ka marrë ende asnjë vendim rreth kërkesës së prokurorisë.