E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Jaka nuk mund të zgjidhet, është i dënuar"

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës pasi është informuar përmes Sekretarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë për zgjedhjen e kryetarit të ri, Nikolin Jaka, ka mbajtur qëndrim kundra, për disa arsye. "Në vështrim të parë, përveç ngutjes dhe hapësirave të pakta për të bërë fushatë nga kandidatët rivalë, duket qartë që zgjedhja e Kryetarit të ri bie ndesh me statutin e institucionit, neni nr.6, i cili thotë se asnjë anëtar asambleje nuk mund të zgjidhet nëse është i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale", thekson ministria. Po sipas dikasterit të Dritan Priftit, i sapozgjedhuri Nikolin Jaka pretendon se ka fituar pafajësi nga gjykata në lidhje me dënimin dhe burgosjen e tij për vepër penale, por nuk kishte paraqitur përpara Asamblesë së Dhomës së Tregtisë Tiranë asnjë dokument që vërteton këtë, kusht i domosdoshëm sipas kërkesave të statutit. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës deklaron se është informuar nga organi i akuzës se Prokuroria vazhdon të ndjekë çështjen me z.Jaka në Gjykatën e Lartë. "Ky fakt tregon se pafajësia e Nikolin Jakës nuk është një proces i mbyllur nga gjyqësori", vijon qëndrimin METE. Gjithnjë sipas ministrisë, zgjedhja e Nikolin Jakës në këtë mënyrë është e pavlefshme sipas rregullave të vete Statutit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Reagimi i ministrisë vjen konform ligjit "mbi funksionimin e dhomave të tregtisë", sipas të cilit, sekretari i përgjithshëm zgjidhet nga vet ministri i Ekonomisë, përgjegjës mbi institucionin. Pavarësisht autonomisë që kanë dhomat e tregtisë nga qeveria, roli i sekretarit të përgjithshëm është shumë i rëndësishëm, pasi është ai që informon ministrin mbi mbarëvajtjen e Dhomës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›