E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajthitja e deputetëve: Jemi të rrezikuar, kemi municion 100 tonë për frymë

Zbardhet pjesa e dytë e raportit të Kuvendit. Zbardhen dhe gafat në deklarimet e deputetëve
Habjon Hasani

Gjatë seancës së fundit të punës së Komisionit të Sigurisë për municionet në Shqipëri, janë regjistruar edhe disa deklarata thuajse groteske të disa anëtarëve të këtij komisioni që mesa duket nuk kanë ditur fare se përse ndodheshin aty. Interesant është një konstatim i deputetit Gjovalin Prenga, i cili ka deklaruar se në Shqipëri ka municion në sasinë 100 tonë për frymë. “Komenti është se një sasi e madhe municionesh dhe me një cilësi të keqe përbëjnë rrezik dhe për mënyrën se si janë administruar. Kjo sasi municionesh që i kalon disa mijëra tonë dhe që për frymë i kalon 100 tonë tregon për një qeverisje të mbrapshtë. Puna jonë u përqendrua mbi bazën ligjore që ka të bëjë me mirëmbajtjen e municioneve dhe rregulloret e sigurimit teknik të tyre. Duhet të përmendim diçka që ligji “Për gradat në FA” sjell disa probleme për pozicionin me të cilin merren me mirëmbajtjen e municionet dhe njerëzit që janë aktualisht me to janë oficerë me grada më të larta. Këtu kemi një rekomandim për ministrin: Kjo strukturë e këtij personeli të përjashtohet nga zbatimi i ligjit “Për gradat në FA”, - ka deklaruar Prenga.
Konkluzionet
Komisioni i Sigurisë Kombëtare doli në konkluzion se municionet janë shumë afër vendbanimeve, rrugëve automobilistike dhe linjave të tensionit të lartë. “Municionet që ruhen në këto depo i përkasin kryesisht moshës 35-40-vjeçare, shumica janë prodhim rus, një pjesë e të cilave prodhuar fill pas Luftës së Dytë Botërore”, - shkruhet e zeza mbi të bardhë në këtë raport. Ndërkohë, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është dorëzuar totalisht nën dritën e fakteve, duke aprovuar që në fillim të fjalës së tij konkluzionet e errëta të këtij raporti. Por ministri i dorëhequr një ditë më parë ka hedhur dritë edhe në lidhje me problemet madhore që ka ushtria në raport me gjendjen e municioneve. Mediu ka kërkuar nga Komisioni i Sigurisë që të shtohet presioni mbi qeverinë për rikthimin në punë të shumë specialistëve të kualifikuar para vitit 1992 dhe pas vitit 1997 nga NATO, të cilët ishin trajnuar në demolimin e municioneve të rënda. Ai kërkoi nga Kuvendi të bëjë presion mbi qeverinë, që kjo e fundit të marrë iniciativën e një ligji që i jep Ministrisë së Mbrojtjes të gjitha mundësitë për menaxhimin e qindra mijëra tonelata municionesh.
Ministri
Një ditë para tragjedisë ka qenë vetë Mediu ai që ka deklaruar se janë afro 100 mijë tonë municion për t’u demoluar. “Pa dashur të vë alarmin, është shumë i rëndë. Nga një analizë që ne kemi bërë me përfaqësues amerikanë, por edhe nga një vëzhgim që ka bërë Komisioni i Sigurisë, për sa i përket situatës së municionit, të armatimit në Shqipëri, ajo nuk është e këndshme apo e kënaqshme. Për faktin sepse janë rreth 100 mijë tonë municion tepër, të shpërndarë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe forcat e armatosura nuk janë të organizuara në konceptin territorial për të garantuar sistemimin, mirëmbajtjen, ruajtjen e sigurinë e tyre. Për ne është një problem shumë i madh, sepse ne tendencën tonë për të arritur një forcë profesioniste mbi 50% e ushtarëve që janë me shërbim të detyruar i përdorim për të ruajtur këto depo armatim-municioni”, - ka deklaruar ministri. Ai më tej ka shtuar se është një rrezik shumë i madh dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë, sepse shumë qytetarë për fatin e keq kanë ndërtuar shtëpitë e tyre mbi tunele të depove të municioneve. “Ne kemi pasur dhe kemi projekte në mënyrë të vazhdueshme me Departamentin e Shtetit, të Departamentit të Mbrojtjes, kemi pasur asistencë nga Norvegjia, nga Kanadaja. Janë investuar miliona dollarë për shkatërrimin e armëve të lehta dhe municioneve. Besoj se akoma kemi nevojë që të kemi një plan kombëtar për asgjësimin e armëve dhe municioneve”, - ka sqaruar Mediu një ditë para tragjedisë.

Municionet, shqiptarët jetojnë mbi bomba

Në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Parlamentar i Sigurisë dhe ekspertët më të afirmuar të Shtabit të Përgjithshëm kanë klasifikuar dhe renditur të gjitha zonat dhe repartet më të rrezikshme të depozitimit të municioneve. Municionet janë nga ato konvencionale deri te raketat kundërajrore, kundërtanke, mina etj. Në raport sqarohet se municionet u përkasin viteve të ndryshme të prodhimit, nga vitet e pasluftës e deri në vitet ‘90. “Forcat e Armatosura Shqiptare në fund të vitit 1990 dispononin municione konvencionale rreth 294 mijë tonë, kryesisht të prodhimeve 1945-1960 ruse, 1961-1974 kineze dhe 1967-1990 prodhime shqiptare, kryesisht të kalibrave nga 7.62 mm deri 160 mm, si dhe bomba aviacioni, bomba detare, silura, raketa kundërajrore dhe kundërtanke, mina kundërtanke dhe antipersonel, eksplozivë të fuqive të ndryshme. Të gjitha këto rezerva municioni kanë qenë të shpërndara në 182 rajone dhe të magazinuara në 955 depo municioni. Këto rajone dhe kjo sasi municioni pati problematikën e vet, e cila u vështirësua nga ngjarjet e vitit 1997. Duke u nisur nga këto ngjarje më pas grumbullimi u bë në 52 rajone grup-deposh”, - shkruhet në raport, ndërsa “Albania” paraqiti dje për herë të parë rajonet ku janë depozituar municionet dhe zonat më të rrezikuara.

Vendimi i Berishës, municionet shiten edhe për koleksionistë

1. Pas heqjes nga armatimi e përdorimi, armët, teknika, pajisjet dhe municionet e Forcave të Armatosura mund të shiten për qëllime muzeale, koleksioni apo për përdorim tjetër civil, vetëm pasi të çmilitarizohen (bëhen të paefektshme si armë). Procedurat e çmilitarizimit përcaktohen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes dhe udhëzim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
2. Çmimi për armët, teknikën, pajisjet e Forcave të Armatosura, që mund të shiten për qëllime muzeale, koleksioni apo për përdorim tjetër civil përcaktohet nga komisioni i miratimit të çmimeve, në Ministrinë e Mbrojtjes, pas çmilitarizimit të tyre.
3. Shitja e armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të Forcave të Armatosura realizohet nëpërmjet ndërmarrjes MEICO, e cila zbaton çmimet e vendosura nga komisioni i miratimit të çmimeve e të miratuara në pikën 2 të këtij vendimi.
4. Këto produkte, pas negociimeve, i shiten kërkuesit më të parë, duke realizuar një çmim jo më të ulët se çmimi i miratuar.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›