E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia Kult shpall 12 artistët më të mirë të vitit

Çmime për Kongolin, Meksin, Fllokon, Alikajn, Cikon, Nikollën, Latin, etj.

Gara e 48 artistëve shqiptarë të 12 gjinive të ndryshme për të fituar çmimet “Kult”, të këtij viti, është mbyllur me një spektakël të organizuar këto ditë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Në edicionin e katërt të Akademisë Kult sivjet ishin të pranishme 12 zhanre arti, e për secilën prej tyre ka pasur nga katër kandidatë. Çmimet për të cilat artistët kanë garuar janë: Artisti pamor i vitit, Skenografi i vitit, Instrumentisti i vitit, Regjisori i vitit, Aktori i vitit, Aktorja e vitit, Filmi dokumentar i vitit, Albumi muzikor i vitit, Balerin i vitit, Interpretuesi lirik i vitit, si dhe Libri artistik e Libri Enciklopedik i vitit.
Shfaqja e Akademisë Kult u prezantua nga aktori Bujar Kapexhiu dhe aktorja Olta Gixhari. Sa i përket fushës së librave, Aleksandër Meksi vlerësohet si autori i librit më të mirë enciklopedik “Arkitektura e xhamive të Shqipërisë”, kurse Fatos Kongoli, si shkrimtari i romanit më të mirë të vitit “Jetë në kuti shkrepsesh”. Çmime janë dhënë edhe për sopranon Irini Nikolla, për interpretimin e saj në operan “Aida”, pianisten Rudina Ciko, dokumentaristin e RTVSH-së Petro Lati, aktorët Timo Flloko (për rolin e Edi Karbones ) dhe Eva Alikajn (për rolin e Lolës). Gjithashtu, trofe kult kanë “rrëmbyer” edhe Hasan Nallbani, si artisti më i mirë i vitit në artet pamore, Agim Zjami, si skenografi më i mirë me dramën “Pamje nga Ura”, Erisa Gina, si balerina më e mirë e vitit, Rovena Dilo, si këngëtarja që ka nxjerrë albumin muzikor më të mirë të vitit dhe Albert Minga, si regjisori më i mirë i vitit (për dramën “Pamje nga Ura”). Gjithsecili prej fituesve është shprehur se këto çmime të fituara nga ta, nuk janë thjesht kënaqësi, respekt dhe vlerësim ndaj punës së tyre, por edhe një obligim e shtysë më tepër, që artistët kanë për të ecur para në fushat e tyre në të ardhmens.
P.GROSI

7 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›