Serbët themelojnë Komunën e Mitrovicës
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar më herët, përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë kanë formuar gjatë ditës së djeshme Kuvendin Komunal të Mitrovicës për pjesën veriore duke u bazuar në rezultatin e zgjedhjeve serbe të 11 majit. Ky kuvend do të jetë i përkohshëm, ndërkohë bëhet e ditur se janë konstituuar edhe kuvendet paralele komunale serbe në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në tri komunat në veri të Kosovës. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, për serbët do të jetë Nenad Topliqeviç. Strukturat e reja serbe, të cilat filluan të konstituohen në shumë komuna të Kosovës, vijnë kryesisht nga radhët e radikalëve.
Këto organe mbështeten në rezultatin e zgjedhjeve të Serbisë më 11 maj, të mbajtura edhe në Kosovë, të cilat administrata e Kombeve të Bashkuara i ka shpallur të pavlefshme. Radikali Lubomir Kragoviç është shprehur se pas konstituimit të komunave, pason formimi i kuvendit serb për Kosovën, i cili, sipas tij, është kundërpërgjigje ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kuvendi serb, sipas tij, do të ketë 45 delegatë, prej tyre edhe dy vende për pakicat, një për boshnjakët dhe një për romët.
Në anën tjetër, administrata e UNMIK-ut, si autoriteti ende numër një në Kosovë, vazhdon t’i konsiderojë institucionet paralele serbe të dala nga zgjedhjet lokale të 11 majit, si ilegale.
Haradinaj: “Pas 15 qershorit UNMIK-u nuk i duhet më Kosovës”
“Komisioni i UNMIK-ut pas 15 qershorit nuk i duhet Kosovës, për arsye se Kosova ka hyrë në një etapë e re”. Kështu ka deklaruar kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj pas takimit me ish-ambasadorin amerikan Uilliam Ualker. Sipas Haradinajt Kosova është vonuar në procesin e njohjes, për shkak të mungesës së angazhimit të duhur për lobim. Ualker, i cili dha kontribut të lartë në sensibilizimin e bashkësisë ndërkombëtare rreth masakrave të shqiptarëve në Kosovë shprehu angazhimin e tij edhe pas pavarësisë së Kosovës në aspektin e lobimit për njohjen e shtetit të ri. Haradinaj vlerëson se ka pasur ngecje në procesin e njohjes, duke thënë se institucionet e Kosovës është dashur të angazhojnë edhe miqtë e tyre për lobim, duke marrë shembull edhe ambasadorin Ualker. Sa i përket misionit të UNMIK-ut në Kosovë pas 15 qershorit, Haradinaj tha se tani është koha që ky mision të shkojë, sepse Kosova ka hyrë në një etapë të re që përfshin vetëqeverisjen me mekanizmat e tjerë si EULEX-i dhe Zyra civile ndërkombëtare.
7 Qershor 2008