E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDSH: Zgjedhjet i prishi Ambasada e SHBA-ve në Shkup



Rivotim në 90 vendvotime, më 15 qershor përsëritja në viset e shqiptarëve
Përfaqësia e SHBA-ve në Shkup ka prishur zgjedhjet. Kjo ka qenë akuza që PDSH-ja i ka drejtuar Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni, e cila pranoi 13 vërejtje të PDSH-së, 48-të të VRMNO-DPMNE-së, ndër të cilat 2 në Bogovinë dhe dy të tjera në Zajas. Ky vendim ka shkaktuar revoltën e anëtarëve të partisë shqiptare të Menduh Thaçit dhe anëtari i komisionit nga kjo parti braktisi mbledhjen e KSHZ-së së bashku me përfaqësuesin e PDSH-së, Sadulla Izairi. Ky i fundit akuzoi komisionin se është duke punuar në bazë të listave qe ka dërguar Ambasada amerikane për prishjen e zgjedhjeve. Pas këtij veprimi ka reaguar anëtarja e KSHZ-së, Tanja Alltanxhieva, e cila i ka konsideruar akuzat e anëtarëve të PDSH-së drejtuar Ambasadës Amerikane skandaloze. Kryetari i KSHZ-së, Jovan Josifovski, deklaroi se komisioni gjithmonë ka vepruar në mënyrë objektive gjatë shqyrtimit të ankesave dhe kështu ka për të vazhduar deri në fund. Edhe pas braktisjes së komisionit nga ana e përfaqësuesve të PDSH-së, KSHZ-ja vazhdoi punën edhe për shqyrtimin e ankesave të BDI-së duke pranuar 7 të tilla nga kjo parti. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni vazhdon të shqyrtojë ankesat e partive politike për procesin zgjedhor të së dielës ku u shënuan shumë parregullsi dhe ka vendosur që votimet të zhvillohen sërish në 90 vendvotime. Nëse partitë nuk janë të kënaqura me vendimin e KSHZ-së dhe mospranimin e vërejtjeve të tjera, në një afat prej 48 orësh ata mund ti drejtohen Gjykatës Supreme të Maqedonisë e cila për 24 orë duhet të marr vendim nëse do të pranoj apo jo ndonjë nga vërejtjet e partive. Numri i vendvotimeve ku do të përsëriten zgjedhjet pritet të jetë më i lartë pasi ende nuk janë shqyrtuar të gjitha ankesat e partive pjesëmarrëse. E gjithë kjo procedurë duhet të përfundojë deri ditën e hënë por në këtë rast parashikohen edhe vonesa. Të gjitha vendvotimet ku zgjedhjet do të përsëriten më 15 qershor janë në viset e banuara me shqiptarë. Partitë politike kundërshtare shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare në ankimimet e tyre thonë se gjatë ditës së diel ka patur mbushje të kutive, thyerje të kutive të votimit, votim të një për më shumë persona, presion ndaj aktivistëve partiakë, ndërsa BDI thotë se pjesëmarrëse në këto incidente kanë qenë edhe pjesëtarë të ministrisë së rendit. Për shkak të këtyre incidenteve, para drejtësisë do të dalin mbi 50 persona, në mesin e të cilëve ka edhe pjesëtarë të policisë. Për shkak të incidenteve të shumta gjatë ditës së votimit, ku pati edhe një viktimë dhe disa të plagosur, procesi zgjedhor ka marrë vlerësim negativ si nga vëzhguesit ashtu edhe nga diplomatë perëndimorë.
Policia, e cila është në fokus të autoriteteve ndërkombëtare, përgjegjësinë për procesin zgjedhor e hodhi tek udhëheqësit politikë shqiptarë.

7 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›