Japonia ofron bursë studimi pasuniversitare, për vitet akademike 2009-2011
Qeveria japoneze, në kuadër të “Programit të Bursave”, u ofron shtetasve shqiptarë një bursë për studime pasuniversitare kërkimore për në universitetet e Japonisë, për vitet akademike 2009-2011, duke përcaktuar fushat e studimit sipas specialiteteve përkatëse. Konkretisht bursat që ofrohen janë: Në shkencat shoqërore dhe humanitare: Letërsi, Histori, Estetikë, Drejtësi, Shkenca politike, Ekonomik, Tregti, Pedagogji, Psikologji, Sociologji, Muzikë, Artet e bukura; Në shkencat natyrore: Shkenca të pastra ekzakte, Inxhinieri, Bujqësi, Peshkim, Mjekësi, Stomatologji, Ekonomik etj. Sfera e studimit për të cilën do të aplikohet të jetë e njëjtë, ose e lidhur me degën për të cilën aplikanti ka mbaruar studimet. Aplikantët duhet të jenë nën moshën 35 vjeç dhe të kenë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze. Kandidatët që janë të interesuar për këtë bursë duhet të paraqiten pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit për një informim më të hollësishëm dhe për të tërhequr formularët. Afati i fundit i dorëzimit të aplikimeve në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë është data 10 qershor 2008.
Nis sensibilizimi për parandalimin e alkoolit dhe drogës
Numri i personave që konsumojnë alkool dhe drogë janë të shumtë në numër. Për të njohur dëmtimet dhe për të parandaluar konsumimin e tyre, ISHP-ja ka ndërmarrë një nismë në të gjithë vendin në kuadër të ”Javës së Sensibilizimit për Dëmet nga Alkooli dhe Droga”. Drejtoritë e ISHP-ve në rrethe janë të angazhuara për përgatitjen e një sërë aktivitetesh, me synim ndërgjegjësimin e opinionit publik për ndikimin negativ që ka përdorimi i alkoolit dhe i drogave në shëndet. Aktivitetet nga 7- 14 qershor do të apelojnë mesazhe kundër drogës dhe alkoolit. Më të rëndësishme do të jenë takimet me moshat e reja, të cilat janë konsumator më të rregullt të drogave, por nuk përjashtohet edhe alkooli. Bazuar në një studim të fundit të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, rezulton se rreth 40 për qind e meshkujve nga mosha 20-49 vjeç konsumojnë alkool çdo ditë ose pothuaj çdo ditë, ndërsa tek gratë dhe vajzat, kjo shifër është shumë më e ulët, rreth 5 per qind. Aktualisht, rreth 2.1 për qind e popullsisë në rrethet kryesore të vendit bëjnë pjesë në kategorinë e alkoolistëve të rëndë. Ndërsa përdoruesit e drogave, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, rezultojnë në rreth 30 mijë.
7 Qershor 2008