E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia greke detyron 4 maqedonas të pastrojnë pikën kufitare



Katër shtetas maqedonas, shoferë kamioni janë detyruar nga policia greke të pastronin kufirin grek përpara se të kalonin në drejtim të Maqedonisë. Lajmi është bërë i ditur nga agjencitë maqedonase të lajmeve sipas të cilave ngjarja ka ndodhur në anën greke të pikës kufitare të Dojranit nga ana greke e kufirit. Keqtrajtimi është bërë i ditur nga burime të policisë maqedonase në të cilën janë ankuar 4 shtetasit maqedonas. Ata kanë deklaruar se policia greke i ka detyruar që të pastrojnë vendkalimin kufitar si kusht për të hyrë në Maqedoni. Sipas policisë maqedonase katër personave u është lejuar dalja në Maqedoni vetëm pasi paraprakisht u kanë dhënë fshesa dhe doreza duke i detyruar që të mblidhnin tërë pluhurin e shpërndarë në vendkalimin kufitar të Dojranit. Sipas policisë shtetasit maqedonas janë M. K., 26 vjeç, A. B., 25 vjeç, O. M., 36 vjeç dhe M. D., 60 vjeç.

Moska kundërshton propozimin e Ban Ki Munit për UNMIK-un

Moska zyrtare i ka bërë me dije sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, se kundërshton propozimin e tij për rikonfigurimin e UNMIK-ut në Kosovë, si dhe rreth raporteve që UNMIK-u duhet të kishte me Bashkimin Europian. Shefi diplomacisë ruse, Sergej Lavrov ka sqaruar pozicionin e Moskës zyrtare ndaj paketës së kreut të Kombeve të Bashkuara, shkruan gazeta “Zëri” duke iu referuar burimeve të saj diplomatike në Nju Jork. Paketa e Ban Ki Munit përbëhet nga një letër e shkurtër që ai pritej t’ua dërgonte ambasadorëve të 15 shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, letrës që do t’ia dërgonte presidentit të Serbisë, Boris Tadiç dhe një letre që do të duhej të pranohej nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Obama takohet privatisht me Klintonin
Një takim sekret është zhvilluar në Shtetet e Bashkuara mes ish-rivalëve demokratë Barak Obama dhe Hillari Klinton. Senatori Obama, i emëruari i presupozuar i demokratëve anuloi udhëtimet e tij të planifikuara në Çikago për këtë takim. Takimi shihet si një lëvizje për të bashkuar partinë përpara se zonja Klinton më në fund të pranojë humbjen ditën e sotme dhe të mbështesë senatorin nga Ilinois. Senatorja Klinton e ka bërë të qartë se nuk po kërkon në mënyrë aktive postin e zv.presidentes. Barak Obama është shprehur se mund të duhet një periudhe kohe derisa ai të përzgjedhë personin që do të jetë në atë post.

7 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›