E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia Marubi “lufta” vazhdon



Sërish dhunë ndaj “mbrojtësve” të parkut të Akademisë Marubi, rektorit Kujitm Çashku dhe studentëve të tij, të cilët janë përpjekur që të ndalojnë prishjen e kopshtit para shkollës dhe të ullinjve të vjetër që ndodhen në brendësi. Rektori Çashku ka denoncuar dje në mënyrë publike shkatërrimin e ullinjve të vjetër dhe dhunën e ushtruar ndaj qëndresës së Marubit rreth mëngjesit, kur një ekskavator dhe disa mjete të tjera të televizionit “Top Channel”, të mbështetura nga policia private “Jori Security” pa asnjë lejë ndërtimi nisën shkatërrimin e parkut. “Me gjithë protestat e vazhdueshme nga ana jonë, që vazhdojnë për më tepër se 120 ditë, të shtypura disa herë në mënyrë të dhunshme në sytë e Policisë së Shtetit, vrasja e njëpasnjëshme e pemëve, zhdukja e hapësirave të gjelbra dhe për pasojë betonizimi i shëmtuar, është kthyer në tumorin më agresiv që po përpin çdo qelizë të shëndoshë të qytetarëve shqiptarë. Sot mund të themi njëzëri se kaluam nga nga epoka e bunkerit në epokën e betonit.” –shprehet Çashku.
Sipas tij, e gjithë kjo që po ndodh është një veprim i mbështetur në një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili nuk përkon aspak me situatën reale të ambjenteve dhe kufizimeve në terren. Pasi janë vënë në dijeni Këshilli i Ministrave, Bashkia e Tiranës Inspektoriati i Ndërtimit dhe Policia Bashkiake, por pa marrë asnjë përgjigje, kineasti i njohur pohon se paraditen e sotme qytetarë, përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile, universiteteve pjesëtare të Konsorciumit Universitar Shqiptar dhe të pronarëve legjitimë të tokës (përfaqësuar nga familja Hysa) do të organizojnë një protestë para Bashkisë së Tiranës.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›