E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrëmje shqiptare në Itali me Visar Zhitin, Ylljet Aliçkën dhe Zana Turkun



Në Genova të Italisë, nën rregjinë dhe koordinimin e kujdesshëm dhe të apasionuar të Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Liguria dhe Montecarlo, avokatit G.M. Durazzo, u zhvilluan të shtunën dhe të dielën, dy veprimtari dedikuar kulturës Shqiptare. Në bashkëpunim me Biliotekën Publike "Berio", më të rëndësishmen e qytetit bregdetar, u organizua takimi me shkrimtarin dhe diplomatin Shqiptar Ylljet Aliçka. Boshti i takimit ishte shfaqja premierë në Itali e filmit Shqiptaro-Francez “Një lutje dashurie”, me skenar të Aliçkës dhe regji të Artan Minarollit. Filmi u prit mjaft ngrohtë nga publiku i shumtë gjenovez i pranishëm në sallë, i cili nuk mungoi t’i drejtonte autorit dhe panelit të relatorëve shumë pyetje mbi historinë e filmit, por edhe mbi Shqipërinë, artin dhe kulturën e saj. Në takim merrte pjesë edhe zv.ministrja e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve znj. Suzana Turku. Ajo, në fjalën e saj, vuri në pah praninë e një numri të madh artistësh të talentuar e të afirmuar Shqiptarë në panoramën artistike e kulturore të Europës, të cilët luajnë një rol të jashtëzakonshëm, pasi shërbejnë si një urë e gjallë që lidh vendin tonë me pjesën tjetër të shoqërive Perëndimore.
Duke marrë shkas edhe nga çelja e afërme e sezionit të turizmit masiv në mbarë Europën, ajo bëri gjithashtu edhe një ekspoze të ofertës së pasur turistike e kulturore të Shqipërisë. Znj. Turku i informoi të pranishmit për investimet e mëdha të qeverisë për ngritjen dhe konsolidimin e infrastrukturave të nevojshme për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e sektorit të turizmit, si edhe për promovimin e suksesshëm të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të këtij sektori. Në mbyllje të fjalës së saj, ajo i ftoi drejtëpërdrejtë të pranishmit ti kalonin këtë vit pushimet e tyre në vendin tonë. Dita e dedikuar kulturës Shqiptare vijoi në mbrëmje, në një tjetër venue historike e prestigjioze të ish-republikës marinare. Kështu, në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit të Poezisë, në kornizën magjepsëse të oborrit të brendshëm të Palazzo Ducale-s, të apasionuarit e letërsisë patën rastin të dëgjojnë disa nga poezitë më të bukura, shprehëse dhe prekëse të letërsisë Shqipe, të recituara në gjuhë origjinale nga vetë autori i tyre, poeti Shqiptar Visar Zhiti. Poezitë u recituan gjithashtu, në Italisht nga aktorët e ftuar dhe u pritën me shumë duartrokitje nga publiku i emocionuar.
(ATSh)

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›