Nju Jork, sot në KS raporti i Ban Ki Munit për Kosovën
Ministri i punëve të jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni, do të marrë pjesë sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën do të shqyrtohet raporti tremujor i sekretarit të përgjithëshëm Ban Ki Mun për Kosovën. Ki Mun pritet t’u bëjë apel të gjitha palëve që të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Autoritetet e Kosovës bëjnë thirrje për përfundimin e mandatit të UNMIK-ut, sepse Kosova tashmë është e pavarur, nga ana e tij sekretari Ban Ki Mun thotë se misioni ndërkombëtar vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm përballë realitetit të ndryshuar, shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në vjeshtë të vitit të kaluar Këshilli i Sigurimit miratoi me një deklaratë presidenciale udhëzimin e Sekretarit Ki Mun mbi rikonfigurimin e UNMIK-ut si një proces gjatë së cilit do të rritej roli operacional i misionit të Bashkimit Europian, Eulex-it nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara dhe sipas rezolutës 1244.
Betohen eprorët e lartë të FSK-së
Eprorët e lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë dhënë betimin para Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Duke iu drejtuar eprorëve të FSK-së, presidenti Sejdiu theksoi se ky është një moment solemn, por edhe i përgjegjësisë. “Ju jeni pjesa elitë e udhëheqjes së FSK-së dhe besoj se në mënyrën më të mirë të mundshme do t’i përcillni mesazhet njerëzore dhe profesionale konform përgjegjësive ligjore që keni”,- tha Sejdiu.
E rëndësishme është qasja juaj jopolitike, sepse FSK-ja është institucion në shërbim të të gjithë qytetarëve, theksoi presidenti. Në ceremoninë e betimit të eprorëve të lartë të FSK-së, përveç presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi, ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Ramë Manaj, ministri i FSK-së Fehmi Mujota, zëvendësministri Behxhet Brajshori dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi.
17 Qershor 2009