E Hënë, 2 Nëntor 2026

Matura 2009, maturantët në provime, mbi 120 cm larg njëri-tjetrit



Jonida Tashi

Maturantët do të qëndrojnë mbi 120 cm larg njëri-tjetrit në provimet e Maturës. Kjo është largësia e vendosur nga specialistët e Arsimit, sipas të cilëve, distanca ndërmjet çdo nxënësi, duhet të jetë jo më pak se 120 cm larg nga njëri tek tjetri, si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa. Kështu, ndryshe nga orët e përditshme të mësimit, apo provimet e bëra gjatë vitit shkollor, maturantët do të qëndrojnë larg shokëve të ngushtë të klasës, me të cilët kanë shkëmbyer të dhëna gjatë testimeve të kaluara. Ashtu, si edhe vitin e kaluar, specialistët e arsimit, që janë marrë me përcaktimin e mjediseve për provimet e Maturës janë treguar tepër të ashpër në përzgjedhjen e tyre. Përveç largësisë prej me shumë se 1 metër nga shokët e klasës, nxënësit do të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim në provime. Ndërsa sipërfaqja që maturantët do të kenë në dispozicion për të shkruar është të paktën (40 x 60) cm.
Hyrja
Sistemimi i maturantëve në ambientet ku do të jepet provimi do të bëhet nëpërmjet një liste të posaçme që do të dërgohet nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA). Burime nga kjo agjenci, bëjnë të ditur se është përcaktuar një listë e cila do të bazohet në rendin alfabetik të nxënësve për çdo shkollë të mesme të vendit. Hyrja dhe ndarja e çdo kandidati nëpër klasa ditën e provimit, do të bëhet duke ndjekur detyrimisht rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga AVA. Sistemimi i çdo nxënësi në mjediset apo sallat e provimit do të bëhet një nga një, sipas rendit të hyrjes së tyre, teksa është e ndaluar kategorikisht që të bëhet ndërrimi i vendeve, ndryshe nga ai i vulosur në listën e dërguar nga institucioni përkatës.
Identifikimi
Ashtu siç është vepruar dhe në rregulloren e vitit të shkuar, kandidatët për studentë që do të përfshihen në provimet e Maturës, qofshin këto të detyruara po me zgjedhje në ditën e provimit, duhet të kenë me vete një mjet identifikimi. Për mbarëvajtjen e zhvillimit të provimeve të Maturës, AVA ka hartuar edhe listën me kodet identifikuese për të gjithë kandidatët që këtë vit, do të aplikojnë për ndjekjen e studimeve të larta në universitetet publike të vendit. Të dhënat e AVA-s tregojnë se këtë vit janë rreth 47 mijë maturantë që kanë aplikuar për provimet e Maturës.

Konsiderohen mjedise të përshtatshme për zhvillimin e provimeve të Maturës, ato që plotësojnë kriteret e mëposhtme:
Mjedisi më i vogël i përshtatshëm për zhvillimin e provimeve të jetë i mjaftueshëm për të paktën 15 nxënës.
Largësia ndërmjet çdo nxënësi të jetë jo më pak se 120 cm larg nga njëri nxënës tek tjetri, si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa.
Në ditën e provimit nuk zhvillohen aktivitete të tjera që ndërpresin provimin.
Mjediset të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara.
Në mjediset ku zhvillohet provimi nuk ka postera, tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim.
Nxënësit ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim.
Sipërfaqja që nxënësi ka në dispozicion për të shkruar është të paktën (40 x 60) cm.
Çdo mjedis që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, të ketë komunikim me rrugë automobilistike.
Për provimet e Maturës, në shkollat ku numri i nxënësve është më i vogël ose e barabartë me 20 (njëzetë), KMSH-ja e DAR-it dhe ZA-së grupon shkollat dhe cakton mjedisin ku zhvillohen provimet.
KMSH-ja njofton KSHMSH-të përkatëse për të lajmëruar çdo nxënës me shkrim dhe për t’u krijuar atyre kushte lehtësuese transporti për provimet e detyruara.
Nxënësit e shkollave jopublike do t’i zhvillojnë provimet e Maturës në mjediset e shkollave publike.
KSHMSH-ja njofton çdo nxënës, për mjedisin ku ai jep provimet e Maturës.
Për mjediset/sallat me mbi 15 nxënës caktohet një administrator provimi për çdo 20-25 nxënës.
Çdo KMSH e DAR-it dhe ZA-së, pasi merr informacion nga KSHMSH-ja për numrin e nevojshëm të administratorëve të provimeve dhe sekretimit, bën hartën e shpërndarjes së tyre në mjediset/sallat e provimit.
KMSH e DAR-it dhe ZA-së harton listën emërore për çdo provim të Maturës, të individëve sipas rendit alfabetik, që do të jenë përgjegjës të administrimit, administratorë provimi dhe njëkohësisht listën emërore të administratorëve të sekretimit.

12 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›