E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Shkencave, 18 akademikët e rinj do të shpallen këtë javë



Beteja për t’u bërë anëtar i Akademisë Shkencave, akademik, është drejt fundit. Pritet vetëm që të bëhet shpallja publike e 18 anëtarëve të rinj të saj, të cilët janë përzgjedhur nga 100 kandidatura të paraqitura. Këshilltari i kryeministrit për arsimin Myqerem Tafaj, ka bërë të ditur se deri në mbyllje të kësaj jave, Komisioni Përzgjedhës i akademikëve të rinj do të bëj publike rezultatet për 18 akademikët e rinj, të cilët do të jenë anëtar të rregullt të Akademisë së Shkencave. Komisioni Përzgjedhës i akademikëve të rinj, pasi ka shqyrtuar të gjitha dojset e paraqitura ka bërë edhe përzgjedhjen finale. Ky Komision përbëhet nga nëntë anëtarë, midis të cilëve pesë janë personalitete të huaja dhe katër shqiptarë. Në krye të këtij Komisioni qëndron Gudar Beqiraj, që është njëkohësisht edhe në postin e zëvendëskryetarit të Akademisë. Sipas ligjit “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, (Nr.9853, datë 26.12.2007): “Anëtarët e rregullt të Akademisë së Shkencave zgjidhen nga radhët e shkencëtarëve të shquar me titull “Profesor” me shtetësi shqiptare, të cilët përmjet punimeve origjinale, veprave përgjithësuese me një nivel të lartë shkencor, kanë zgjidhur teorikisht dhe praktikisht probleme të një rëndësie të veçantë në fushën e shkencës, të ekonomisë, të artit dhe të kulturës, si edhe kanë dhënë ndihmesë të madhe në formimin universitar e pasuniversitar të shkencëtarëve të rinj”. Po sipas këtij ligji, në raste të veçanta anëtarë të Akademisë mund të zgjidhen edhe personalitete, që kanë merita të shquara në fushën e krijimtarisë letrare dhe artistike. Reformimi i Akademisë së Shkencave, sipas ligjit, duhet të përfundojë në muajin tetor. Ndërkohë pasi të mbarojë faza e reformimit do të realizohen zgjedhjet për Kryesinë e Akademisë së Shkencave. Gjeofizikani dhe akademiku Teki Biçoku do të qëndrojë në postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave deri në muajin tetor të këtij viti.

Asambleja e Akademisë së Shkencave
(Anëtarët e rregullt aktualë, vendet vakante dhe shpërndarja e tyre sipas fushave)
Anëtarë të rregullt 30 vetë
Nga këto ekzistues 7 vetë
Të ndarë sipas fushave
Shkencat Shoqërore, Albanologjike dhe Humanitare 3 vetë
Shkencat Natyrore, Ekologjike dhe Teknike 4 vetë
Anëtarë të përhershëm mbi 75-vjeç 3 vetë
Vende vakante 20 vetë
Prej tyre: për figura të shquara në fusha
të ndryshme të krijimtarisë 2 vetë
Vende vakante për akademikë të asoociuar 15 vetë

29 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›