Tekstet e blera tek shitësit ambulantë, nuk subvencionohen
Jonida Tashi
Prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm në blerjen e teksteve shkollore për të mos rënë pre e abuzimeve. Kështu, nëse ata do t’i blejnë librat e fëmijëve tek shitësit ambulantë, të cilët i tregtojnë me një çmim shumë herë më të lartë, jo vetëm që do t’i blejnë librat më shtrenjtë, por nuk do të jenë as pjesë e skemës së subvencionimit. Për këtë, Ministria e Arsimit, ka përcaktuar rrugën që ndiqet për shpërndarjen dhe blerjen e librave shkollorë. Pas përfundimit të përzgjedhjes së librave shkollorë dhe realizimit të shtypjes së librave nga botuesit përkatës, librat shkollorë, do të jenë në pikat e shitjes, pranë shkollave dhe në librari, që në muajin gusht. Në të gjitha shkollat do të afishohet njoftimi për pikat e shitjes, lista e librave shkollore dhe botuesit e tyre. Ministria e Arsimit miraton dhe certifikon tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, të cilat konkurrojnë, në barazi të plotë, në përzgjedhje nga përdoruesit. Kriteret dhe procedurat e konkurrimit dhe të përzgjedhjes përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit. Procesi i botimit, shtypjes, shpërndarjes dhe shitjes së teksteve shkollore të arsimit parauniversitar bëhet nga shtëpitë botuese.
Shtëpitë botuese
Shtëpitë botuese, të cilat marrin përsipër të kryejnë këtë proces, paraqesin tekstet, për miratim, në bazë të kritereve dhe procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit të Arsimit. Në udhëzim përcaktohen edhe afatet, skema e shpërndarjes dhe pikat e shitjes së teksteve shkollore të arsimit parauniversitar. Sipas këtij udhëzimi, Drejtoritë Arsimore në rrethe dhe Zyrat Arsimore (DAR/ZA-t) duhet të blejnë drejtpërdrejt nga shtëpitë botuese tekstet shkollore, të cilat do t’u shërbejnë shkollave për përzgjedhje. Këto tekste blihen me fondet e buxhetit të shtetit dhe ruhen në bibliotekën e shkollës, si pronë e saj. Shtëpitë botuese i shesin tekstet e certifikuara në mjedise shkollore. Në qytete, të cilat kanë librari, shitja e teksteve mund të bëhet edhe në librari. Drejtoritë e shkollave detyrohen t’u ofrojnë mjedise shtëpive botuese për shitjen e teksteve. Tekstet për shkollat e pakicave kombëtare dhe të arsimit profesional shiten në shkollë, sipas porosive të tyre.
Çmimi
Çmimi i shitjes duhet të jetë jo më i lartë sesa çmimi, me të cilin janë paraqitur për miratim tekstet e certifikuara.
Librashitësit, të cilët i shesin tekstet shkollore me lekë në dorë, duhet t’i lëshojnë blerësit dokumentin e shitjes ose faturën e kasës fiskale, sipas modeleve të caktuara nga Ministria e Financave. Ndërsa në rastin e teksteve për shkollat e pakicave kombëtare dhe të Arsimit Professional, shitja bëhet përkundrejt faturave. Faturat paguhen me pjesën e kontributit të nxënësit dhe subvencionin e caktuar për të, përmes llogarive buxhetore të DAR/ZA-ve ose vetë shkollës, kur ka llogari të tillë. Për këtë, shkollat dërgojnë dokumentacionin e plotë në DAR/ZA-n përkatëse. Pas plotësimit të kërkesave të shkollës, shtëpitë botuese mund t’i shesin këto tekste edhe në librari. Ministria e Arsimit nuk e subvencionon blerësin në shitjen e lirë të këtyre teksteve.
Tekstet
Tekstet duhet të jenë të pajisura me pullën me hologramë, të certifikimit, të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Pulla me hologramë u shpërndahet botuesve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kundrejt pagesës. Tekstet, që tregtohen pa këtë pullë, i nënshtrohen procesit të konfiskimit, në përputhje me ligjin në fuqi. Në rastet e subvencionimit të teksteve shkollore, Ministria e Arsimit, fondet, e miratuara për këtë qëllim, i’a jep blerësit, si kompensim për blerjen e teksteve, ose i vë në dispozicion të tij, për t’i përdorur për këtë qëllim. Procedurat e përdorimit dhe të shpërndarjes së fondeve buxhetore, të miratuara si subvencion për blerjen e teksteve shkollore, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Fondi
Rreth 2.8 milionë euro ose 310 milion lekë të reja, është fondi që Ministria e Arsimit, ka vënë në dispozicion këtë vit, për kompensimin e librit shkollor. Skema e kompensimi t të teksteve shkollore në arsimin parauniversitar këtë vit do të përqendrohet në arsimin 9-vjeçar, por duke përfshirë edhe arsimin privat.
29 Korrik 2008