E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e “Arbërit”, qeveria kërkon firmën që do të përgatisë projektin



Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, u shpreh dje se ndërtimi i Rrugës së Arbërit shkurton distancën aktuale mes Tiranës dhe Shkupit me rreth 100 km, ndaj dhe do të procedohet me të gjithë shpejtësinë e mundshme për ndërtimin e kësaj arterie kryesore. Sipas tij, janë instruktuar studiot projektuese të zgjedhin alternativën më të shkurtër të Rrugës së Arbërit, pavarësisht kostove financiare që mund të jenë më të larta. Sipas kreut të MPPTT-së, Olldashi, tre lotet kanë ecuri të mirë. "Nga Bulqiza deri në Gurin e Bardhë projekti është tenderuar vitin që kaloi dhe presim përfundimin e tij shumë shpejt, ndërsa dy lotet e tjera nga Guri i Bardhë deri në Qafë Murriza dhe nga Qafë Murriza deri në Tiranë, janë në procedura tenderimi",- tha ai.
Rruga e Arbërit cilësohet si e dyta për vlerat e ekonomike pas rrugës Kukës-Morinë. Ndërtimi i saj shkurton në mënyrë të ndjeshme rrugën e transportit që lidhin Tiranën dhe portin e Durrësit me Dibrën, Peshkopinë, Matin dhe në fund Shkupin. Rruga e Dibrës, e quajtur Rruga e Arbërit, është e gjatë 75 kilometra. Sipas projektit, rruga parashikohet të përshkohet me shpejtësi mesatare 80 kilometra në orë, duke mënjanuar në maksimum ngjitjet malore edhe se ndërpret vargmale me lartësi mbi 1500-2000 metra. Kjo rrugë do të kalojë në 10 zona, ku do të shkurtojë 70 kilometra rrugën e sotme nga Burreli. Fillimin e saj rruga i ka në Tiranë më pas në Zall Dajt, Guri i Bardhë, Ura e Vashës, Plani i Bardhë, Bulqizë, Ura e Çerenecit, Gjoricë dhe Dibër. Vazhdimi i Rrugës së Arbërit në territorin e Maqedonisë, pas kalimit të kufirit shqiptar fillon në Gjoricë, në luginën e Drinit të Zi, poshtë urës së vjetër me harqe të Spiles, e cila është mbuluar nga diga e hidrocentralit të Dibrës së Madhe. Nga Dibra në drejtim të Gostivarit rruga kalon nëpër grykën e Radikës, duke vazhduar në drejtim të Gostivarit, Tetovës, Shkupit e Sofjes.

Kartat e identitetit, Komisjoni i Ekonomisë ratifikon kontratën

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ratifikoi dje kontratën konçesionare "Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike", ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit “SAGEM Securite” e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve. Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, kjo kontratë koncesionare është plotësisht e mbështetur në legjislacionin në fuqi, për procedurat konkurruese, por respekton edhe standardet e përcaktuara nga vendimet e qeverisë, për elementët e sigurisë së kartës së identitetit dhe pasaportës elektronike. Në relacion thuhet se kontrata shënon një realizim faktik të pajisjes së Shqipërisë me një sistem modern të prodhimit të dokumenteve të identitetit dhe verifikimit të shtetasve me rrugë dhe mënyra biometrike, në përputhje me standardet “ISO”, “ICAO”, apo edhe direktivat e praktikat e Bashkimit Europian. Realizimi i kontratës shënon jo vetëm një nivel të ri më të sigurtë se kurrë dhe gjerësisht të pranuar për dokumentet e identitetit, por nëpërmjet përputhshmërisë teknologjike dhe respektimit të niveleve të sigurisë e të teknologjisë, përmbush detyrimet e qeverisë shqiptare dhe të Republikës së Shqipërisë për verifikimin e shtetasve. Gjithashtu lejon dhe krijon mundësi reale për lëvizjen e lirë të qytetarëve në hapësirat europiane, ndihmon në konsolidimin e proceseve dhe të institucioneve demokratike në Shqipëri, furnizon institucionet publike dhe private me të dhëna të sigurta për shtetasit shqiptarë, pra thjeshtëzon shërbimet për qytetarët, si dhe sjell efiçencë në shërbimet publike, kontabilitetit me sistemet dhe dokumentet ndërkombëtare, veçanërisht me atë të BE-së.

29 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›