Tregu i punës, 397 fëmijë nën moshën 18 vjeç, pjesë e klasës punëtore
Jonida Tashi
Fëmijët nën moshën 18-vjeç zënë një pjesë të konsiderueshme në tregun tonë të punës, ku vetëm për 6-mujorin e parë të këtij viti janë konstatuar 397 të punësuar. Të detyruar nga kushtet e vështira ekonomike këta fëmijë kryejnë punë në ndërmmarje dhe aktivitete të ndryshme në vendin tonë. Gjithashtu, nga inspektimet e Inspektoriatit Shtetëror të Punës ka rezultuar se 2625 janë të punësuar në mënyrë jo të rregullt. Ndërsa përsa i përket aksidenteve në punë, rezulton se ato kanë ardhur në rritje krahasuar me vitin e mëparshëm. Sipas të dhënave, 58 punëtor janë aksidentuar në 88 punëdhënës, ose 0,176 të aksidentuar për 1000 punëmarrës nga 0,11 që ishte në vitin 2007. Këto fakte dhe të mjaft të dhëna të tjera për kushtet e sigurisë në punë, evidentohen nga të dhënat e analizës 6-mujore të Inspektoratit Shtetëror të Punës (ISHP). Sipas analizës së ISHP-së, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2008 është vënë re një shtim i numrit të ankesave të qytetarëve të paraqitura në këtë institucion me 31 për qind, dhe rreth 52,9 për qind e ankesave të paraqitura janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale Tiranë.
Inspektimet
Gjithashtu, gjatë këtij gjashtë mujori për herë të parë për moszbatim të kushteve të sigurisë në punë dhe mosmarrjen e masave për të siguruar mjedis pune të sigurt për punëmarrësit, janë bllokuar dy aktivitete siç janë Uzina e Çelikut në subjektin Kurum në Elbasan dhe subjekti Ital Crome në Burrel. Sipas ISHP-së, për këtë vit është synuar që të arrihet rritja e numrit të inspektimeve në subjektet ekonomike që paraqesin rrezikshmëri të lartë për punëmarrësit siç janë: aktivitetet e Karierave, Gazit, Elektricitetit. Ku vetëm brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti, janë kontrolluar 43 miniera dhe karriera dhe 60 aktivitete të llojit elektricitet, gaz, ujë. Por prioritet për specialistët e ISHP-së për të ushtruar kontrolle kanë pasur dhe do të kenë edhe aktivitetet me numër të madh të punëmarrësve siç janë aktivitetet prodhuese e ndërtuese, në të cilat janë prezente ekspozimi ndaj aksidenteve në punë. ISHP bën të ditur se gjatë këtij gjashtë mujori janë kontrolluar 846 ndërmarrje prodhuese dhe 718 aktivitete ndërtimi në shkallë vendi.
Masat
Masat ekstreme janë marrë në ato sektorë, ku janë konstatuar mungesa e marrjes së masave parandaluese ndaj aksidenteve në punë si për shembull, në sektorin e ndërtimit, ku janë vendosur rreth 43 për qind e numrit të përgjithshëm të gjobave, në sektorin e prodhimit 23,2 për qind, në tregti dhe shërbime ( H-B-R) 13,9 për qind e numrit të përgjithshëm të gjobave. Prej më shumë se 2 vjetësh objektivi kryesor i ISHP-së është kontrolli i subjekteve ekonomike, në të cilët për pasojë të proceseve teknologjike, paraqitet rrezik për ndodhjen e aksidenteve. Madje, kjo detyrë del edhe më emergjente pas disa ngjarjeve të kohëve të fundit siç ishte rasti i 15 marsit 2008 në fabrikën e demontimit të armëve në fshatin Gërdec të Tiranës. Madje, ISHP-ja sqaron se edhe pse nuk ka detyrim ligjor për të kontrolluar sigurimin teknik në aktivitetin e mësipërm apo në disa sektorë të tjerë si minierat, vendeve të depozitimit dhe të tregtimit të lëndëve djegëse dhe eksploduese etj, ka kërkuar bashkëpunim për të ushtruar kontroll në lidhje me marrëdhëniet e punës në këta sektorë me rrezik. Për këtë është kërkuar bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
Rezultatet e inspektimit për periudhën Janar-Qershor 2008
Subjekte private të inspektuara 4631
Subjekte shtetërore të inspektuara 38 Punëmarrës të sektorit privat 53086
Punëmarrës të sektorit shtetëror 5696
Punëmarrës nën 18 vjeç 397
Nr. i punëmarrësve me kontratë individuale 35492 ose 66,9 %
Mesatarja e punëmarrësve për subjekt 11,5
Inspektime ankese 34
Gjoba të vendosura 86
Vlera e gjobave 15.310.000 lekë
Punëmarrës ilegale 2625
Aksidente të ndodhura 58 raste me 88 ose 0,176 të aksidentuar për 1000 pm (0,11 në 2007)
29 Korrik 2008