Mash-i vendos që shkollat private të kompensojnë librat
Shkollat private të arsimit parauniversitar për herë të parë këtë vit, do të kompensohen njësoj si arsimi publik. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Arsimit, e cila sqaron se kompensimi i librave shkollorë në sektorin privat dhe publik do të jetë i njëjtë. Zëdhënësja për shtyp e kësaj Ministrie, Brikena Kollçinaku, ka theksuar se tashmë janë zyrtarizuar aktet, sipas të cilave, prej kompensimit të librit shkollor për arsimin bazë 9-vjeçar, për herë të parë, do të përfitojnë edhe nxënësit e shkollave private. “Megjithëse masa e përfitimit nuk ka ndonjë peshë të rëndësishme financiare, pasi nxënësit në këto shkolla përbëjnë 4.3 për qind të totalit, ky është një sinjal tjetër i trajtimit të barabartë nga Ministria të sektorit publik e privat në arsim”,- ka pohuar Kollçinaku. Sipas MASH-it, këto hapa hidhen në sfondin e masave të vlerësimit të cilësisë në institucionet arsimore dhe informimit transparent
29 Korrik 2008