E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis ndërtimi i shkollës së re 9-vjeçare, tek Bregu i Lumit



Nisën dje punimet për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare në zonën e Bregut të Lumit. Për realizimin e këtij objekti me rëndësi të madhe për banorët e zonës, është vendosur të shfrytëzohet kapanoni i dherave në Fabrikën e Tullave, një truall në pronësi të shtetit. Shkolla e re do jetë pjesë e territorit të Njësisë Bashkiake Nr.11 dhe është projektuar nga firma konsulente D&C Partners. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, i pranishëm në inagurim nënvizoi rëndësinë e madhe që ka për kryeqytetin e veçanërisht për integrimin e periferisë ndërtimi i shkollave të reja. Rama u shpreh: “Janë 23 shkolla që rindërtohen nga themelet, ndërtohen tërësisht nga hiçi, duke filluar nga viti i shkuar dhe këtë vit. Kjo shkollë sot është shkollë që sjell një mundësi të re për këtë periferi të madhe të Tiranës, që përbën një hallkë të re jetike të integrimit të periferisë”. Ky objekt tërësisht i ri, do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 1400 m2 dhe është projektuar me 3 kate. Pas fillimit të punimeve për rikonsktruksionin e gjithë bllokut 45 tek Bregu i Lumit, ndërtimi i shkollës së re do të jetë një ndihmë e vyer për gjithë fëmijët e zonës, kryesisht të ardhur nga vende të ndryshme të Shqipërisë, duke përmbushur në këtë mënyrë dhe premtimin e Bashkisë së Tiranës për urbanizimin e plotë të zonës si dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore, gjë e cila do të sjellë në mënyrë të pashmangshme përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit dhe veçanërisht të fëmijëve të zonës.

Elbasan: Mbi 30 fëmijë në spital nga virozat e stinës

Virozat e stinës kanë rritur ndjeshëm numrin e fëmijëve të paraqitur në spital në qytetin e Elbasanit. Rreth 30 fëmijë me simptomat e virozave të stinës, janë shtruar në spital ditët e fundit. Luhatja e temperaturave ka shkaktuar probleme shëndetësore, të cilat më së shumti janë ndjerë tek fëmijët nga mosha 1–8 vjeç. Fëmijët janë paraqitur në spital me simptoma si, temperaturë të lartë dhe të vjella dhe ka qenë i domosdoshëm shtrimi i tyre në spital. Për këtë qëllim, mjekët pediatër i rekomandojnë nënat që të evitojnë ujin e ftohtë tek fëmijët, si dhe dërgimin e tyre në plazh apo në pishina deri në normalizimin e temperaturave.

29 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›