Akademia e Shkencave hap konkursin për pesë akademikë
Akademia e Shkencave hap konkursin për rekrutimin e pesë akademikëve të tjerë, katër prej të cilëve do të jenë të asoicuar, ndërsa një i përhershëm. Asambleja e Akademisë së Shkencave në zbatim të Ligjit Nr.9655, datë 11.12.2006, të ndryshuar, “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë” për të plotësuar numrin e anëtarëve të Asamblesë vendosi hapjen e katër fushave të reja për titullin “Akademik i Asociuar”, në fushat: e Kimisë (1 vend), Ekonomisë (1 vend), Sociologjisë (1 vend) dhe Drejtësisë (1 vend). Gjithashtu fillon procedura për paraqitjen e kërkesave nga akademikët për plotësimin e një vendi të lirë për anëtar të përhershëm të Akademisë. Në zbatim të Statutit të Akademisë së Shkencave (ASH), kandidatët e interesuar duhet të paraqesin aplikimet (sipas formularit i cili mund të tërhiqet nga web-site i ASH-së në adresën: http://www.akad.edu.al, ose në zyrën e protokollit të Akademisë së Shkencave). Aplikimi përfundon më datë 5 nëntor 2009. Asambleja është organi më i lartë drejtues i Akademisë. Asambleja mblidhet të paktën një herë në vit. Ajo mblidhet edhe kur këtë e kërkon një e treta e pjesëtarëve të saj. Në mbledhjen e Asamblesë, përveç pjesëtarëve të caktuar me ligj, marrin pjesë edhe të ftuar të tjerë, me përjashtim të rasteve kur në këtë statut është parashikuar ndryshe. Në Asamble kanë të drejtë vote vendimore anëtarët e rregullt, anëtarët e përhershëm dhe anëtarët e asociuar të Akademisë, sipas ligjit, përveç rasteve kur në këtë statut parashikohet ndryshe. Asambleja shqyrton dhe miraton drejtimet kryesore të veprimtarisë shkencore të Akademisë si: vendos për çështje të tjera të rëndësishme me karakter shkencor e organizativ; miraton statutin dhe ndryshimet, që mund të bëhen në përmbajtjen e tij; shqyrton dhe miraton raportet e kryesisë për veprimtarinë e përgjithshme të Akademisë; shqyrton probleme të zhvillimit perspektiv të shkencave në vend dhe u paraqet propozime organeve kompetente.
24 Tetor 2009