Vidhet Ambasada Daneze në Tiranë, grabitësit morën vetëm kompjuterin
Dhunohen zyrat diplomatike të Konsullatës Daneze në Tiranë. Persona, ende të paidentifikuar, kanë hyrë vjedhurazi në ambientet e Konsullatës, duke grabitur pajisjet e zyrës. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes. Punonjësit e Konsullatës, sapo kanë verifikuar vjedhjen në institucionin e tyre, ndërprenë punën dhe kërkuan ndihmën e policisë. Ata nuk kanë pranuar të bëjnë asnjë koment apo të japin informacion rreth ngjarjes. Forcat policore po hetojnë për zbardhjen e këtij incidenti në selinë diplomatike daneze dhe kapjen e autorëve. E vetmja e dhënë që jep policia është fakti i vjedhjes së një kompjuteri, të cilit nuk i dihet ende rëndësia e dokumenteve. Zyrat e përfaqësisë diplomatike të Danimarkës në Tiranë ndodhen në katin e katërt të një pallati, në zonën e ish-Bllokut. Përfaqësia e kësaj ambasade njoftoi dje pezullimin e të gjithë aktivitetit deri në një kohë të pacaktuar. Në prill të këtij viti ndodhi vjedhja e banesës së një zyrtareje të Ambasadës Italiane në Tiranë. Një endacak ka mundur të marrë në banesën e këshilltares së Ambasadës Italiane disa telefona dhe një sasi eurosh. Autori, që sipas policisë mund të jetë një endacak, ka marrë që andej së paku tre aparate telefonash celularë, si dhe një sasi prej rreth 100 eurosh në banesën e diplomates. Policia, e cila mbërriti në vendngjarje pas njoftimit, ka mundur të zbulojë dhe të identifikojë nga hetimi autorin që, sipas saj, është një endacak rreth 20- 25-vjeçar që banon në këtë zonë.
Ngjarja ndodhi në muajin prill, kur një person ka mundur të hyjë në ambientet e vilës trekatëshe që ndodhet në Qytetin Studenti, ku edhe banon me qira këshilltarja e Ambasadës Italiane, bashkë me të shoqin dhe familjen e saj. Autori, sipas burimeve të policisë, ka marrë nga vila disa sende të vlefshme që ai mendonte se ishin më me vlerë për të. Për fatin e mirë të diplomates, ishin vjedhur vetëm një sasi e vogël parash e sende personale. Në të kundërt, nuk ishin prekur sende me vlerë që kishin të bënin me aktivitetin e saj diplomatik në vendin tonë. Burime nga policia thanë se autori ka mundur të vjedhë një shumë parash prej rreth 100 euro si dhe tre aparate të telefonisë së lëvizshme.
24 Tetor 2009