Qeveria përcakton rregulla të reja për ekstradimet
Laureta Rryçi
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit projektligjin që do të rregullojë jo vetëm komunikimin e gjykatave shqiptare me ato të shteteve të huaja, por edhe rregulla të reja për rastet e ekstradimeve. Pas miratimit të këtij projektligji, shumë shqiptarë që kërkohen nga shtetet e huaja rrezikojnë të arrestohen dhe më pas të ekstradohen për llogari të këtyre shteteve. E njëjta procedurë është e vlefshme edhe për të huajt që mund të kryejnë vepra penale në Shqipëri, por që kanë arritur për momentin t’i shpëtojnë Drejtësisë shqiptare. Gazeta “Albania” ka mundur ta sigurojë të plotë këtë projektligj dhe po e boton atë në numrin e sotëm. Specialistët që kanë hartuar këtë projektligj kanë përcaktuar se tani e tutje, një gjykatë vendase procedon me njohjen e një vendimi penal të huaj kur kjo kërkohet nga Ministria e Drejtësisë, në bazë të një kërkese nga shteti dënues për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit penal. Vendimi penal i huaj ekzekutohet në përputhje me legjislacionin shqiptar. Vendimi penal i huaj mund të ekzekutohet si ndaj shtetasve shqiptarë, ashtu dhe ndaj shtetasve të huaj apo personave pa shtetësi, me vendbanim në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Zbatimi
Ministria e Drejtësisë dhe autoritetet gjyqësore vendase pranojnë dhe ekzekutojnë kërkesat e autoriteteve gjyqësore të huaja në procedimet që lidhen me veprat penale, të cilat, në çastin e paraqitjes së kërkesës, janë në juridiksionin e autoriteteve gjyqësore të shtetit kërkues; në procedimet administrative, nëse vendimi i dhënë në përfundim të tyre mund të shërbejë për fillimin e një procedimi penal. Ky rregull zbatohet deri në masën që parashikohet në marrëveshjet ndërkombëtare, të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë; në procedimet, në juridiksionin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut ose të gjykatave të tjera ndërkombëtare, juridiksioni i të cilave është pranuar nga Republika e Shqipërisë.
Refuzimi
Ministria e Drejtësisë dhe autoriteti gjyqësor vendas e refuzojnë letër-kërkesën kur: ekzekutimi i kërkesës bie në kundërshtim me rendin juridik të Republikës së Shqipërisë ose mund të rrezikojë sovranitetin apo sigurinë e saj. Në rastet kur kërkesa ka për objekt një vepër penale që konsiderohet vepër penale politike ose vepër penale e lidhur me një vepër penale politike; kërkesa ka për objekt një vepër penale ushtarake; kërkesa ka për objekt një vepër penale fiskale. Ndërsa autoriteti gjyqësor vendas refuzon një letër-kërkesë edhe kur: për të njëjtën vepër penale personi që kërkohet është shpallur i pafajshëm, është falur, procedimi kundër tij është pezulluar, dënimi është ekzekutuar ose nuk mund të ekzekutohet, sipas ligjit të shtetit në të cilin është dhënë vendimi; kur ka filluar procedimi penal në Republikën e Shqipërisë kundër personit që kërkohet për të njëjtën vepër penale.
Procedura
Kur në vijim të një urdhri ndërkombëtar për arrest nga një shtet i huaj, zyra e Interpolit në Shqipëri ka përcaktuar, në bazë të të dhënave për shtetasit, se personi është shtetas i Republikës së Shqipërisë, ajo njofton qendrën e Interpolit se nuk mund të ekstradojë shtetasin e vet dhe nuk mund të lëshojë një urdhër për të arrestuar një shtetas të Republikës së Shqipërisë për qëllime ekstradimi në drejtim të një shteti tjetër. Bashkë me njoftimin e përmendur në pikën 1 të këtij neni, zyra e Interpolit në Shqipëri njofton shtetin e huaj se autoritetet kompetente gjyqësore të atij shteti mund t’ua transferojnë ndjekjen penale autoriteteve kompetente gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.
Kur zyra e Interpolit në Shqipëri nuk është në gjendje të përcaktojë nëse personi i kërkuar nga shteti i huaj është apo jo shtetas shqiptar e, në vijim, gjykata e Republikës së Shqipërisë përcakton se personi për të cilin është urdhëruar ndalimi për qëllime ekstradimi, në drejtim të një shteti tjetër, është shtetas i Republikës së Shqipërisë, ai person lirohet menjëherë, përveçse kur janë kushtet për pranimin e ndjekjes penale nga autoritetet shqiptare. Kur ekstradimi i një personi kërkohet nga dy ose më shumë shtete të huaja për të njëjtën vepër penale apo për vepra penale të ndryshme, ministri i Drejtësisë cakton radhën e shqyrtimit, duke mbajtur parasysh të gjitha rrethanat e çështjes e, veçanërisht, rëndësinë dhe vendin e kryerjes së veprës penale, datën e marrjes së kërkesës, shtetësinë dhe vendbanimin e personit të kërkuar, si dhe mundësinë e një riekstradimi nga shteti kërkues.
Box
Llojet e letër-porosive janë:
Njoftimi i aktit të thirrjes ndaj personit në hetim, të pandehurit, dëshmitarit, ekspertit, të dënuarit apo palëve të tjera, në procedim penal.
Dorëzimi i urdhrave, i vendimeve të autoriteteve gjyqësore dhe i dokumenteve të tjera të nevojshme, që lidhen me procedimet penale në shtetin kërkues.
Masat e sigurimit pasuror
Pyetja e të pandehurit, e dëshmitarit dhe ekspertit, qoftë edhe nëpërmjet zhvillimit të seancave dëgjimore, nëpërmjet lidhjeve audiovizive.
Transferimi i përkohshëm i personave të ndaluar për t’u pyetur apo për kryerjen e një veprimi procedural në shtetin kërkues.
Veprimet për ekzekutimin e letër-porosive
Ministria e Drejtësisë, pas dhënies rrugë të letër-porosisë së autoritetit gjyqësor të huaj, ia transmeton aktet, brenda 10 ditëve, Prokurorisë së Përgjithshme, e cila, po brenda 10 ditëve, ia transmeton Prokurorisë, ku duhet të ekzekutohet objekti i letër-porosisë. Ministria e Drejtësisë, pasi të ketë marrë më parë mendimin e Prokurorisë së Përgjithshme, mund t’ia transmetojë aktet drejtpërdrejt prokurorit përkatës për ekzekutimin e letër-porosisë.
Prokuroria e vendit, ku duhet të ekzekutohet objekti i letër-porosisë paraqet kërkesën në gjykatë për të disponuar ekzekutimin e letër-porosisë me vendim.
Kur letër-porosia ka objekt thirrjen e dëshmitarëve apo të ekspertëve, prokurori, pavarësisht nga ç’është përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, ekzekuton drejtpërdrejt letër-porosinë, duke respektuar rregullat për njoftimet, të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.
Boc
Transferimi i përkohshëm i personave të ndaluar
Kur autoriteti gjyqësor i huaj thërret si dëshmitar një person të ndaluar në Republikën e Shqipërisë, ai mund të transferohet përkohësisht në shtetin kërkues.
Transferimi i përkohshëm i personit në shtetin kërkues bëhet nëse shteti kërkues jep garanci për mbrojtjen dhe kthimin e personit brenda periudhës së përcaktuar.
Transferimi refuzohet, kur:
personi i ndaluar nuk jep pëlqimin;
transferimi mund të zgjasë ndalimin e tij;
ka arsye të tjera thelbësore për të mos e transferuar atë.
Kur prania e personit të ndaluar është e nevojshme në procedimet penale që janë në vazhdim, përpara autoriteteve gjyqësore vendase, transferimi mund të shtyhet.
Kur një shteti të tretë i kërkohet të transferojë një person të ndaluar përmes territorit të Republikës së Shqipërisë, kalimi transit i tij lejohet nëse nuk është shtetas shqiptar.
Boc
Regjistrat penalë të shtetasve të Republikës së Shqipërisë, të dënuar jashtë vendit
Autoritetet kompetente që kanë detyrë mbajtjen e regjistrave penalë në Republikën e Shqipërisë, mbajnë regjistra penalë mbi shtetasit shqiptarë të dënuar jashtë vendit, përfshirë edhe shtetasit shqiptarë të lindur jashtë Republikës së Shqipërisë.
Ministria e Drejtësisë, pas marrjes nga një shtet tjetër të të dhënave për shtetasit shqiptarë që nuk kanë lindur në Republikën e Shqipërisë, të dënuar jashtë vendit, ia përcjell ato Ministrisë së Brendshme, e cila mban një regjistër qendror të të dhënave dhe Ministria e Brendshme, nga ana e saj, ia përcjell menjëherë autoritetit që ka për detyrë mbajtjen e regjistrave penalë.
Nëse të dhënat për shtetasit shqiptarë, të dënuar jashtë Republikës së Shqipërisë, nuk janë të përkthyera në gjuhën shqipe, përkthimi i tyre sigurohet nga shërbimi i përkthimit zyrtar.
Procedura për ekstradimin e një shtetasi të huaj
Pas marrjes së kërkesës për ekstradim dhe dokumenteve bashkëlidhur, Ministria e Drejtësisë ia transmeton ato menjëherë Prokurorisë.
Prokuroria e Republikës së Shqipërisë shqyrton nëse kërkesa është paraqitur në përputhje me Nenin 34, të këtij ligji. Kur Prokuroria çmon se kërkesa nuk është e plotë, ajo i kërkon Ministrisë së Drejtësisë të njoftojë autoritetin kompetent të shtetit kërkues për nevojën e plotësimit të kërkesës.
Kur shteti kërkues paraqet një dosje të plotë ekstradimi, ajo i përcillet menjëherë gjykatës për vendim.
24 Tetor 2009