E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e humbur çekë, 100 mijë dollarë për atë që jep informacione



Policia e Shtetit ka vendosur një shpërblim prej 100 mijë dollarësh për informatorin që do t’i çojë hetuesit në gjetjen e tre studentëve çekë, të cilët u zhdukën në Veri të vendit tetë vjet më parë. Me anë të një deklarate, Policia e Shtetit ka bërë të ditur sot se po vazhdojnë hetimet për gjetjen e tre studentëve çekë dhe për çdo informacion që çon në gjetjen e tyre në dispozicion të qytetarëve është vendosur shuma 100 mijë dollarë. “Strukturat e hetimit të krimit në Policinë së Shtetit vazhdojnë hetimet intensive lidhur me gjetjen e tre studentëve çekë të humbur (zhdukur) në vendin tonë në verë-vjeshtën e vitit 2001", - deklaroi Policia e Shtetit. Në këtë kontekst, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha se kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe në veçanti të banorëve në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe, Tropojë dhe Pukë, për të dhënë informacione të vlefshme për prezencën e studentëve çekë në këto zona, kryesisht në komunat Shalë, Shosh, Pult, Shllak, Postribë, Temal, vende ku ka qenë dhe itinerarin i lëvizjes së studentëve çekë në vendin tonë”, - thuhej në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Viktimat
Mihal Pavelka ishte i moshës 23 vjeç, me flokë të ndritshëm, ngjyrë kafe dhe të shkurtër, sy ngjyrë blu, i gjatë 1 m e 90 cm, me trup të hollë. Jan Pavelka ishte i moshës 22 vjeç, me flokë kafë në gri, të prerë shkurt, sy ngjyrë kafë, i gjatë 1 m e 85 cm, mbante syze. Lenka Tuçkova ishte e moshës 23-vjeçare, me flokë kafë, të drejtë, të gjatë deri në shpatulla, sy ngjyrë blu dhe e gjatë 1 m e 75 cm. Policia e Shtetit tha se ka vënë në dispozicion të qytetarëve dy numra telefoni: 129 dhe 0428098. Sipas policisë, informatori që çon në gjetjen e sigurt të tre çekëve do të shpërblehet me 100 mijë dollarë dhe do të mbetet anonim.
Zhdukja
Mihal Pavelka, Jan Pavelka dhe Lenka Tuçkova janë tre studentët çekë, të cilët u zhdukën në zonën malore të Dukagjinit, vjeshtën e vitit 2001. Ambasada Çeke i bëri një kërkesë zyrtare Policisë shqiptare për të nisur kërkimet, me qëllim gjetjen e tyre. Policia nisi menjëherë kërkimet në çdo skaj të Dukagjinit, por pa rezultat. Dështimi i policisë detyroi një ekspeditë kërkimi nga Çekia të mbërrijë në Dukagjin për të gjetur të humburit, por njësoj si Policia shqiptare, edhe ata dështuan. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, në atë kohë pohoi se tre vitet e fundit, forca të shumta të Policisë kanë kërkuar çdo "pëllëmbë" në malet e Dukagjinit. Gjithashtu, ditët e fundit, policia ka përqendruar kërkimet për gjetjen e tre studentëve çekë në komunat Shalë, Shosh, Pult, Shllak, Postribë, Temal, vende ku ka qenë dhe itinerari i lëvizjes së tyre. E tashmë që duket thuajse e pamundur të gjendet ndonjë shenjë e tyre, e vetmja shpresë për policinë mbetet bashkëpunimi i komunitetit. Për informuesin e saktë të vendndodhjen apo fatin e tre studentëve është premtuar edhe një shpërblim i madh që arin deri në 100 mijë USD.

E keqtrajtonte bashkëshorti, lë shtëpinë bashkë me fëmijët

Denoncon bashkëshortin se e keqtrajtonte, largohet nga banesa bashkë me fëmijët. Ngjarja ndodhi dje kur 43-vjeçarja L. Neziri, banuese në Pukë, është paraqitur në Komisariatin e Policisë të këtij qytetit dhe ka bërë kallëzim ndaj bashkëshortit të saj I. Neziri, 56 vjeç, pasi kanosej dhe keqtrajtohej fizikisht në mënyrë të vazhdueshme prej tij. Fill pas regjistrimit të kallëzimit policia bëri të mundur shoqërimin e bashkëshortit të saj në ambientet e Komisariatit të Policisë. Ndërkohë, pasi policia kreu të gjitha veprimet e duhura duke i dhënë ndihmën në rrugë ligjore, 43-vjeçarja L. Neziri, bashkë me fëmijët e saj, është larguar nga banesa ku jetonte dhe aktualisht ndodhet në një qendër sociale në qytetin e Shkodrës. Materialet në ngarkim të 56-vjeçarit I. Neziri i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, në gjendje të lirë, për veprën penale të “kanosjes”.

Hoxha i arrestuar: Jeni keqkuptuar, nuk kam nxitur terrorizmin

“Mesazhet e mia janë keqkuptuar. Nuk kam dashur të bëj aspak thirrje për akte terroriste”. Me një frazë të tillë mësohet të jetë mbrojtur në seancën e djeshme gjyqësore i dyshuari për terrorizëm, Artan Kristo, i cili është arrestuar para pak ditësh nën akuzën e përgatitjes së akteve terroriste. Sipas tij, nuk është e vërtetë se ai ka pasur ndërmend të nxisë akte të tilla apo edhe frymë terroriste, prandaj ka kërkuar që të lirohet nga akuza. Por duket se nuk ka qenë i një mendimi të tillë trupi gjykues, i cili ka vendosur që ndaj tij të vazhdojë masa e sigurisë “arrest me burg”. Artan Kristo u arrestua pak ditë më parë nga policia, i dyshuar edhe më parë për vrasjen e Sali Tivarit, ish-sekretar i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Ai akuzohet se ka kryer veprën penale të “nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllim terroriste”, parashikuar nga neni 232/a i Kodit Penal. Artan Kristo i ka bërë këto thirrje nxitëse në një faqe interneti, adresa e së cilës është albselefet.net, por edhe përmes disa mesazheve telefonike.

Pranga biznesmenit, dhunoi seksualisht 20-vjeçaren

Ndalohet nga policia biznesmeni 40-vjeçar pasi akuzohet për përdhunimin e një 20-vjeçareje. Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë të ditur dje se është arrestuar 40-vjeçari Ilir Perja, banues në Kamzë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur në ngarkim të tij masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale të “kanosjes”, “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” si dhe të “shkaktimit të vetëvrasjes”. Ngjarja për të cilën akuzohet 40-vjeçari ka ndodhur një muaj më parë në lokalin e tij në Kamzë, ku ai ka mbajtur për disa orë një vajzë 20 vjeçe. Nën kërcënimin e pistoletës dhe duke e qëlluar me tytën e armës ai e ka detyruar të renë të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Sipas dëshmisë së vajzës, dhënë në polici, Peraj kishte nxjerrë një pistoletë dhe pasi qëlloi disa herë me qytën e saj 20-vjeçaren, e ka kërcënuar se do ta vriste nëse nuk pranonte të bënte seks me të. Frika nga vdekja duket se detyroi të renë të mos “pyesë” për nderin duke iu bindur tekave seksuale të mesoburrit, i cili nuk ka dashur t’ia dijë për lutjet dhe ngashërimet e vajzës 20 vjet më të vogël se ai. Sipas dëshmisë së 20-vjeçares dhënë në polici, biznesmeni nuk është mjaftuar vetëm me seksin, pasi pas aksit seksual ai ka vazhduar të godasë atë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa kërcënimet me jetë që i bënte për të mos i çuar emrin në polici ishin “refreni” i kësaj skene që zgjati disa orë. Pasi shpëtoi nga duart e “maniakut”, vajza u bind se duhet të kishte qenë më mirë të vdiste dhe se kishte bërë gabim që i ishte lutur agresorit të mos e vriste duke e lënë të bënte seks me të. Mësohet se 20-vjeçarja ka tentuar të vrasë veten pasi u përdhunua. Vetëm pas tentativës së vetëvrasjes e reja u detyrua të tregonte se çfarë i kishte ngjarë ditën e 18 shtatorit, pikërisht katër ditë para se të kryente denoncimin. Policia mundi të kryente ekzekutimin e vendimit të gjykatës ditën e djeshme ndaj 40-vjeçarit Ilir Perja.

24 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›