Aksident tragjik në Prezë, 4 të vdekur, 2 të plagosur
Një aksident i rëndë, i ndodhur në rrugën nacionale pranë Fushë-Prezës, shkaktoi dje një bilanc tragjik. Burime nga Spitali Ushtarak bëjnë të ditur se numri i viktimave ka arritur mbrëmë në katër. Rreth katër orë pas aksidentimit janë identifikuar tre të vdekurit dhe dy të plagosurit e tragjedisë rrugore që ndodhi dje pasdite në dalje të Tiranës, ndërsa përpjekje po bëhen për të identifikuar edhe të vdekurin e katërt. Burime nga policia dhe ekspertiza në Spitalin Ushtarak konfirmuan se të vdekur në aksident kanë mbetur Beqir Hasani, 65 vjeç, drejtues i mjetit tip “Volkswagen” me targa Kosove 201 KS929; Ramush Reshiti, 58-vjeçar dhe bashkëshortja e tij, Hapa Reshiti, 56 vjeçe. Të tria viktimat ishin banorë të komunës së Lubishit në Kosovë. Ndërkohë janë identifikuar dhe 2 të plagosurit, të cilët janë dy djem të rinj 21 dhe 22 vjeç. Të plagosurit janë Dalmian Dode dhe Gert Popa. Për aksidentin e rëndë, në vendngjarje janë angazhuar forcat e policisë dhe ekspertë, të cilët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve, që dyshohet të jetë shpejtësia tej normave të lejuara dhe terreni i rrëshqitshëm. Aksidenti ka shkaktuar bllokim e lëvizjes së mjeteve në të dy anët e rrugës automobilistike.
Aksidenti
Ka qenë shpejtësia e madhe ajo që ka sjellë si pasojë këtë aksident të rëndë. Mësohet se një prej automjeteve ka rrëshqitur për një moment dhe shoferi ka humbur drejtimin duke iu drejtuar në korsinë e kundërt automjetit që vinte përballë, duke shkaktuar tragjedinë e rëndë. Policia vetëm sa ka marrë të dhënat dhe gjeneralitetet e dy personave të mbijetuar pa pasur mundësinë për t’i pyetur në detaje mbi rrethanat në të cilat ndodhi ky aksident i rëndë. Dje, dy të mbijetuarit iu nënshtruan një trajtimi mjekësor si pasojë e plagëve të marra. Nga ana e saj policia ka bërë matjet dhe ripozicionimin e dinamikës së ngjarjes për të kuptuar më tepër mbi shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik. Në ditët në vazhdim policia do të kryejë dhe marrjen në pyetje të personave të lënduar nga ky aksident.
Masat
Nga ana e saj, paralelisht, Policia Rrugore ka vazhduar aksionet për ruajtjen e sigurisë në rrugë dhe vetëm dje ka pezulluar 64 leje qarkullimi të automjeteve, pasi shoferët nuk kishin shlyer detyrimet. Ndërkohë që aksioni i rrugorëve ka vazhduar edhe për ndëshkimin e shkelësve të qarkullimit. Policia e Tiranës ka bërë të ditur dje se do të vazhdojë punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta policia po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Kështu, vetëm dje, në qarkun e Tiranës, nga shërbimet e policisë janë vendosur 570 gjoba dhe janë pezulluara 6 leje drejtimi.
24 Tetor 2009