Ekonomiku, përcaktohen kuotat e pranimit dhe tarifat për gjashtë masterat
Jonida Tashi
Vetëm 300 kandidatë do të pranohen në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, për të vijuar studimet Master i Nivelit të Dytë. Qeveria ka miratuar së fundi kuotat e pranimit për secilin prej gjashtë programeve Master i Nivelit të Dytë (MND) që ofron ky fakultet, si dhe tarifën e studimit që do të paguajnë kandidatët. Më konkretisht, shpërndarja e kuotës totale të pranimit për Masterat e Ekonomikut, sipas programeve është: Administrim biznesi 40 kuota; Administrim publik 40 kuota; Financë 60 kuota; Kontabilitet 40 kuota; Marketing 40 kuota; Studime ekonomike evropiane 40 kuota. Ndërsa tarifa e studimit që do të paguajnë kandidatët fitues për të vijuar masterin 1-vjeçar pranë Ekonomikut do të jetë e 100 mijë lekë për secilin prej gjashtë programeve. Të vetmit kandidatë që do të përjashtohen nga pagesa totale e kësaj tarife do të jenë pedagogët e Fakultetit Ekonomik si dhe ata që japin mësim në dy filialet e tij në rrethe, për të cilat fakulteti ofron edhe lehtësira, pasi për raste të tilla ka të drejtë të vendos ulje tarifash.
Konkursi
Pas marrjes së vendimit për kuotat dhe tarifat e studimit, që i hap rrugën procedurave të mëtejshme të aplikimit, tashmë pritet vetëm që drejtuesit e Fakultetit Ekonomik të caktojnë datën e konkursit special të pranimit, pas të cilit do të nisin studimet. Drejtuesit e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranë, njoftojnë të gjithë aplikantët për programin Master se data e provimit dhe lista e kandidatëve që do hyjnë në konkursin e pranimit do të publikohet pas javës së dytë të këtij muaji. Kalimi i këtij provimi është një ndër kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për të vijuar Masterin. Sipas rregullave të vendosura nga fakulteti, aplikantët që do të grumbullojnë pikët më të larta në testin special do të kenë më shumë shanse për nisjen e Masterit. Sakaq, hartuesit e testit special të pranimit në Masterat e Ekonomikut që është i njëjtë për të gjashtë programet, kanë përcaktuar pikët maksimale që duhet të marr një kandidat konkurrues në provim.
Pikët
Specialistët e Ekonomikut kanë vendosur që pikët maksimale që duhet të ketë një kandidat për t’u pranuar në Masterat e këtij fakulteti të jenë 100. Pjesën më të madhe të këtyre pikëve do ta ketë testi special i pranimit, i cili është vlerësuar me 60 pikë. Ndërsa dy komponentët e tjerë që do të plotësojnë pikët totale të pranimit do të jenë mesatarja e fakultetit, si dhe intervista e kandidatit. Mesatarja e diplomimit, e cila duhet të jetë mbi notën tetë do të vlerësohet me 25 pikë. Sipas kësaj logjike, pikët maksimale për mesataren do t’i marrin vetëm aplikantët që kanë mesataren më të lartë, ndërsa llogaritja e pikëve të mesatares për të gjithë aplikuesit e tjerë do të jetë në rend zbritës. Me prioritet për të vazhduar Masterin në Fakultetin Ekonomik do të shihet edhe intervista që do të zhvillohet me secilin aplikant dhe që do të vlerësohet me 15 pikë. Po ashtu, dosjet e aplikantëve të dorëzuara në zyrën e masterave do të kenë peshën e tyre specifike për t’u përzgjedhur ose jo fitues.
Kriteret e pranimit
Aplikantët e programit Master pranë Ekonomikut duhet të kenë një diplomë universitare dhe njohuri të mira në Matematikë, Statistikë, Anglisht dhe Informatikë. Ata duhet të plotësojnë një formë aplikimi të shoqëruar me dokumentet e mëposhtme:
Dëshmi të gjuhës Angleze nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ose TOEFL
Diplomë nga një universitet brenda ose jashtë vendit
Dy letra rekomandimi nga persona të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të aplikantit. Të paktën njeri nga rekomanduesit duhet të ketë një titull ose gradë shkencore
Lista e notave që ai ka marrë gjatë studimeve universitare ose pasuniversitare
Taksa e aplikimit
Taksa e aplikimit dhe ajo e ndjekjes së kursit përcaktohet nga Bordi i Masterave
Testi special në shifra
100 pikë në total do të ketë testi special i pranimit
60 janë pikët maksimale që duhet të marr një kandidat
25 pikë do të jenë për mesataren që duhet të jetë mbi 8
15 pikë do të vlerësohet intervista e kandidatëve
Kuotat e pranimit dhe tarifat
MND në programin e studimit Administrim biznesi 40 kuota
MND në programin e studimit Administrim publik 40 kuota
MND në programin e studimit Financë 60 kuota
MND në programin e studimit Kontabilitet 40 kuota
MND në programin e studimit Marketing 40 kuota
MND në programin e studimit Studime ekonomike evropiane 40 kuota
Tarifa e studimit do të jetë e njëjtë për të gjashtë programet Master, 100 mijë lekë
24 Tetor 2009