Sekuestrim pasurisë që nuk justifikohet me të ardhurat
Laureta Rryçi
Ministria e Drejtësisë përfundon draftin e ri sipas të cilit nuk do t'i nënshtrohen verifikimit të pasurisë vetëm personat që kanë kryer një vepër të rëndë penale, por të gjitha ata që nuk e justifikojnë atë pasuri me të ardhurat e tyre. Kjo procedurë e verifikimit të pasurisë do të ndiqet nga një seksion i posaçëm pranë Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Do të jetë kjo e fundit që do të përballet me individin apo shoqërinë në Gjykatë, gjatë kërkesës për sekuestrim apo konfiskim të pasurisë. Projektligji ka zgjeruar dhe numrin e veprave penale për të cilat prokurorit i lind e drejta të bëjë kërkesë për sekuestrim. Në ndryshimet e reja do të përcaktohet qartë që çdo person i ndjekur penalisht për një vepër penale si trafik i drogës, do t'i verifikohet e sekuestrohet pasuria e vënë jo vetëm që nga momenti i arrestimit e më pas, por edhe para fillimit të ndjekjes së tij penale nëse provohet që është vendosur në mënyrë të paligjshme. Përveç këtyre ndryshimeve, në draftin e ri pritet të përcaktohen edhe kompetencat lëndore të gjykimit të këtyre çështjeve për sekuestrim e konfiskim të pasurisë, duke përcaktuar qartë edhe nga sa gjyqtarë duhet gjykuar një dosje sekuestrimi apo konfiskimi. Rrethi i personave të lidhur me personin e dyshuar janë përfshirë personat e afërm (bashkëshortit, fëmijëve, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka. Në këtë rreth për herë të parë janë edhe personat fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, a janë përdorur, kanë lehtësuar apo në një formë kanë ndikuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme nga personat e lartpërmendur. Sipas projektligjit, masat parandaluese mund të kërkohen dhe ndaj trashëgimtarëve të personit, subjekt i zbatimit të këtij ligji, por, në çdo rast, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes.
Rastet e sekuestrimit
Hartuesit e Ministrisë së Drejtësisë kanë përcaktuar që Gjykata, me kërkesë të prokurorit, vendos sekuestrimin e pasurive në rastet kur: ekziston një rrezik real dhe konkret për humbjen, përvetësimin ose tjetërsimin e fondeve, të pasurive dhe të të drejtave të tjera, për të cilat parashikohet zbatimi i masës së konfiskimit. E njëjta kërkesë është e vlefshme edhe kur ka të dhëna të mjaftueshme për të gjykuar se zotërimi i pasurive dhe ushtrimi i veprimtarive ekonomike, tregtare dhe profesionale të caktuara gjendet në kushte kërcënimi ose ndikimi nga organizata kriminale apo në kushte, të tilla që mund të lehtësojnë veprimtarinë e personave të dyshuar. Në këtë rast, gjykata urdhëron pezullimin e përkohshëm të administrimit dhe të disponimit të pasurive.
Procedura
Prokurori paraqet kërkesën për sekuestrimin e pasurisë brenda 3 muajve nga dita e nesërme e shpalljes së sekuestrimit ose e vendimit, që ka vendosur zgjatjen e afatit. Mosparaqitja e kërkesës sipas pikës 1 të këtij neni, passjell shuarjen e masës së sekuestrimit. Megjithatë, shuarja e sekuestrimit nuk pengon paraqitjen dhe pranimin e kërkesës për konfiskimin e pasurisë.
Kërkesa për sekuestrimin e pasurive shqyrtohet nga gjykata në prani të prokurorit, brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, në bazë të dokumenteve të paraqitura prej tij. Masa e sekuestrimit është e vlefshme për një periudhë gjashtëmujore, duke filluar nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit. Në rastin e hetimeve të ndërlikuara, me kërkesën e prokurorit, gjykata mund të vendosë zgjatjen e afatit të zbatimit të masës së sekuestrimit për periudha tremujore, por jo më shumë se një vit nga data e mbarimit të afatit të masës së sekuestrimit, të shpallur sipas pikës 4, të këtij neni. Gjykata, në vendimin e saj, cakton nga lista e ekspertëve të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara edhe një a më shumë administratorë, duke respektuar, për aq sa janë të zbatueshme, dispozitat e këtij ligji. Kur masa e sekuestrimit caktohet kundër pasurive të paluajtshme ose pasurive të regjistruara në regjistra publikë, administratori i emëruar bën njoftimin e kësaj mase në zyrat, pranë të cilave mbahen këta regjistra, brenda 15 ditëve nga data e shpalljes së vendimit.
24 Tetor 2009