Akademia e Shkencave nënshkruan bashkëpunime
Pas debateve të mëdha e zgjedhjeve të reja, duket se Akademia e Shkencave ka rënë në qetësi. Të vetmet njoftime që vijnë janë për nënshkrimin e ndonjë marrëveshjeje bashkëpunimi. Marrëveshja e radhës ka qenë me Universitetin Ndërkombëtar të Strugës (Maqedoni). Për palën shqiptare, marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, ndërsa përfaqësues i Universitetit të Strugës ishte rektori Lisen Bashkurti. Marrëveshja parashikon shkëmbim të kuadrit akademik për mbajtjen e leksioneve, organizimin dhe ndihmën reciproke për aktivitetet shkencore, veprimtari të përbashkëta promovimi dhe publikimi, bashkëpunim për ideimin dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore dhe arsimore, pjesëmarrje në programet dhe projektet arsimore-shkencore të organizuara dhe financuara nga Bashkimi Evropian dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, shkëmbim të botimeve të dy institucioneve, si dhe zhvillimin e konferencave të përbashkëta shkencore, simpoziumeve, seminareve etj. Marrëveshja do të zbatohet për një afat kohor trevjeçar, respektivisht në tri vitet e ardhshme akademike, duke filluar nga viti akademik 2009/2010.