Thaçi po tenton ta privatizojë liberalizimin e vizave, sipas opozitës

Kreu i ekzekutivit të vendit të martën në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se brenda disa ditësh do të hapet dialogu për liberalizimin e vizave, ndërkaq të mërkurën përfaqësuesit e opozitës, thonë se edhe nëse jepet udhërrëfyesi, do të jetë vështirë të arrihet liberalizimi për shkak të keqmenaxhimit të vazhdueshëm të Qeverisë.
Opozita vlerëson po ashtu se kryeministri Thaçi po synon ta privatizojë gjithë procesin e liberalizimit të vizave.
Përderisa përfaqësuesit e opozitës thonë se dëshira e Qeverisë së Kosovës është që të përvetësojë çdo zhvillim pozitiv në Kosovë, përfaqësuesit e pozitës thonë se një ditë opozita do të thotë se Qeveria dhe PDK-ja e kanë përvetësuar edhe ajrin e Kosovës.
I pyetur për optimizmin e kryeministrit Thaçi për liberalizimin e vizave, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe kreu i saj shpesh janë optimistë edhe atëherë kur nuk ka aspak vend për një optimizëm të tillë.
“Edhe nëse ndodh që të merret ky udhëzues, kemi vështirësi shumë të mëdha që të arrihet ajo që e dëshirojmë të gjithë, sepse kemi keqmenaxhim të vazhdueshëm në shtetin tonë”, ka thënë Beqiri.
Sipas Beqirit, kryeministri dhe Qeveria e Kosovës përpiqet që të përvetësojë gjithë këtë proces, por ai ka thënë se nëse është meritor për liberalizimin e vizave, kryeministri është meritor edhe për shkallën e korrupsionit.
“Nëse e pyetni a është meritë e juaja për fitim të udhëzuesit për liberalizim të vizave, atëherë duhet pyetur a është meritë e kryeministrit për shkallën e lartë të korrupsionit, mungesë të sundimit të ligjit, sepse njëra pa tjetrën nuk shkojnë bashkë. Nëse je meritor për diçka pozitive, je meritor edhe për shumëçka negative”, ka thënë Beqiri.
Edhe Burim Ramadani nga AAK-ja konsideron se Qeveria duhet t’i marrë meritat për vonesat që i ka shkaktuar në këtë proces nga viti 2009.
“Nëse dëshiron Qeveria të përvetësojë diçka, duhet të përvetësojë vonesën tepër të madhe që i ka shkaktuar Kosovës se e dimë që në vitin 2009 është propozuar për herë të parë, ose është rekomanduar që të ketë dialog për liberalizim të vizave dhe kjo nuk ka ndodhur për shkak të Qeverisë”, ka thënë Ramadani.
Ai ka shfaqur shpresën që Bashkimi Evropian do të ‘mbyllë njërin sy’ dhe t’i japë Kosovën udhëzuesin për liberalizimin e vizave.
Ndërkaq, Rexhep Selimi nga Vetëvendosja thotë se është optimist për fillimin e shpejtë të dialogut, por për këtë, sipas tij, meritat nuk i ka Qeveria, po qytetarët e Kosovës.
“Optimistë kemi edhe ne se liberalizimi i vizave do të ndodhë për Kosovën, jo vetëm për faktin e kontributeve që ka dhënë Qeveria në këtë drejtim, por gjithsesi për shkak se Kosova nuk mund të vazhdojë edhe praktikisht të jetë një vend i izoluar ndërkohë kur të gjitha vendet e rajonit, disa e kanë kryer këtë problematikë e disa janë në proces të kryerjes. Liberalizimi i vizave do të ndodhë patjetër për Kosovën, sepse kosovarët e meritojnë këtë, jo pse Qeveria e ka mundësuar një gjë të tillë”, ka thënë Selimi.
Përgjigje për opozitën ka dhënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.
“Opozitën ndoshta një ditë do ta dëgjojmë se Qeveria, gjegjësisht Partia Demokratike e Kosovës po e përvetëson edhe ajrin e Kosovës”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës, ka qenë, është dhe do të mbetet në shërbim të interesave të qytetarëve të Kosovës, ndërsa meritat, sipas tij, u takojnë të gjithëve, përfshi edhe opozitës.
“Meritat normalisht se i takojnë atij që punon më së shumti, por merita për neve është e gjithë qytetarëve të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës dhe asnjë institucion tjetër në nivel vendi nuk do të mund të korrte suksese, të jepte rezultate, sikur mos të mbështetej nga gjithë qytetarët e Kosovës. Prandaj, të gjitha këto të arritura janë meritë e qytetarëve të Kosovës, pa përjashtim, duke përfshirë këtu edhe anëtarësinë e opozitës, për të cilën ne kemi respekt dhe e vlerësojmë”, është shprehur Grabovci.
Kryeministri Thaçi të martën para kabinetit qeveritar, teksa ka përshëndetur konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian të cilat pritet të konfirmohen në Samitin e BE-së më 9 dhjetor, ka thënë se në këto konkluza përfshihet agjenda e qartë evropiane e Kosovës, fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave brenda këtij viti, fillimi i marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me BE-në dhe zotimi i Këshillit të Ministrave të BE-së për mbështetjen e plotë për anëtarësim të Kosovës në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim Evropian. /kosovapress/