Akademia, rishikim përparësive strategjike
Dr. Irena Nikaj*
E mbështes vullnetin dhe vizionin përparimtar të riorganizimit të shkencës shqiptare dhe bashkë me të edhe të institucionit udhëheqës të saj, Akademisë së Shkencave. Duke vlerësuar pikëpamjet e mendimtarëve vizionarë që kanë shfaqur platformën e tyre për strukturimin modern të shkencës shqiptare, do të sillja disa pikëpamje të miat në lidhje me këtë debat. Shkenca shqiptare, së pari, do të duhej të orvatej, që të bënte një pamje të përgjithshme të asaj që ka arritje të vetat, dhe të ndërtonte përparësitë strategjike të së ardhmes.
Përparësitë strategjike
Çfarë do të sugjeronim më tej: Shkenca shqiptare të përpiqet të dalë nga bataku i inferioritetit dhe të ndërtojë një grup drejtimesh strategjike që sintetizojnë kërkesat dhe nevojat shoqërore për përparim dhe zhvillim me fushat e kërkimit shkencor. Kjo do të kërkonte që universitetet të udhëheqin seriozisht procesin e edukimit të gjeneratave të reja të shkencëtarëve, të cilët do të formojnë opinionin shkencor dhe akademik, komunitetin shkencor, që ndjek dhe monitoron, por edhe ushqen me frymëzim qëndrime, platforma, ide, institucionet që i përfshijnë dhe i organizojnë ata, posaçërisht Akademinë, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, institucione të specializuara për aplikimin e zbulimeve shkencore dhe përparimit teknologjik, etj.
Misioni i shkencës shqiptare dhe Akademisë së Shkencave do të ishte:
Të zgjerojë kufijtë e njohjes përmes zhvillimit, përhapjes dhe përdorimit të shkencave, shoqërore dhe natyrore, inxhinierike dhe mjekësore, në të mirë të shoqërisë dhe mbrojtjes mjedisore. Prandaj, Akademia do të luante në këtë hapësirë rol kryesor në kalimin nga një komb me alfabet dhe i arsimuar te një komb i edukuar që udhëhiqet nga shkenca dhe përparimi teknologjik, që maksimizon kështu dobinë e njerëzve të vet, por edhe komunitetit të gjerë për rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike. Kjo duhet të sjellë pavarësi të shkencës shqiptare, rritje të nivelit të ekspertizës në fushat themelore, besim se të kuptuarit e botës realizohet mbi bazën e kërkimit dhe progresi vjen kur investohet tek individët më të talentuar dhe të shkëlqyer; më tej, ofron bindje se shkenca është motori kryesor i progresit shoqëror dhe ekonomik, prandaj polikëbërësit shqiptarë duhet të kenë informacion të mjaftueshëm për arritjet më të mira të shkencës sonë. Kjo kërkon që politikëbërësit shqiptarë, sidomos në drejtimin e edukimit dhe shkencës, të mos jenë në fillim të karrierës së tyre si kërkues, por të kenë një përgatitje dhe njohje të kënaqshme shkencore që të mund të udhëheqin me vizion zhvillimin e vendit, të shoqërisë, të kulturës, të mendimit shkencor; gjithashtu do të përfshinim edhe angazhimin për të siguruar se opinioni publik ndihet i aftë dhe i gatshëm të njohë dhe aplikojë shkencën, dhe njerëzit e të gjitha moshave dhe formimeve kanë shanse të mjaftueshme për të realizuar potencialin dhe kapacitetet e tyre duke u mbështetur te përvetësimi i njohurive dhe aftësive të nivelit shkencor.
Kërkimi shkencor
Për të realizuar këtë përparim, unë mendoj se duhet të investohet te shkencëtarët e së ardhmes, në politikëbërjen për të mbështetur shkencën shqiptare, në përfshirjen në edukim të arritjeve më të spikatura shkencore, në bashkëpunimin me qendrat e kërkimit shkencor ndërkombëtar, në frymëzimin e interesit për arritjet dhe besimin te gëzimi, mrekullia, magjia dhe nxitja që përmban në vetvete kërkimi shkencor.
----------------
* Autorja e shkrimit është profesore e asociuar. Nikaj është pedagoge në universitetin “Fan S. Noli” në Korçë
Forum, reformimi i Akademisë së Shkencave
Duke filluar nga ky numër, gazeta hap debatin për reformimin e Akademisë së Shkencave. Edhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhja e strukturave drejtuese të institucionit më të lartë shkencor në vend. Tashmë janë shpallur tri kandidatura për kreun e Akademisë: Apollon Baçe, Gudar Beqiraj dhe Kolec Topalli. Të tre këta akademikë janë personalitete në fushat e tyre: arkeologji, informatikë dhe gjuhësi. Madje janë shpallur edhe platforma për drejtimin e Akademisë. Gazeta ka ftuar për të marrë pjesë në debat disa prej personaliteteve shkencore në vend, me idenë që zgjedhja e kryetarit të ri të ASH-së të mos mbetet një proces i izoluar, të mos jetë thjesht një votim në strukturat e saj, por të nxisë ide dhe debate për një Akademi që t’i shërbejë realisht vendit përmes përhapjes së ideve dhe politikave që nxisin mendimin shkencor në veçanti dhe ndikojnë në zhvillimin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi.
Në këtë aspekt, gazeta mirëpret opinionet, qoftë të palëve të përfshira drejtpërsëdrejti në proces, qoftë të personaliteteve të botës akademike, shkencore apo universitare. Ju mund të na shkruani në adresën: kryeredaktoralbania@yahoo.com, ose në numrin e telefonit: +35542229243
3 Shkurt 2009