KESH: Konsumi ditor i energjisë ka arritur në 20.5 milionë kw/h
Konsumi ditor i energjisë elektrike nga konsumatorët në të gjithë vendin në ditët e fundit ka arritur në 20.5 milionë kilovatë/orë. "Prodhimi ditor i energjisë elektrike nga HEC-et arrin në 16.5 milionë kw/h në ditë, ndërsa importohen 4 milionë kw/h në ditë", - thanë të shtunën burime zyrtare nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Vihet re se krahasuar me nivelin e konsumit të energjisë në ditët e para të këtij muaji, që arrinte në 22 milionë kw/h në ditë, sot konsumi i energjisë ka pësuar një rënie prej 1.5 milionë kw/h në ditë.
Gjithashtu, burimet nga KESH-i bënë të ditur se situata hidrike në liqenet e HEC-eve mbi Drin paraqitet e mirë si pasojë e shkrirjes së dëborës, reshjeve të dendura të shiut gjatë ditëve të fundit, por dhe mirëmenaxhimit të kaskadës së HEC-eve. Niveli i liqenit në Hidrocentralin e Fierzës gjatë ditës së shtunë arriti në 289.35 metra, ndërsa prurjet në 350 m3/sek. Burime nga KESH-i thanë se prurjet në liqenin e Hidrocentralit të Fierzës, krahasuar me javën e parë të muajit janar, janë dyfishuar si pasojë e reshjeve të dendura të ditëve të fundit dhe shkrirjes së dëborës. Prurjet e ujërave janë rritur gjithashtu edhe në liqenin e HEC-it të Komanit duke arritur 180 m3/sek, ndërsa në Vaun e Dejës në 120 m3/sek.
Leku dobëson euron pas uljes së interesit nga Banka e Shqipërisë
Leku ka filluar të dobësojë euron për herë të parë pas uljes së interesit nga Banka e Shqipërisë. Megjithatë, euroja nuk ka shënuar rënie të madhe gjatë kësaj jave që lamë pas, sepse është shitur me 125.5 lekë dhe është blerë me 126.2 lekë. Ndërkohë, monedha shqiptare po humb vlerën kundrejt dollarit amerikan dhe paundit britanik. Edhe pse ka kohë që dollari po paraqet një destabilitet në bursën ndërkombëtare dhe tregun e këmbimit valutor shqiptar, ka rreth dy javë që këmbehet në vlera të larta dhe normale. Dollari blihet me 97.5 lekë dhe shitet me 98.3 lekë. Monedha, e cila po vazhdon që të forcohet që në fillim të vitit 2009, është paundi, ku gjatë javës që vjen monedha përfaqësuese e Mbretërisë së Bashkuar mendohet të shitet nga 140.8 me 141.4 lekë. Ekspertët e ekonomikë shprehen se një dobësim i mundshëm i monedhës së përbashkët europiane është i pritur por në vazhdim ende nuk dihet në qoftë se euro do të vazhdojë të dobësohet, pasi në efektet e krizës ekonomike botërore monedha më e sigurt shihet euroja, kjo edhe nga shqiptarët.
3 Shkurt 2009