E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: “Të ardhurat nga emigrantët pritet të shterin këtë vit prej krizës”

Sipas BSH-së, remitancat janë sektori i parë që do të preken. Në 11 muaj të 2008-s, remitancat u rritën 1.1% më shumë se në vitin 2007

Ervin Koçi

Të ardhurat nga emigracioni do të reduktohen në maksimum këtë vit, duke e futur ekonominë e vendit tonë në një situatë shumë të vështirë që do të ndikojë në proces zinxhir në të gjithë sektorët e saj. Këtë paralajmërim e japin ekspertët e ekonomisë, të cilët thonë se sektori i remitancave do të jetë një prej sektorëve kryesorë që këtë vit do të ndiejë pasojat e krizës globale financiare. Ata e lidhin këtë jo vetëm me pasigurinë që kanë emigrantët për të dërguar apo investuar para në Shqipëri, por edhe me faktin e reduktimit të vendeve të punës në shtetet ku ata punojnë e jetojnë. Sipas tyre, ky sektor mbetet i ekspozuar ndaj "goditjeve" të ambientit ekonomik botëror, çka pritet të reflektojë rënie edhe të remitancave (paratë nga emigracioni) dhe shtrëngim të kushteve të financimit. Nga të dhënat, vetëm gjatë 11 muajve të vitit 2008, remitancat u vlerësuan në rreth 947 milionë euro, ose vetëm 1.1 për qind më shumë se një vit më parë (2007). Kjo gjë është konfirmuar edhe në raportin më të fundit të Bankës së Shqipërisë mbi "Stabilitetin financiar". BSH-ja bën të ditur se ndikimi i pritur potencial i këtyre faktorëve do të materializohej në një rritje ekonomike më të ngadaltë gjatë vitit 2009. Sipas BSH-së, një rritje më e ulët ekonomike nuk përkthehet domosdoshmërisht në krizë për Shqipërinë, por është një zhvillim i përkohshëm i diktuar nga faktorë të jashtëm. Sipas BSH-së, rreth 26 për qind e familjeve shqiptare përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët. Shpërndarja gjeografike e familjeve tregon se 59 për qind e tyre jetojnë në zonën rurale dhe diferenca në zonën urbane, duke përftuar respektivisht rreth 66 dhe 34 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët. Dërgesat nga emigrantët përbëjnë komponentin më të rëndësishëm në të ardhurat mujore të familjes në zonën rurale, duke përfaqësuar rreth 40 për qind të saj.

Pasojat e krizës

Megjithëse jemi konsideruar si një vend në zhvillim dhe jashtë mundësive për t’u prekur nga pasojat e shpejta të krizës ekonomike botërore, vendi muajt e fundit ka nisur të ndiejë pasojat e para. Shtrenjtimi gradual i çmimeve, sidomos për artikujt e konsumit, rritja e inflacionit dhe zhvlerësimi gradual i lekut në tregun e shkëmbimit valutor, rënia e të ardhurave të emigrantëve, si dhe ngërçi që po ndien ekonomia, sidomos në sektorët më kyçë të saj, janë tregues të qartë se po prekemi nga kriza. Por përveç këtyre pasojave të para, disa prej sektorëve që gjenerojnë të ardhura më shumë për ekonominë e vendit, si turizmi, bujqësia, eksportet, por dhe sektori imobiliar (shitblerja e pronave të patundshme), kanë nisur të preken muajt e fundit nga këto pasoja. Ekonomia shqiptare po përballet me rënie të investimeve, ulje të dërgesave të emigrantëve, por dhe me rënien e të ardhurave nga tatimet dhe doganat. Këtë situatë e ka ndier edhe tregu bankar në vend, që, megjithëse fillimisht iu përgjigj me qëndrueshmëri rreziqeve fillestare të tregut bankar botëror, tani po përballet me pasojat e para. Rënia e nivelit të kredimarrjes dhe e depozitave bankare kanë qenë dy shkaqet e para të kësaj krize globale që janë ndier në sistemin bankar shqiptar. Kjo gjë, sipas ekspertëve të BSH-së, “mund të shoqërohet në të ardhmen me rritjen e portofolit të kredive me probleme, por edhe me uljen e kreditimit të ekonomisë nga vetë bankat, të cilat, të pasigurta dhe të pazonjat për të mbledhur likuiditet, do të shtrëngojnë normat e sigurisë dhe do të rrisin përqindjet e interesave”.

Kriza imobiliare

Një ulje drastike të shitjeve të pasurive të paluajtshme paraqet një numër i madh agjencish imobiliare në Tiranë, të cilat, sipas tyre, rrezikojnë të mbyllen. Sipas një shifre mesatare, shitjet gjatë këtij viti deri tani kanë arritur në masën 50 për qind, pra gjysma e pikësynimeve të vendosura në janar të këtij viti. Ulja e interesit të emigrantëve për të blerë shtëpi gjatë këtij viti është mjaft shqetësuese. Në krahasim me tre vitet e shkuara, këtë vit kemi një ulje të ndjeshme të kërkesës së emigrantëve për shtëpi në zonat e Tiranës. Sipas administratorit të një agjencie imobiliare në Tiranë, kjo vjen si pasojë e krizës ekonomike që ka pushtuar vendin e tyre. Mossjellja e parave nga emigrantët është ndier shumë në tregun vendas. Shumë prej këtyre agjencive nuk kishin kërkesa fare për të blerë apartamente në Shqipëri deri sot. Faktor tjetër që ka ndikuar natyrisht si te konsumatori shqiptar, ashtu edhe tek ai i huaj, është një rritje e madhe e çmimeve që kanë pësuar apartamentet edhe në zonat më periferike. Në këto zona, në qoftë se e krahasojmë me vitet e kaluara, çmimi është rritur nga 300 euro/m2 në 550 euro/m2. Kjo natyrisht që ka ndikuar në uljen e kërkesës për këto pasuri.

Kriza në turizëm

Sektori i turizmit do të jetë një tjetër sektor kyç i ekonomisë së vendit, që, përveç sektorit të ndërtimit dhe atij bankar, pritet të preket që këtë vit nga kriza ekonomike botërore. Kjo gjë, sipas ekspertëve, do të lidhet ngushtë me fluksin e ardhjeve për festat e fundvitit të emigrantëve shqiptarë. Shumë prej tyre, edhe pse janë pajisur me lejeqëndrimi në vendet rezidente, - sipas ekspertëve, - mund të mos preferojnë të vijnë në Shqipëri për shkak të të ardhurave të pakta, të kostove të udhëtimit, por dhe për shkak të prezumimit (zënies) të vendeve të punës, të cilat janë kthyer në mjaft tranzitore ose provizore dhe të pasigurta. Kjo gjë do të ndikonte direkt në nivelin e fluksit turistik vjetor në vendin tonë dhe në të ardhurat që regjistrohen prej këtyre hyrjeve. Ekspertët ndërkombëtarë sqarojnë se këtë vit që vjen tregu turistik botëror do të jetë njëri prej sektorëve ekonomikë globalë që do të preket nga pasojat e krizës ekonomike. Ata shtojnë se të vetmet që do të përfitojnë do të jenë vendet që do të bëjnë investime në sektorin turistik, por dhe që do të luajnë një politikë mjaft favorizuese përsa u përket ofertave të pushuesve dhe rritjes së shërbimeve.

Shkurt///////////////////////
Tregu valutor, euro fiton vetëm 1 pikë ndaj lekut në dy javët e fundit

Monedha europiane euro gjatë javës së fundit ka qenë e qëndrueshme në këmbimet valutore ndaj lekut. Sipas vëzhgimeve të kryera, gjatë dy javëve të fundit në tregun valutor, euro ka fituar vetëm 1 pikë në këmbimet ndaj lekut. Para dy javësh, 1 euro blihej me 124,7 lekë dhe shitej me 125,2 lekë, ndërsa dje (2 shkurt) një euro blihej me 125,6 lekë dhe shitej me 126,1 lekë. Në agjencitë e këmbimit valutor, më 5 janar një euro u ble me 123,3 lekë dhe u shit me 123,8, ndërsa brenda javës euro pati një forcim paksa të lehtë.

Sektori i industrisë së ushqimeve nis të preket nga kriza

Sektori i industrisë së ushqimeve nis të preket nga kriza globale pasi sa vjen e më tepër ka rënie të shitjeve apo të kërkesës nga blerësit. Përfaqësuesi i Konfederatës së Industrive, Gjergj Buxhuku, tregon se janë disa sektorë që ka prekur kriza, por ndikimi i saj te karburantet dhe energjia elektrike ka ndikuar pozitivisht, pasi ka ulur koston e prodhimit të disa produkteve. Reflektimi i krizës në Shqipëri shihet te ulja drastike e çmimeve të drithërave, ulja e vlerës së lëndëve të para, që figuron si faktori i dyfishtë, edhe pozitiv, edhe negativ, ulja e eksporteve tradicionale etj. Bizneset shqiptare preken në mënyrë indirekte nga kriza globale. Shkak për këtë bëhet kërkesa për tregje të reja nga bizneset e huaja që janë rrezikuar nga kriza botërore. Shumë sektorë të vendit tonë kanë pësuar rënie këtë vit si pasojë e krizës globale. Eksportet, sektori i ndërtimit dhe turizmi mendohet që të jenë më të prekurit.

3 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›