E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza financiare bashkon guvernatorin e Bankës së Shqipërisë me atë të Greqisë



Në datat 29-30 janar 2009, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, zhvilloi një vizitë pune pranë Bankës së Greqisë. Kjo vizitë zhvillohej në kuadër të shkëmbimit të informacionit dhe eksperiencës në fushën e mbikëqyrjes bankare. Gjatë vizitës, Guvernatori Fullani u takua me Guvernatorin e Bankës së Greqisë, George A. Provopoulos. Takime janë zhvilluar edhe me zëvendësguvernatorët e Bankës së Greqisë, Panayotis Thomopoulos dhe Helen Dendrinou-Louri, si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të kësaj banke. Në këto takime u diskutua mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar në Shqipëri dhe Greqi, si dhe u theksua mundësia e zhvillimit të projekteve të përbashkëta rajonale në fushën e mbikëqyrjes bankare. Dy guvernatorët kanë zhvilluar takime edhe me drejtorët ekzekutivë dhe përfaqësues të tjerë të bankave tregtare greke që operojnë në Shqipëri. Gjatë këtyre takimeve u konkludua: “Perspektivat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare janë pozitive, në kontekstin e zhvillimeve të ekonomisë globale dhe të shumë vendeve të rajonit. Sistemi bankar shqiptar paraqitet i shëndetshëm, në drejtim të treguesve të likuiditetit, të performancës financiare dhe të kapitalizimit. Ai gëzon të gjitha potencialet për të financuar rritjen e mëtejshme ekonomike të vendit. Stabiliteti makroekonomik i vendit dhe lehtësimi i kushteve monetare nga BSH-ja janë një shtysë e mëtejshme në këtë drejtim”. Ky konkluzion u mbështet edhe nga përfaqësuesit e sistemit bankar grek, të cilët operojnë në Shqipëri.

3 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›