E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, mbërrijnë pranë minibashkive listat e personave pa pasaportë



Ministria e Brendshme ka dorëzuar pranë njësive bashkiake listën e personave që nuk janë të pajisur me pasaportë. Për këtë kategori qytetarësh ishte premtuar se do të kishin prioritet për pajisen e menjëhershme me karta identiteti, me të cilat do t’u drejtoheshin kutive të votimit. Rregullorja parashikon që të gjithë qytetarët që nuk disponojnë një pasaportë, brenda datës 10 shkurt do të njoftohen nga njësitë vendore nëpërmjet një formulari të veçantë. Kështu, duke filluar që nga dita e martë, njësitë bashkiake do të identifikojnë çdo banor që nuk është pajisur me pasaportë dhe do t’i dorëzojnë formularin. Më pas, ata do të njoftohen nga njësia përkatëse për të kryer aplikimin brenda muajit shkurt. Burime nga njësitë vendore pohojnë se numri i qytetarëve që nuk disponojnë pasaporta është i lartë dhe pajisja me letërnjoftim është e domosdoshme. Burime nga Ministria e Brendshme sqarojnë se statistikat tregojnë se aktualisht në vendin tonë ka rreth 730 mijë persona që nuk disponojnë pasaporta. Autoritetet e konsiderojnë një shifër tepër të lartë të qytetarëve që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të pajisen me pasaportë. Ndërkohë, në zyrat e gjendjeve civile, pranë minibashkive në Tiranë, ende nuk ka filluar shpërndarja e kartave të identitetit. Kjo është java e tretë që nga fillimi i aplikimit të qytetarëve të Tiranës për kartat e identitetit. Ndërsa premtimi i bërë nga qeveria ishte se pajisja me karta do të fillonte që pas javës së dytë të aplikimit.

3 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›