Nano: Do i kthehem PS-së, s’do ta lë të vazhdojë me lëngatën aktuale

Pas takimit me ambasadorin amerikan në Tiranë, ish-kryesocialisti Fatos Nano jep shenja se e ka kuptuar se konkurrenca për kreun e shtetit është shndërruar në një ëndërr të parealizueshme, prandaj edhe njofton rikthimin në PS, si e vetmja rrugë për ta çliruar atë nga lidershipi uzurpator
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka takuar për herë të dytë të kandidatin e vetëshpallur për postin e Presidentit të Republikës, Fatos Nano. Takimi u takua në një nga lokalet e ish bllokut në Kryeqytet vjen dy ditë para seancës parlamentare, të zhvillimit të raundit të tretë të votimit në Kuvend për presidentin.
Në një prononcim për mediat, Nano ka shprehur bindjen se është optimist se ai mund të zgjidhet si president i vendit. “Në qoftë se ka një garë të lirë dhe të ndershme më lejoni të them se unë jam optimist se do ta fitoj atë”, theksoi ish kryeministri socialist.
Ai ka theksuar se do të vazhdojë kontaktet me përfaqësuesit e rëndësishëm në vend për të shkëmbyer informacione për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
“Do të vazhdojë të njëjtat kontakte me përfaqësues të rëndësishëm për të shkëmbyer çdo informacion të nevojshëm për zgjedhjen e presidentit që përveç reformave jetike për vendin të jetë në dobi të integrimit dhe të shuaj tensionet e pranishme mes palëve politike në vend”.
Duke siguruar se ai do të ishte një president mbi palët, Nano tha se do të largohet nga gara presidenciale në momentin që do të zgjidhet Presidenti i ri i Republikës.
“Unë besoj se një zgjidhje e pranueshme demokratike por edhe një garë mes përfaqësuesve të dy palëve, nëse nuk është i mundur një konsensus i plotë. Ka një konsensus nga mazhoranca për Zaganjorin që nuk përfshin konsesusin e opozitës. Unë do të largohem nga gara në momentin kur do të zgjidhet edhe presidenti i ri”, tha Nano. Lideri i së majtës apeloi që emrat e kandidatëve për postin e kreut të shtetit, të mos kthehen në lojë “kungulleshkash” ndërmjet palëve.
“Kjo nuk besoj se duhet marrë seriozisht, një lojë kungulleshkash që nuk po arritkan dot për kandidaturën time. Çështjet për të cilat po flasim janë më të rëndësishme se interesat që paraqet Rama dhe Meta. Unë jam i vëmendshëm se çfarëdo iniciative të mos shtojë konfliktet, por t’i zgjidhë”, shtoi Nano.
I pyetur nëse nuk kandidohet si President i Republikës do të vazhdonte të ishte në politikë Nano u përgjigj: “Unë jam në politikë, por PS-ja është partia ime e zemrës dhe nëse ajo do vazhdojë të lëngojë siç po vuan unë do të vazhdoj t’i kthehem asaj me gjithë zemër”, tha ai.
Dy raundet e para të votimit janë ezauruar pasi dy palët kryesore politike në vend nuk kanë arritur të çojnë një kandidat konsensual për kreun e ri të shtetit.
Nëse edhe raundi i tretë ezaurohet pa kandidatë, atëherë presidenti i republikës do të zgjidhet në raundin e katërt me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.