E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon financimi i Tunelit të Krrabës, në kulmin e krizës globale

07-06-2012 / Nga Leonard Quku

Miratohet “buxheti faktik i 2011”, i cili mundësoi përfundimin 6 muaj para parashikimit, të tunelit të Krrabës, i cili e bën zonën Durrës-Elbasan, zonën më të madhe industriale të Ballkanit. Në vitin ku kriza e eurozonës po thellohet, është momenti të kujtohet barrikada që Edi Rama ngriti kundër investimeve publike, si e vetmja rrugë për të mbajtur gjallë ëndrrën për pushtet


Tuneli i Kërrabës, pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan, pritet të inaugurohet së shpejti. Deklarata vjen nga kryeministri Sali Berisha, i cili u shpreh dje në mbledhjen e qeverisë, gjatë shqyrtimit të projektligjit për buxhetin faktik të shtetit, të vitit 2011, se vepra që lidh dy qytetet në më pak se 20 minuta, përfundon 6 muaj para afatit në kontratë. Në diskutimin e tij, për projektligjin në fjalë, kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria në vitin 2011 ekzekutoi një buxhet që mbështeti plotësisht në kushtet më të vështira stabilitetin makroekonomik të vendit, rritjen ekonomike të tij, si dhe projektet madhore infrastrukturore, siç është Tuneli i Kërrabës, segment i rëndësishëm i autostradës Tiranë-Elbasan. “Shqipëria në vitin 2011 ekzekutoi një buxhet që mbështeti plotësisht në kushtet më të vështira stabilitetin makroekonomik, rritjen ekonomike të vendit, mbështeti projektet madhore, siç është autostrada Tiranë-Elbasan, tuneli i Kërrabës që do të inaugurohet këto ditë, do të inaugurohet pra, 6 muaj para afatit”, u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i ekzekutivit solli në vëmendje se për miratimin e këtij buxheti, punimet e seancës së Kuvendit zgjatin deri në orën 05:00 të mëngjesit, për të bindur opozitën që të shprehej “pro” draftit dhe “pro” projekteve gjigante infrastrukturore siç është tuneli i Kërrabës që “bashkon” Tiranën me Elbasanin, duke e kthyer këtë të fundit në qytetin më të afërt të metropolit. “Ky buxhet dhe mos harroni kurrë natën, në të cilën qeveria dhe kryeministri i vendit u detyrua të qëndrojë në parlament, për here të parë në historinë e atij parlamenti, deri në orën 5 të mëngjesit për të bindur opozitën që ta votonte dhe ajo nuk ndodhi vetëm e vetëm se këtë sukses nuk duhet ta kishte kjo qeveri, por buxheti kaloi dhe në një nga zërat  e tij u shndërrua në tunelin e Qaf Kërrabës. Por nuk është vetëm tuneli, buxheti i dha një shtytje të madhe infrastrukturës së vendit në të katër anët e tij, nga Konispoli deri në Vermosh në mijëra km rrugë të ndërtuara dhe të rindërtuara”, tha kryeministri. Punimet për tunelin e Kërrabës nisën në prill të vitit të kaluar dhe u zbatuan nga kompania greke “Aktor”. Pas pak ditësh, vihet në jetë një tjetër vepër e përmasave bashkëkohore, pas rrugës së Kombit Durrës-Kukës-Morinë, duke shkurtuar me së paku 50 minuta distancën e Tiranës me Elbasanin.  “Buxheti 2011”, i suksesshëm në të gjithë treguesit e tij Duke shprehur falënderimet e tij për të gjithë ata që bënë të mundur që buxheti i vitit 2011 të ishte një buxhet i vërtetë suksesi, kryeministri renditi një sërë fushash, në të cilat buxheti i vitit të kaluar u përdor me sukses të plotë, duke shënuar arritje të rëndësishme në dobi të qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh se suksesi i buxhetit të vitit 2011 do të shërbejë si një bazë e fuqishme për buxhetin e vitit 2012, i cili do të japë transformimet më të mëdha në këtë vend. “Duhet të jemi shumë mirënjohës ndaj të gjitha atyre që në vitin 2011 bënë që Shqipëria të realizojë të ardhurat dhe shpenzimet e saj, në një mënyrë siç u përcaktua në ligjet e parlamentit. Buxheti ndoqi të gjitha objektivat e përcaktuara në shëndetësi, turizëm, arsim, bujqësi, në të gjitha fushat, prandaj dhe ka shumë arsye të shprehim vlerësimin tonë më të mirë për performancën buxhetore të vitit të kaluar”, tha ai. Buxheti i vitit 2011 bëri të mundur rritjen e rrogave dhe të pensioneve, rriti të ardhurat familjare të mbi 800 mijë familjeve shqiptare të punësuar dhe pensionistë. “Buxheti ishte një buxhet i bekuar sepse bëri të mundur rritjen e rrogave të dhe të pensioneve, rriti të ardhurat familjare të mbi 800 mijë familjeve shqiptare të punësuar dhe pensionistë dhe kjo në një kohë kur vende të tjera në tërësi dhe pa përjashtim, përveç Polonisë dhe ndonjë vendi tjetër, u detyruan të bëjnë shkurtime ndër më të mëdha të pensioneve dhe te rrogave. Buxheti bëri të mundur rritjen e ndihmës ekonomike. Unë jam i vetëdijshëm se qytetarët shqiptarë meritojnë gjithnjë e shumë dhe ne i përmbahemi kësaj, por stuhitë  e kësaj krize kanë krijuar në mbarë Evropën një situatë shumë të vështirë. Shqipëria ka mbetur si një ishull, ekonomia e së cilës perfomon. Shqipëria ka realizuar dhe vazhdon të realizojë investime të mëdha, duke mos marrë qoftë edhe një qindarkë borxh për qëllime të tjera, përveç investimeve”, përfundoi Berisha . Parametrat e autostradës Tiranë-Elbasan dhe tunelit të Kërrabës Autostrada - 4 korsi Tunel - 2 Gjatësia e tuneleve: - 2.3 km dhe - 2.1 km Gjatësia totale e tunelit për të dy tubat: - 4.3 km Shpejtësia e lëvizjes së automjeteve: - 100 - 120 km/h Gjatësia e Autostradës: 31.17 km Distanca Tiranë-Elbasan: 18 minuta Segmenti: Tiranë – Lundër – Mullet – Elbasan

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›