Kryeprokurorja: “Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit”
TIRANË - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në një komunikim me mediat, tha dje se Prokuroria po punon për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në fshatin Gërdec. “Grupi hetimor po vijon me hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje”, - theksoi kryeprokurorja Rama, pas nënshkrimit të urdhrit të përbashkët me Ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani për mirëfunksionimin e Policisë Gjyqësore, paraditen e sotme në mjediset e Hotel “Tirana Internacional”. Deklarata e kryeprokurores erdhi një ditë pas kërkesës se dy partive politike që prokurorja të jepte një raport në Kuvend. LSI e PSD kërkuan dy ditë më parë në Kuvend të vihen në dijeni rreth të gjitha të vërtetave të zbuluara lidhur me katastrofën e 15 marsit. Megjithëse ka kaluar një muaj nga tragjedia e Gërdecit, kryeprokurorja Ina Rama ka folur shkurt dje rreth hetimit për ngjarjen e rëndë ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosen mbi 300 të tjerë. Vetëm pas këmbënguljes se mediave, kryeprokurorja shtoi se informacionet do të bëheshin të ditura në një kohë të caktuar. Tragjedia e Gërdecit është cilësuar si një nga ngjarjet me te renda ne vend. Disa ditë pas ngjarjes ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dha dorëheqjen. Në burg pa afat për tragjedinë aktualisht ndodhen 3 persona, Mihal Delijorgji, administrator i “AlbDemil”, firma që posedonte fabrikën e çmontimit të armëve në Gërdec, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë “MEICO” dhe drejtori i fabrikës, Minxolli.
Gërdeci, Ambasada Kineze kontribuon për të dëmtuarit
Tiranë - Ambasada Kineze në Shqipëri ka dhënë kontributin e saj për të dëmtuarit e Gërdecit. Ky donacion në shumën e 1 milion e 235 mijë lekëve, është kontribut i biznesit kinez që operon në Shqipëri. Ambasada ia ka dorëzuar shumën e dhënë Kryqit të Kuq Shqiptar, të cilët do t’i përcjellin bashkë me donacionet e tjera, banorëve që u prekën nga tragjedia e Gërdecit. Me këto donacione, KKSH-ja ka filluar një operacion ndihme me ushqime dhe materiale bazë joushqimore, ku që në fillim dhe deri sot janë ndihmuar 771 familje me 3350 përfitues nga fshatrat Gërdec, Marqinet 1 dhe Marqinet 2. Ndërsa, shpërndarja është bërë në koordinim me Bashkinë e Vorës dhe kryepleqtë e fshatrave.
16 Prill 2008