Vajza e trafikuar në Norvegji i qëndron dëshmisë së parë
TIRANË - Silvana K., vajza e shfrytëzuar si prostitutë në Norvegji, vazhdon t’i qëndrojë dëshmisë së saj të dhënë katër vjet më parë, përmes së cilës fajëson si trafikantë babë e bir, Astriti dhe Nelgert Pata nga Tepelena, të cilët po gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, thanë dje për gazetën se Silvana. K., i ka qëndruar besnike dëshmisë së saj edhe pak ditë më parë, kur prokurori shqiptar i çështjes dhe avokati i dy të pandehurve, babë e bir, morën në pyetje në Norvegji 14 dëshmitarë, shtetas norvegjezë”. Të njëjtat burime saktësuan se vajza e trafikuar shqiptare që jeton aktualisht në Norvegji ishte një nga 14 dëshmitarët e pyetur. “Silvana K,. nuk ndryshoi asnjë fjalë nga deklarata që i kishte dhënë kohë më parë policisë norvegjeze”, nënvizuan burimet. Sipas dëshmisë, në vitin 2004, Astrit Pata, u njoh me Silvana K., e cila punonte si kameriere në lokalin e vëllait të tij, në Tepelenë. Astrit Pata e ka bindur vajzën që të shkonin së bashku në Greqi për pushime, por më pas e ka dërguar atë ilegalisht në Norvegji. Në shtetin nordik Silvana u prit nga djali i Astritit, Nelgerti, i cili e detyroi të punojë si prostitutë. “Astriti më ka marrë në telefon nga Shqipëria duke më kërcënuar me jetën e familjes sime”, mësohet të jetë shprehur vajza e trafikuar, e cilësuar si ‘gur’ i fortë në dorë të prokurorisë në ecurinë e këtij procesi që ka filluar në vitin 2007.
16 Prill 2008