Gërdeci, bilanci i dëmeve të bizneseve dhe familjeve kolosal
Dje kaloi një muaj nga dita fatale e shpërthimit të madh në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, në një kohë që shkatërrimi i jetëve të baorwve vazhdon akoma. Deri tani bilanci i dëmeve materiale që u është shkaktuar bizneseve dhe ekonomive fshatare të zonës rezulton të jetë kolosal, e për më tepër ende i pakompensuar nga shteti. Deri tani qeveria është mjaftuar me shpërndarjen e një sasie mjaftë të vogël parashë, si dhe me konstatimin e dëmeve, bilancin e të cilave gazeta “Albania” nis ta publikojë sot dhe në numrat në vazhdim. Situata në atë zonë paraqitet e mjeruar ashtu si më 15 mars kur predhat shkrumbuan banesat dhe shkatërruan me qindra jetë njerëzish. Edhe pse kryeministri Berisha premtoi fill pas tragjedisë se, brenda 30 ditëve jeta në fshat do ti kthehej normalitetit, një ditw pas afatit të përcaktuar nga vetë kreu i qeverisë, asgjë nuk është kthyer në normalitet. Madje aty asgjë nuk është si më parë, dhe nuk është më në vendin e vet. Çdo gjë është e shkatërruar dhe e nxierë jashtë përdorimit. Banorët e lagjes Ustali, një prej zonave më të prekura nga shpërthimi janë të pakënaqur nga procedurat e ndjekura deri më tani nga strukturat e shtetit për dëmshpërblimin për shtëpitë e tyre. Kreu i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, është shprehur për mediat para dy ditësh se, “të gjitha strukturat e varura prej tij janë në terren duke verifikuar për të dytën herë vlerësimin e dëmeve dhe siguron të gjithë banorët e prekur se askush nuk do të lihet pa u dëmshpërblyer”. Në lagjen Ustali, një nga zonat më të dëmtuara nga shpërthimi i depove më 15 mars, asnjë banor nuk është rikthyer për të banuar pasi jeta aty nuk ofron as kushtet më minimale, ujë, drita dhe strehim. Tek banorët nga dita në ditë po shuhet edhe shpresa e fundit, për një rikthim në fshatin e tyre.
Shënim:
Gazeta “Albania” në numrin e nesërm do të vijojë me botimin e listave të bilanceve të subjekteve dhe familjeve të dëmtuara nga shpërthimi i datës 15 mars 2008, në Gërdec të Tiranës.
16 Prill 2008