Akademikëve u plotësohet dëshira

Nuk ka qenë Babadimri apo siç quhet ndryshe plaku i Vitit të Ri ai që ua ka plotësuar dëshirën akademikëve kosovarë. Dy javë pas Vitit të Ri atyre ua ka plotësuar dëshirën e kamotshme vet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjithmonë kur ndokush u bënte vërejtje për mospunë, akademikët arsyetoheshin se hapësira e vogël e objektit, në të cilin kanë vepruar deri më tani, nuk u ka dhënë mundësi të punojnë më shumë. Që tani e tutje ky arsyetim nuk vlen më, pasi që prej të premtes ata janë vendosur në objektin e ri, mjaft luksoz dhe të përshtatshëm për punë. Në objektin e ri secili prej akademikëve do të ketë zyrën e tij, prandaj edhe pritet se tani e tutje do të angazhohen më shumë dhe do të japin më shumë nga vetja.
Në përurimin e objektit të ri të ASHAK-ut, i cili ka kushtuar rreth pesë milionë euro, ka marr pjesë edhe vet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e ka vlerësuar përurimin e këtij objekti si shumë të rëndësishëm në prag të dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Duke u lavdëruar për ndihmën që e ka dhënë qeveria për ndërtimin e këtij objekti, Thaçi tha se ky është objekti më modern për një akademi të shkencave në rajon. Ai po ashtu e lavdëroi punën e akademikëve dhe angazhimin e tyre për formimin e shtetit të Kosovës. “E përgëzoj kryetarin Bokshi dhe gjithë akademikët e respektuar të Republikës së Kosovës, për angazhimin e tyre historik fillimisht në kultivimin e Akademisë, apo jetës akademike në Republikën e Kosovës, si dhe në angazhimet e tyre shtetformuese”, u shpreh Thaçi.
Ndërkaq, kryetari i ASHAK-ut, Besim Bokshi ka vlerësuar lartë hyrjen në objektin e ri.
Ai është shqetësuar pak sa i përket sigurimit të orendive, por ka shpresuar se do të fillojnë punën sa më shpejt. “Shpresojmë që nuk do të vonohet sigurimi i orendive që na bëjnë të mundur fillimin e punës në këtë godinë të bukur dhe funksionale, në të cilën do të nderohet Akademia e Qeveria dhe të nderohet shkenca e arti”, tha Bokshi.
Po ashtu edhe Arsim Bajrami, ministër i Administratës Publike, inaugurimin e objektit e vlerësoi si një hap shumë të rëndësishëm për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për t’i dhënë një prioritet kombëtar zhvillimit të shkencës. “Akademia si institucion historik deri më tani ka qenë duke punuar në kushte shumë të vështira. Ne kemi ndërtuar një objekt modern, për një akademi moderne të Republikës së Kosovës. Një akademi që tani do të jetë promotore e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik të Republikës së Kosovës”, tha Bajrami. Edhe ky përsëriti fjalët e shefit të vet, duke thënë se ‘ky objekt që është një objekt impozant, është një ndër objektet më të mira në rajon sa i përket akademisë së shkencave’. Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës krahas prioriteteve tjera tani ka filluar investimet edhe në shkencë.
Ai tha se objekti është i ndërtuar me një arkitekturë moderne dhe secili akademik do të ketë kushte komode, do të ketë zyrën e vet për studime si dhe salla të leximit, po ashtu edhe disa biblioteka elektronike.
Ai gjithashtu ka përmendur një fakt, që mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. “Akademia është relativisht institucion i vogël dhe ky objekt kërkon të rritet me numër, të rritet me kuadro të reja dhe të profileve të ndryshme, në mënyrë që të bëhet promotore e zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, ka thënë Bajrami. Kjo mund të interpretohet ndoshta edhe si kërkesë e tij ndaj udhëheqësve të ASHAK-ut për të pranuar ndonjë anëtar të ri që vjen nga radhët e PDK-së, pasi që nga shumë persona por së fundi edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve është akuzuar kryesia e ASHAK-ut se në përbërjen e saj si dhe të vet akademisë mbizotërojnë akademikët që ose janë anëtarë të LDK-së ose ish anëtarë të kësaj partie.