E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ermal Meta

Shqiptari Ermal Meta do të jetë pjesë e Festivalit të Sanremos në edicionin e 60 të tij, që do të zhvillohet nga data 16 deri më 20 shkurt. Solist i grupit “La fame di Camilla”, Ermali do të propozojë për publikun këngën e titulluar “Buio e luce”. Bashkë me grupin, këngëtari shqiptar është pjesë e kategorisë “Gjenerata e re” në Festivalin e Sanremos. Me gjithë emocionet e kësaj pjesëmarrjeje, ai thotë se një koncert në Shqipëri është ëndrra e tij më e madhe

Një këngëtar shqiptar në Sanremo
I kanë quajtur “shpirti rok” i Festivalit të Sanremos në kategorinë “Gjenerata e re”. Mes dhjetë pjesëmarrësve fitues nga 998 propozime në këtë kategori, në skenën e të famshmit “Ariston” do të ngjitet edhe grupi “La fame di Camilla” (Uria e Kamilës). Deri këtu nuk ka asgjë ndryshe dhe interesante, por ajo që bën përshtypje është fakti se banda e të rinjve ka në krye një djalosh shqiptar. Quhet Ermal Meta dhe është lideri i grupit, krijuesi i këngëve e deri diku edhe çelësi i suksesit. Ermali këndon, i bie kitarës e pianos, kujdeset për elementet përbërëse dhe mbi të gjitha tekstet e këngës mbajnë firmën e tij. Bashkë me pjesëtarët e tjerë të grupit, Giovanni Colatorti në kitarë, Dino Rubini në bas, dhe Lele Diana në bateri “La fame di Camilla” do të ngjitet në skenë mes shumë emocionesh. E konsiderojnë vitrinën më të rëndësishme të muzikës në Itali, një mundësi e madhe që këngët e tyre të mbërrijnë te sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Kënga me të cilën grupi do të paraqitet para publikut titullohet “Buio e luce”, (“Errësirë dhe dritë”). Në këtë edicion të 60 të festivalit që do të mbahet nga data 16 deri më 20 shkurt, ata kanë fituar edhe cilësimin si roku i ri italian.
Mes impenjimeve, provave, intervistave dhe kureshtjeve me të cilat të rinjtë përballen, Ermali mbetet ai që nxit më shumë vëmendjen e mediave. E jo vetëm për talentin. Kërkojnë të dinë historinë e tij. I lindur në Fier, Ermali bashkë me familjen mbërriti në Itali në moshën 13-vjeçare. Pasioni për muzikën ishte kultivuar qysh në vendin e lindjes. Pianojo ishte instrumenti që iu kushtua fillimisht. Gjithçka nisi në shkollën e muzikës “Jakov Xoxa” në qytetin e Fierit. Me largimin drejt Italisë, Ermali e la për pak kohë pas dore muzikën për t’iu kthyer edhe një herë leksioneve të pianos në moshën 19-vjeçare. Por ishin leksione ndryshe, më shumë për kënaqësi, që pak nga pak vijuan edhe me shkrimin e teksteve të këngëve e me kompozimet përkatëse. Lidhja me kitarën, ajo po që është e çuditshme. Një aksident e detyroi të qëndronte ulur për tre muaj. Gjatë asaj kohe bashkë me një mikun e tij nisi të mësonte edhe këtë instrument. Ajo që nisi si një lojë u transformua në një pjesë mjaft të rëndësishme të jetës së djaloshit nga Shqipëria.
Dhe loja pak e nga pak është kthyer në profesionin e jetës së tij. Ermali bashkë me grupin tani ka edhe një album, i pari për “La fame di Camilla”. Nga 12 këngë që përmban albumi, njëra prej tyre vjen në gjuhën shqipe. Dhe për Ermalin, kjo nuk përbën problem përveçse kënaqësi personale dhe profesionale sigurisht. “Nëse globalizëm do të thotë afërsi me njëri-tjetrin, shkëmbim ekonomik e kulturor mes vendeve, mendoj se edhe arti mund të ketë një rol shumë të rëndësishëm. Për ne, muzika, arti në përgjithësi, do të thotë të shprehesh ndjenjat lirshëm. Kënga në shqip titullohet “28/03/1997...”. Bëhet fjalë për një ditë ekstremist të trishtueshme për shqiptarët. Kjo këngë u kushtohet viktimave të asaj dite”, tregon Ermali.
E në të vërtetë, mediat komentojnë se bëhet fjalë për një këngë që, pavarësisht se këndohet në shqip, është pritur mjaft mirë nga publiku. Ndoshta sepse, ashtu siç thotë edhe vetë Ermali, muzika nuk njeh kufij. “Në rastin e kësaj kënge jam munduar të krijoj një lloj ekuilibri mes notave të këngës që janë ritme moderne dhe një gjuhe, e cila ka një tjetër tingull”, komenton solisti i grupit. “La fame di Camilla” është një grup të rinjsh, të cilët dëshirojnë që me muzikën e tyre të lënë gjurmë dhe që mbi të gjitha të jenë bashkë edhe pas 30 vitesh. Pasioni është ai që do t’i udhëheqë ngaherë... Ermal Meta ka mbërritur në Bari të Italisë në vitin 1994 bashkë me familjen. “Prisnim të gjenim në Itali gjithë sa nuk e kishim në Shqipëri. Një jetë më të mirë. Shumë shqiptarë e dinë se për çfarë e kam fjalën. është diçka që vazhdojmë ta mbajmë brenda vetes dhe mendoj që do të na shoqërojë akoma edhe për shumë vite. Unë shpresoj vetëm që gjeneratat e reja të mund të gjejnë në Shqipëri gjithçka dhe të mos jenë të detyruar të largohen”, thotë Ermali. Gjithë sa ka kaluar dhe ka përjetuar Ermali i përcjell përmes teksteve, poezisë dhe zërit të tij. Thonë se përdor fjalë të një burri të pjekur, por ai ndihet kështu dhe në të tillë mënyrë vepron. “Nuk e di nëse janë fjalët e një burri. Por jeta ime ka qenë mjaft intensive, e mbushur me episode që kanë lënë shenjë, por nuk do ta ndërroja për asgjë në botë.
Dhe është pikërisht kjo që më bën të mundur të këndoj gjithmonë në mënyra të ndryshme. Gjithçka varet nga sa ndiej për momentin. Mund të këndoj të njëjtën këngë 100 herë dhe të gjitha herët të duket një tjetër. Janë emocionet që ndiej ato që vendosin për çka bëj”, shton këngëtari, të cilin pjesëmarrja në Sanremo e ka emocionuar mjaft, por jo aq sa do ta emociononte një koncert në vendin e tij, në Shqipëri. është kjo ëndrra e Ermalit, të cilën pret ta realizojë shumë shpejt, ndoshta në muajin maj, menjëherë pas interpretimit në “Aristonin” e famshëm në qytetin e luleve.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›