Akademiku shqiptar sjell dramën e çiftit shqiptar që kërkon azil në Britani
TIRANË - Personazhe në tension, konflikte të ashpra, jetë e vështirë në emigracion. Në këtë kornizë vërtiten një mori ngjarjesh të dramës “Sikur të vdekurit të dëgjonin” (If only the dead could listen) të akademikut dhe profesorit shqiptar, Gëzim Alpion, premiera e së cilës u shfaq të premten paradite në mjediset e Hotel Tirana, nën kujdesin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”.
Në qendër të dramës, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Londër në vitin 2001, janë Leka, një azilant politik nga Kosova, dhe Alma një studiuese nga Tirana. “Kam trajtuar temën e tragjedisë së kombit tonë, pjesë e pandarë e tragjedisë njerëzore që kalon kufijtë tokësor, etnik, fetar dhe kohor", - tha akademiku Alpion pas shfaqjes së dramës, ku zhvilloi dhe bisedën me temë “Identiteti kombëtar shqiptar”. Në këtë kuptim, vijoi ai, qëllimi im nuk ka qenë thjesht të shkruaj një dramë shqiptare, por të përdor karakteristika shqiptare për të trajtuar një dramë me temë mbarënjerëzore. Leka është një personazh tragjiko-komik, një njohës i mirë i mentalitetit shqiptar dhe anglez, një zotërues i mirë i gjuhës angleze, por fatkeqësisht edhe me një forcë vetëshkatërruese, një viktimë po edhe një shkelës ligji, ndërsa Alma është një personazh kompleks, ambicioz, por edhe inferiore ndaj anglezëve.
"Leka dhe Alma plotësojnë njëri-tjetrin”, - shpjegoi autori për miqtë e gazetarët e pranishëm pas shfaqjes së dramës. Sipas tij, “problemet që hasin dy personazhet kryesore janë të njëjta me ato që has gjithë kombi shqiptar, dhe simbolizojnë traumën kombëtare që përbën thelbin e dramës”.
“Sikur të vdekurit të dëgjonin” është një ripunim i dramës “Tollonat” (“Vouchers”), që u botua në Angli në vitin 2001. Për herë të parë “Tollonat” u vu në skenë me regji të dramaturges serbe Dr Duška Radosavljevic në Festivalin e Teatrit Bashkëkohor Europian në Huddersfield të Anglisë, në mars 2002. Në rolet kryesore ishin dy aktorë, përkatësisht anglez dhe jordanez.
Ndërsa në vitin 2008, drama “Sikur të vdekurit të dëgjonin” u vu në skenë nga regjisori Markus Fernando dhe dy personazhet interpretohen nga aktori anglez Richard Attlee dhe aktorja kroate Tina Hofman. Drama “Sikur të vdekurit të dëgjonin”, e sponsorizuar nga Këshilli i Arteve të Anglisë pati premierën në Angli në shkurt 2008 nga trupa teatrale Dreamscape në Teatrin MAC në Birmingham. Pas suksesit të shfaqjeve në Angli, Alpion dhe regjisori Fernando morën ftesa nga Teatri Kombëtar në Tiranë dhe Teatri Kombëtar i Kosovës.
15 Gusht 2009