E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debatik Curri: “Benfika? Mund ta kalojmë”



Vorskla Poltava, fituesja e Kupës së Ukrainës, kjo falë kontributit të jashtëzakonshëm të dy kosovarëve të Kombëtares shqiptare, Debatik Curri e Armend Dallku, por dhe sulmuesit të ri të Shqipërisë U-21, Ahmed Januzit, do të luajë të enjten e ardhshme ndeshjen e parë të turit të katërt kualifikuese të Ligës së Europës, pikërisht kundër portugezëve të Benfikisë së Lisbonës, një prej dy skuadrave më të njohura në Portugali së bashku edhe me Porton. I grumbulluar për ndeshjen miqësore ndërkombëtare të Shqipërisë në fitoren fantastike kundër Qipros (6-1), Debatik Curri e shikon me optimizëm përballjen me luzitanët, më 20 gusht.

Curri, për herë të parë Vorskla juaj merr pjesë në një kompeticion evropian. Në turin e katërt eliminator të Ligës së Europës do të përballeni me një emër të njohur si Benfika e Portugalisë. A ndjeni presionin?
Është realisht një nga skuadrat më të forta që mund të përballeshim në këtë tur, por ky ishte fati në short. Mendoj se do të jetë një lojë shumë e vështirë për ne, për më tepër që është edhe ndeshja e parë e jona në Europë, ku eksperienca vlen shumë. Personalisht edhe për mua do të jetë ndeshja e parë ndërkombëtare në nivel klubi, pavarësisht se me Kombëtaren e Shqipërisë i kam kaluar të 20-tat. Pa asnjë dyshim që synoj të jap maksimumin.

Takimi i parë është në Portugali. E konsideroni si një avantazh apo dizavantazh?
Po, më 20 gusht do të luajmë në Portugali, e shtatë ditë më pas në Ukrainë, për ndeshjen e kthimit, më 27 gusht. E konsideroj një avantazh për ne, pasi të dy ekipet nuk e njohin lojën e njëri-tjetrit, dhe pa dyshim që rreshtimi ynë do të jetë më shumë në mbrojtje. Për më tepër, që shpeshherë tregojmë në ndeshje më të mirë kur luajmë jashtë. Shpresojmë te ndonjë rezultat pozitiv. Besoj se ndeshja e kthimit do të flasë tërësisht për ne. Mund t’i kalojmë.

Në kampionatin ukrainas barazuat në ndeshjen e fundit me Metalurg Zaporezhjen (1-1). Cilat janë objektivat sezonalë për Vorsklën?
Po, në tre ndeshje kemi një fitore, një barazim dhe dy humbje. Kemi të njëjtat synime si dhe kampionatin e kaluar, për të qenë sërish në zonën evropiane, pra të mos renditemi më poshtë se sezonin e fundit. Ndeshjen e ardhshme (të shtunën) e kemi me Dinamon e Kievit, një derbi që është ndezur para kohe dhe që ka shumë atmosferë te ne, pasi dihet emri i Dinamos, në katër ndeshjet e para ka katër fitore dhe kryeson e vetme kampionatin.

Asnjë pikë

Krivbasi i katër shqiptarëve, Isli Hidi, Dorian Bylykbashi, Ansi Agolli dhe Ervin Bulku, nuk ka mundur të marrë asnjë pikë në katër ndeshjet e para, duke i humbur të gjitha takimet. Zarja e Parid Xhihanit ka vetëm një barazim e tri humbje.

LIGA E EUROPËS

Admir Teli me azerbajxhanasit e Qarabag, Debatik Curri, Armend Dallku e Ahmed Januzi me ukrainasit e Vorskla Poltavës, janë shqiptarët që vazhdojnë aventurën në turin e katërt eliminator të Ligës së Europës. Qarabag do të përballet me holandezët e Tuentes, ndërsa Vorskla me portugezët e Benfikës.

15 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›