E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi ideologjizimin e të majtës shqiptare

Blendi Kajsiu 

Bashkë me garën për kreun e PS-së është hapur edhe një diskutim i shëndetshëm, në lidhje me identitetin e të majtës shqiptare. Meqenëse fushata ‘përtej të majtës dhe të djathtës’ e Edi Ramës nuk arriti të tërhiqte më shumë sesa elektoratin tradicional socialist disa politikanë si Ben Blushi me të drejtë argumentojnë se ndoshta është e nevojshme, që PS-ja të krijojë një identitet të majtë, më të qartë, në mënyrë që t’i ofrojë elektoratit një zgjedhje reale në zgjedhjet e ardhshme. Në fakt, kjo është një sfidë e rëndësishme jo thjesht për të sjellë PS-në në pushtet, por për vetë cilësinë e pluralizmit dhe demokracisë shqiptare si parakushte të zhvillimit tonë ekonomik dhe social. Sot e majta shqiptare, sikurse e majta në shumë vende të botës demokratike, vuan nga një krizë e thellë identiteti. Aq sa sot pyetja që duhet të shtrohet është: përse ekziston e majta? Në fund të fundit ajo nuk afron asgjë të ndryshme nga partia në pushtet; heqja e vizave, integrimi euroatlantik, forcimi i institucioneve dhe sistemit të drejtësisë, zhvillimi i bujqësisë dhe  infrastrukturës, tërheqja e investimeve të huaja, etj., janë prioritete edhe të partisë në pushtet. Madje, kjo e fundit shqetësohet më shumë se PS-ja edhe për shtresat në nevojë. Në  këto kushte Partia Socialiste dhe opozita në përgjithësi reduktohet në rolin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që ka për detyrë të monitorojë zbatimin sa më korrekt të programit të qeverisë, duke nxjerrë në pah abuzimet dhe deviacionet që cenojnë zbatimin e plotë të tij. 
Prandaj që në fillim duhet të theksojmë se identiteti i të majtës shqiptare nuk është i rëndësishëm thjesht për të sjellë PS-në në pushtet. Madje PS-ja mund të vijë fare lehtë në pushtet nesër thjesht si pasojë e disa lëvizjeve taktike që mund t’i kishin sjellë fitoren edhe dje. Në këtë pikë kolegu Nazarko ndoshta ka të drejtë kur thotë se për të fituar zgjedhjet ndoshta PS-ja mund të shkojë akoma më shumë drejt qendrës në vend që të zhvendoset majtas, ashtu sikurse kanë bërë shumë parti të majta në Evropë. Problemi është se ndërtimi i një identiteti politik i të majtës shqiptare nuk mund dhe nuk duhet t’i ngjajë partive të majta në Evropën Perëndimore. Jo vetëm sepse këto parti janë vetë në krizë të thellë identiteti dhe nuk kanë se çfarë t’i ofrojnë të majtës shqiptare si model, por edhe sepse kushtet social-ekonomike në të cilat ndodhet Shqipëria janë shumë të ndryshme nga ato të vendeve perëndimore si Italia, Anglia apo Franca. Dhe një identitet politik nuk mund të ngrihet jashtë një konteksti të caktuar. Prandaj nuk mund të kemi një të majtë shqiptare që kopjon të majtën angleze, italiane apo franceze në kushtet shqiptare.
Ky në fakt ishte edhe gabimi themelor i Edi Ramës me tezën e tij ‘Përtej të majtës dhe të djathtës’ që u kopjua nga Partia e Punës së Britanisë së Madhe. Kjo ishte një farë që nuk mund të mbinte e të rritej në terrenin shqiptar, pasi ishte prodhuar dhe rritur në kontekstin politik britanik. ‘Përtej të majtës dhe të djathtës’ në thelb ishte traktati i kapitullimit të së majtës tradicionale Britanike përballë koncepteve të djathta neoliberale të shtetit të vogël, të tregut të madh, të përgjegjësisë individuale, të inferioritetit të shtetit dhe burokracisë përballë sektorit privat. Vetëm nëpërmjet këtij kapitullimi e majta e re britanike e quajtur New Labour (Punistët e Rinj) mundi të rikthehej në pushtet, pasi kish pranuar dhe përvetësuar të gjitha konceptet bazë të revolucionit neoliberal Thecerian të cilat premtonte se do ti zbatonte më mirë edhe se vetë Thatcher. Akademikisht kjo tezë u zhvillua nga Anthony Giddens në librin e tij me titullin: “Përtej të Majtës e të Djathtës”. Më shumë sesa nga cilësia akademike libri sikurse edhe Giddens e mori famën nga përdorimi politik që iu bë atij prej Tony Blair. Akademikisht ky është një libër i varfër që nuk arrin të artikulojë një imazh të qartë të së majtës përtej koncepte themelore neoliberale dhe për pasojë të lë me një ndjenjë të madhe boshllëku dhe konfuzioni ideologjik. 
Megjithatë, ‘Përtej së majtës dhe së djathtës’ politikisht ishte një lëvizje deri diku e detyrueshme për laburistët e rinj në kushtet ku ndodhej Britania e fillimit të viteve ‘90-të. Revolucioni neoliberal i ndryshoi faqen Britanisë duke e kthyer atë nga një fuqi industriale në një fuqi financiare, dhe duke reduktuar ndjeshëm edhe klasën punëtore që ishte baza sociale e Partisë së Punës britanike. Gjithashtu, rritja e vazhdueshme e mirëqenies dhe shkollimit kishin prodhuar mobilitet social, duke reduktuar diferencat mes klasës së mesme dhe asaj punëtore. Këta të fundit jo vetëm po zhdukeshin si pasojë e de-industrializimit Thecerian, por gjithnjë e më tepër e gjithnjë e më me dëshirë identifikoheshin si pjesë e klasës së mesme. Në këto kushte Partia e Punës Britanike kish humbur bazën e saj sociale dhe detyrohet ta rishpikë vetveten ‘përtej të majtës dhe të djathtës’ në mënyrë që të kapë shtresën e mesme e cila nuk kish ndonjë identitet të fortë politiko-ideologjik ndryshe nga klasa punëtore apo shtresat e larta dhe ato aristokratike. Për këtë arsye ‘përtej të majtës dhe të djathtës’ shprehte vlerat dhe shqetësimet kryesore të shtresës së mesme në Britani. Këto janë vlera dhe shqetësime të asaj që quhet shoqëria ‘post-materialiste’ pra të atij grupi shoqëror që pasi ka tejkaluar momentin e mbijetesës materiale shqetësohet për cilësinë e jetës, për çështje si ambienti, apo identiteti dhe kultura, madje edhe për të drejtat e kafshëve.  Shqetësim themelor janë edhe liritë dhe të drejtat e njeriu, thellimi i demokracisë nëpërmjet pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe jo nëpërmjet partive politike që nga ky grup shikoheshin si organizata militantësh tru-shpëlarë. 
Në këtë pikë duhet të jetë bërë e qartë se sa e papërshtatshme dhe e huaj është fara ‘përtej së majtës dhe së djathtës’ në kushtet e Shqipërisë. Së pari, në Shqipëri ndryshe nga Britania e Madhe nuk ekzistonte një e majtë dhe djathtë historike përtej të cilave të krijohet një alternativë. Së dyti, shoqëria shqiptare nuk është një shoqëri post-materialiste pasi ajo ende përballet me probleme themelore të mbijetesës si papunësia, varfëria, prostitucioni, mungesa e ujit, dritave, etj. Pra problemi nuk është se teza ‘përtej të majtës dhe të djathtës’ nuk u zbatua mirë por sepse ajo nuk mund të zbatohej dhe të ngjiste në kushtet e Shqipërisë. Kjo do të thotë që identiteti politik i të majtës shqiptare nuk mund të kopjohet shabllon nga çdo e majtë që na del përpara në perëndim. Natyrisht disa parime bazë si barazia, emancipimi, individi si një qenie e mirë në thelb, por që korruptohet nga shoqëria apo besimi tek progresi, mund të mbeten në themelet e një filozofie të majtë, por ato marrin kuptim konkret vetëm në një kontekst të caktuar. Vetë e majta dhe e djathta nuk mund të kuptohen si kategori absolute që nuk ndryshojnë në kohë dhe hapësirë. Prandaj nëse do duam të flasim për një të majtë Shqiptare duhet që më parë të kuptojmë kontekstin politiko-ekonomiko-social ku ndodhet Shqipëria sot. E majta shqiptare duhet t’i përgjigjet sfidave që prodhon ky kontekst në vend që të kopjojë parulla dhe fjalime nga të majtat angleze apo amerikane që nuk ngjisin në truallin shqiptar. Është e lehtë të kopjosh fjalimet e Barak Obamës apo të Tony Blair, aq më tepër që kopjimi tek ne është sport kombëtar. Ama është e vështirë t’u japësh atyre kuptim në realitetin shqiptar. Pra përpara se spekulojmë se çfarë mund të ishte një e majtë shqiptare duhet që së pari të kuptojmë kontekstin ku ndodhet sot Shqipëria. Vetëm pasi të kemi kuptuar këtë kontekst mund të flasim për mënyrën se si mund të formatohej një e majtë shqiptare që i përgjigjet stadit ku ndodhet aktualisht vendi ynë. 
Atëherë cili është i ashtuquajturi ‘realiteti shqiptar’? Ky ‘realitet’ është natyrisht tejet kompleks dhe ndryshon nga pozicioni prej nga vështrohet. E megjithatë ka një proces që më mirë se çdo gjë tjetër e nxjerr atë në pah; integrimi i Shqipërisë në BE. Është ky proces që më shumë se çdo gjë tjetër i ka dhënë formë politike, ekonomike dhe sociale kontekstit shqiptar. Aq shumë dhe aq thellë e përshkon ky proces përditshmërinë tonë saqë ne shpesh as nuk e shikojmë më, sikurse shpesh nuk shohim tokën mbi të cilën ecim. Integrimi në BE është natyralizuar në atë pikë saqë është kthyer në një proces teknik përtej të majtës dhe të djathtës, konteksti minimal brenda të cilit e majta dhe e djathta zhvillohen por nuk e vënë re. Ndërkohë që procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është një proces thellësisht ideologjik, thellësisht i djathtë, thellësisht neoliberal, si nga pikëpamja ekonomike edhe nga ajo sociale. Nga pikëpamja ekonomike integrimi ofron një model që zhvillimin e shikon tërësisht tek tregu dhe tregtia e lirë dhe aspak tek shteti. Roli i shtetit në këtë model është që të tërhiqet sa më shumë duke u reduktuar në një arbitër që zbaton rregullat e lojës për t’i lënë hapësirë sa më të madhe tregut. Roli i shtetit kufizohet tek ruajtja e stabilitetit makroekonomik, lufta ndaj inflacionit dhe disiplina fiskale, pasi zhvillimin e bën automatikisht tregu. Në këtë kuadër tregtia e lirë, hapja ndaj kapitalit të huaj dhe veçanërisht atij Evropian shikohet si çelësi i zhvillimit jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin në përgjithësi. Në thelb të këtij modeli qëndron ideja se zhvillimi i Shqipërisë do vijë nga jashtë, qoftë nga kapitali evropian që do investohet tek ne, qoftë nga aftësia jonë për të imituar Evropën. Është një model ekonomik që burimin e zhvillimit e shikon jashtë vetes.
Në qendër të modelit ndodhet homos economicus, individi që mbi të gjitha nxitet nga interesi personal. Dhe në këtë model kjo është diçka e mirë sepse sikurse thotë Adam Smith secili duke ndjekur interesin personal i shërben më mirë interesit të përgjithshëm. Ama pikërisht sepse motivohet nga interesi personal nga pikpamja sociale ky individ është një qenie në thelb egoiste dhe për pasojë e rrezikshme për tjetrin. Pra, nga pikpamja sociale kemi të bëjmë me individin Hobbsian që karakterizohet nga mosbesimi dhe pabesia, ose në fjalët e Hobsit njeriu për njeriun është ujk. Në kontekstin shqiptar pikpamja hobsiane mbi individin ka gjetur vend mirë në shprehjen tonë popullore ‘jeta është luftë’. Vini re se kemi të bëjmë me një individ krejt të ndryshëm nga ai i Rusoit që është në thelb i mirë por korruptohet nga institucionet shoqërore. Pak rëndësi ka se cila është ’natyra e vërtetë’ e njeriut (personalisht mendoj se ajo nuk ekziston), rëndësi ka që sot ne si shoqëri besojmë se në thelb njeriu është i lig dhe interesaxhi prandaj shoqëria duhet ndërtuar në mënyrë të tillë që ta kufizojë sa më shumë mundësinë e njerëzve për t’i bërë dëm njëri-tjetrit.  Sot ne përpiqemi të ndërtojmë më të mirën duke menduar më të keqen. Dhe kjo është një pikëpamje thellësisht e djathtë dhe pesimiste mbi natyrën njerëzore. 
Më shumë se kudo kjo del qartë tek mënyra se si shikohen dhe trajtohen fenomene si trafiku, droga, prostitucioni dhe krimi në përgjithësi në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në BE.  Krimi nuk shikohet si një fenomen social që buron nga kushte të caktuar politiko-ekonomike që margjinalizon shtresa të caktuara sociale, etnike dhe gjinore duke i shtyrë ato drejt botës së krimit dhe transgresionit. Përkundrazi krimi shikohet si patologji individuale, si shpërthim i natyrës së ligë njerëzore kur i jepet mundësia që duhet korrektuar ose nëpërmjet ndëshkimit ose nëpërmjet interesit personal, duke rritur koston dhe ulur përfitimin e aktit kriminal. Prandaj në thelb të gjitha rekomandimet e BE-së dhe prioritet e qeverive tona përmblidhen tek parulla; “Të forcojmë institucionet”. Konkretisht kjo përkthehet; ta luftojmë krimin duke forcuar policinë, prokurorinë dhe sistemin e drejtësisë, ta luftojmë trafikun duke forcuar doganat dhe kontrollin kufitar, ta luftojmë korrupsionin duke forcuar institucionet e kontrollit të brendshëm dhe atij shtetëror. Në thelb kontrolli, dënimi apo ndëshkimi janë instrumentet ku bazohet modeli që ne po ngremë sot edhe me ndihmën e BE-së. Që ky sistem nuk funksionon është e qartë, por ky është diskutim më vete. Ajo që duhet theksuar këtu është fakti që filozofia mbi të cilën ngrihet ngrehina jonë institucionale është e djathtë jo vetëm për rolin që i cakton shtetit, individit dhe tregut, por edhe sepse ajo ngrihet mbi një vështrim mjaft pesimist dhe tipikisht të djathtë mbi natyrën njerëzore, si e korruptuar, egoiste dhe në thelb e ligë.
Në vija të trasha ky është konteksti ku ne ndodhemi sot. Pikërisht në këtë kontekst duhet parë krijimi i një identiteti të majtë shqiptar. Përballë një konteksti thellësisht të djathtë e majta shqiptare duhet të ofrojë instrumentet e saj alternativë qeverisës dhe filozofikë që ofrojnë më shumë shpresë dhe optimizëm për zhvillimin ekonomiko-social të Shqipërisë. Së pari, e majta duhet të ofrojë një model alternativ zhvillimi ku shteti rikonceptohet jo thjesht si arbitër, por edhe si aktor aktiv në zhvillimin e ekonomisë sonë. Bëhet fjalë pra, për shtetin zhvillimor (developmental state) që synon të ndërtojë një motor të brendshëm zhvillimi për ekonominë shqiptare. Së dyti, ky proces i rikonceptimit të shtetit duhet të mbështetet tek një filozofi e majtë, që e shikon individin në mënyrë më optimiste si një qenie sociale, që në thelb është e mirë dhe jo thjesht një agregim interesash personale. Në këtë mënyrë e majta duhet të theksojë anët pozitive dhe bashkëpunuese të individit dhe jo vetëm ato egoiste dhe kompetitive në mënyrë që të ngrejë dhe forcojë institucione të bashkëpunimit dhe jo vetëm institucionet e penalizmit social. Optimizmi i majtë është i domosdoshëm jo vetëm për të rilindur besimin tek natyra e mirë njerëzore, por edhe për të tejkaluar varësinë mendore që ne si shoqëri kemi krijuar ndaj zhvillimit që buron jashtë nesh. Me besimin e saj tek progresi e majta duhet së pari të bindet vetë dhe më pas të bindë shoqërinë shqiptare se ajo ka burime dhe potenciale të brendshme zhvillimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›