E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selman Riza dhe Jakov Xoxa, dy figurat e Seminarit të 28-të të Prishtinës

Rreth 100 studiues shqiptarë dhe të huaj marrin pjesë në aktivitetin e përvitshëm

Aktiviteti më i rëndësishëm i studimeve në fushën e Albanologjisë që zhvillohet në Prishtinë, këtë vit do t’u kushtohet personaliteteve të Selman Rizës dhe Jakov Xoxës, i cili këtë vit shënon 30-vjetorin e ndarjes nga jeta. Seminari i 28-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të hapet pas dy ditësh në kryeqytetin kosovar. Në këtë simpozium të fushave të Albanologjisë do të jenë të pranishëm rreth 100 studiues shqiptarë dhe të huaj të gjuhës dhe letërsisë shqiptare, të cilët do të mbajnë kumtesa me tema të ndryshme të albanologjisë. Ky seminar synon të avancojë më tutje punën e tij nëpërmjet kurseve intensive të gjuhës shqipe për të huaj si dhe nëpërmjet ligjëratave nga fusha e gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Gjatë seminarit do të ketë disa seanca te referimeve shkencore, me ç'rast studiues shqiptarë dhe albanologë të huaj do të referojnë rezultatet e punës së tyre njëvjeçare për tema të ndryshme të albanologjisë.
Prof. Dr. Liman Matoshi, drejtor i seminarit, tha se duke ruajtur vazhdimësinë synohet që seminari për çdo vit të pasurohet dhe të transformohet aq sa lejon karakteri i tij si institucion i veçantë. Në sesionin shkencor të gjuhës temë boshte do të jetë shqipja e folur dhe shqipja standarde, për të cilën do të paraqiten 62 kumtesa nga studiues shqiptarë dhe të huaj, ndërsa në sesionin e letërsisë temë boshte do të jetë romani i sotëm shqiptar.
Blerta Ismaili, sekretare profesionale e seminarit, ka njoftuar mbi pjesëmarrjen e seminaristëve të huaj, ku sipas saj do të marrin pjesë mbi 90 seminaristë nga vende si Gjermania, Polonia, Rusia,
Bullgaria, SHBA-të etj. Edhe sivjet do të marrin pjesë arbëreshët e Italisë, ndërsa nuk do
të ketë arbëreshë nga Greqia. "Edhe në edicionet e kaluara kemi dërguar ftesa për pjesëmarrje arbëreshëve të Greqisë, po nuk janë përgjigjur", - është shprehur Ismaili.
Tryeza e seminarit sivjet do t'u kushtohet dy personaliteteve të shquara të kulturës tonë, gjuhëtarit të njohur Selma Riza me rastin e 100-vjetorit dhe shkrimtarit po ashtu të shquar shqiptar, Jakov Xoxa, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes. Në programin e seminarit të 28 Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili mbaron më 29 gusht, janë parashikuar edhe vizita institucioneve shkencore, kulturore dhe historike të vendit.

Vlerat artistike dhe tradita shqiptare shfaqen në Festivalin e Gran Canaria-s

Festivali Folklorik Ndërkombëtar në Gran Canarias të Spanjës për herë të parë kishte të ftuar edhe një grup nga Shqipëria. Vendi i mrekullive turistike, me një dyndje të jashtëzakonshme pushuesish, ku kufijtë midis ditës dhe natës janë pothuajse të paperceptueshëm, kishte programuar edhe një festival që tërhoqi vëmendjen jo vetëm të shikuesve të shumtë, por edhe të gjithë medias spanjolle. Grupi shqiptar, nën drejtimin e koreografit të njohur, Arian Sukniqi, u paraqit duke lançuar disa nga vlerat më të mira të artit tradicional shqiptar. Në përbërjen e grupit ishin 23 pjesëtarët nga më të spikaturit e trupës së Teatrit të Operas dhe Baletit. Trupa shqiptare performoi së bashku me Ansamblin shtetëror të Kubës, me ansamblin profesionist kombëtar të Meksikës, me trupat profesioniste nga Somalia, Ukraina, Gjeorgjia, Kina, Brazili, Serbia, Azerbajxhani, Portugalia etj. Të gjitha trupa profesioniste, me eksperiencë dhjetëra vjeçare dhe fituese të shumë trofeve ndërkombëtare. Ky festival organizohej nga C.I.O.O.F dhe Ministria e Kulturës së Spanjës, dhe ishte formatuar në kuadër të paqes dhe shkëmbimeve kulturore. Paraqitja e trupës shqiptare është konsideruar nga të pranishmit dhe mediat vendase si “ëmbëlsira” e Festivalit. Paraqitja e trupës shqiptare zuri shumë vend në shumë faqe gazetash dhe iu bë jehonë bashkë me komentet përkatëse në disa stacione televizive. Shfaqja e ansamblit shqiptar u përzgjodh për transmetim në kanalin e parë televiziv shtetëror spanjoll, (TVE ) i cili pas një komenti prej 10 minutash për Shqipërinë, vijoi programin me 50 minuta shfaqje artistike. Trupa shqiptare do të largohej nga Gran Canaria drejt një surprize që TVE- 5 iu bëri të gjitha trupave pjesëmarrëse, duke organizuar një koncert në ishullin e Lanzarotës. Formacioni i Sukniqit ofroi disa pjesë artistike në një limit kohor prej 30 minutash, duke sjellë pjesët më të spikatura të traditës shqiptare. Drejtuesi i grupit shqiptar, zoti Arian Sukniqi u ftua më pas në një emision special, në të cilën u fol për folklorin shqiptar, traditat, zhvillimin e artit në Shqipëri zhvillimet në periudhën post-komuniste. Grupi prej 23 artistësh paraqiti vlerat më të mira të traditës shqiptare në një festal me shtrirje të madhe ndërkombëtare. Në ndryshim nga herët e tjera, ky aktivitet nuk u sponsorizua nga Ministria e Kulturës, por nga vetë pjesëmarrësit e trupës.

Ekspedita italo-shqiptare zbulon një banjë romake në Hadrianopoli

GJIROKASTËR - Një objekt monumental, që i përket periudhës romake të shekullit III pas Krishtit, u zbulua të premten në teatrin e qytetit antik të Hadrianopolit, rreth 14 kilometra larg Gjirokastrës, gjatë ekspeditës së përbashkët italo-shqiptare që ka nisur prej ditësh në këtë zonë arkeologjike në jug të Shqipërisë. Arkeologu italian, Roberto Pena, i cili prej pesë vjetësh bashkëpunon me Institutin e Arkeologjisë në Tiranë në kuadër të projektit “Archadrin”, tha se "objekti i zbuluar është një banjë romake me avull, ku dyshemeja qëndron mbi tullat rrethore dhe katrore". Objekti që prej shekujsh është ruajtur i paprekur, vijoi arkeologu italian, ka në përbërje edhe tubacionet e shkarkimit të ujit, të realizuara në material plumbi.
Ndërsa arkeologu shqiptar prof. Dhimitër Çondi, bashkëdrejtues i projektit, vlerëson se "ky objekt është bashkëkohor, pasi cilësia dhe mënyrë e organizimit është e njëjtë me ato që janë zbuluar në vilat luksoze në Vrinë, Diaporit dhe Butrint”.
Projekti “Archadrin”, me vlerë 35 mijë euro financim i Rajonit të Markeve (Itali), u shtri fillimisht në teatrin e Sofratikës në rrethin e Gjirokastrës. Ky projekt përfshiu rihapjen e kanalit për kullimin e ujërave të shiut që grumbullohen në zonën e teatrit, duke rivënë në funksion rrjetin e shkarkimit të ujërave të shiut në lumin Drino. Në luginën e këtij lumi ndodhet dhe qyteti antik i Hadrianopolit, teatri i të cilit është objekti i dytë ku po zbatohet ky projekt.

15 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›