Legalizimet, zbardhet ligji i ri për bregdetin
ADI SHKEMBI
Qeveria bën gati draftin për legalizimin e shtëpive në bregdet. Pak ditë pas deklaratës së Kryeministrit Berisha për përshpejtimin e punës në këtë drejtim, pritet që në mbledhjen e ardhshme të miratohet projektligji, i cili i jep fund informalitetit në këtë zonë.
Drafti
Në relacionin e këtij projektligji thuhet se ai vjen për shkak se kompanitë që kanë fituar të drejtën për të ndërtuar fshatra turistikë, në kundërshtim me ligjin kanë shitur shtëpitë e ndërtuara brenda këtyre hapësirave. Por më tej akoma, po në kundërshtim me ligjin, këto kontrata janë regjistruar në hipotekë dhe në këtë institucion rezulton, që ndërtimi është në pronësi të individëve që i kanë blerë, kurse trualli në pronësi të shtetit. Në draft parashikohet ngritja e një komisioni të posaçëm, i cili do të drejtojë të gjithë punën që nga inventarizimi i fshatrave turistikë, ku është ndryshuar destinacioni (pra, ndërtimet janë shitur, ndërkohë që duhet të përdoreshin për turizëm), deri te regjistrimi i truallit të tyre në hipotekë. Dy muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, qytetarët që kanë blerë shtëpi në fshatrat turistikë duhet të depozitojnë pranë këtij komisioni në Ministrinë e Turizmit, kontratën noteriale, ndërsa brenda 60 ditëve, kompanitë që kanë fituar të drejtën për të ndërtuar fshatin turistik, duhet të depozitojnë pranë komisionit lejen e ndërtimit. Pas këtij momenti Komisioni verifikon gjendjen juridike të këtyre trojeve dhe vë re nëse ato pretendohen nga ish-pronarët. Nëse komisioni vëren se ndërtimet në fshatin turistik janë shitur për qëllime fitimi, në kundërshtim me ligjin, i propozon ministrit çregjistrimin e hipotekimit në ZRPP. Pas këtij veprimi qytetarët që kanë blerë ndërtime në fshatin turistik kanë të drejtë të blejnë edhe truallin, i cili deri në këtë moment rezulton i shtetit. Nëse ata nuk paraqesin kërkesë për blerjen e truallit, ndërtimi konfiskohet nga shteti. Ministria e Kulturës autorizon komisionin e posaçëm për lidhjen e kontratave. “Bashkësisë së subjekteve të interesuara u lind e drejta e ofertës së parë për marrje me qira të sipërfaqes së plazhit (ranore, gurore, shkëmbore) e kufizuar në vijë lineare me truallin e zonës së stimuluar, nga autoriteti pronar/administrues i kësaj sipërfaqeje”, thuhet në pikën 6 të nenit 13 të projektligjit. Sipas draftit, çmimi i truallit do të jetë ai i përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, nëse blerja e truallit bëhet 3 muaj nga momenti i njoftimit publik, qytetari përfiton një ulje prej 10% të çmimit të truallit dhe nëse ai e blen brenda muajit të parë përfiton 30 për qind ulje.
projektligji per fshatrat turistike
PROJEKTLIGJ
Nr_________, datë_________2008
PËR
RREGULLIMIN E PRONËSISË MBI TRUALLIN SHTETËROR NË ZONAT ME PËRPARËSI TURISTIKE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Neni 1
Objekti
Ky ligj rregullon marrëdhëniet e pronësisë mbi pronat ku janë realizuar veprimtari stimuluese me përparësi turizmin nga zhvilluesit, të cilët në kundërshtim me ligjin nr. 7665, datë 21.01.1993 “Për zonat me përparësi turistike” (i shfuqizuar), kanë shitur objektet e ndërtuara mbi këto prona duke mundësuar kalimin e pronësisë së këtyre objekteve personave të tretë duke ruajtur natyrën e burimit turistik.
Neni 2
Përkufizime
Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Zonë e stimuluar” është trualli i përshkruar dhe i përfshirë në hartat e bashkëlidhura marrëveshjeve të qerasë, i dhënë për ndërtimin e hotelit/kompleksit turistik.
2. “Veprimtari stimuluese” është çdo nismë që ka për qëllim sigurimin e përfitimeve monetare, nëpërmjet industrisë së turizmit sipas dispozitave të ligjit nr. 7665, datë 21.01.1993 (të shfuqizuar).
3. “Zhvilluesi” është personi fizik ose juridik i cila ka lidhur marrëveshje qiraje me qiradhënësin.
4. “Njësi e ndërtuar” është njësia e ndërtuar nga zhvilluesi mbi zonën e stimuluar, e dhënë nëpërmjet kontratës së qerasë lidhur me Komitetin e Zhvillimit të Turizmit ose Ministrisë së Ndërtimit dhe Turizmit.
5. “Subjekt i interesuar” është personi fizik ose juridik, i cili ka në përdorim njësinë e ndërtimit të realizuar në truallin e dhënë sipas marrëveshjes së qerasë për ndërtimin e hotelit/kompleksit turistik. Zhvilluesi që ka në përdorim njësi banimi, do të trajtohet si Subjekt i interesuar në kuptim të këtij ligji.
6. “Ministria përgjegjëse për çështjet e turizmit” është institucioni përgjegjës për drejtimin e veprimtarisë shtetërore të turizmit.
7. “Qiradhënësi” është autoriteti i cili ka lidhur marrëveshjet e qerasë me zhvilluesit (sipas marrëveshjeve të nënshkruara nga Komiteti i Zhvillimit të Turizmit ose Ministria e Ndërtimit dhe të Turizmit).
Neni 3
Fusha e zbatimit
Ky ligj zbatohet për pronat për të cilat qiradhënësi ka lidhur marrëveshje qiraje me zhvillues me qëllim ushtrimin e veprimtarive turistike në zonat turistike, të cilët duke mos respektuar detyrimet e përcaktuara në marrëveshjen e qerasë kanë shitur ndërtimet mbi këtë pronë subjekteve të interesuara.
KREU II
AUTORITETI PËRGJEGJËS
Neni 4
Komisioni i Posaçëm
1. Komisioni i Posaçëm është autoritet përgjegjës për realizimin e procedurave të inventarizimit deri në kalimin e pronësisë së truallit mbi të cilin është ngritur njësia e ndërtimit, nga pronari shtet tek subjekti i interesuar, i cili funksionon pranë Ministrisë përgjegjëse për çështjet e turizmit.
2. Komisioni i Posaçëm funksionon në vartësi të Ministrisë përgjegjëse për çështjet e turizmit. Përbërja, organizimi dhe shpërblimi i anëtarëve të Komisionit të Posaçëm përcaktohen me urdhër të Ministrit përgjegjës të çështjeve të turizmit.
Neni 5
Detyrat e autoritetit përgjegjës
Komisioni i Posaçëm ka këto detyra:
a) mbledhjen e dokumentacionit të paraqitur nga subjekti i interesuar, i cili ka në përdorim njësinë e ndërtimit;
b) mbledhjen e dokumentacionit të paraqitur nga zhvilluesi, i cili ka lidhur marrëveshjen e qerasë për ndërtim në zonat turistike, sipas nenit 7 të këtij ligji;
c) hartimin e listave përfundimtare mbi inventarizimin e pronave të dhëna me qira dhe ndërtimeve të realizuara mbi këto prona;
ç) hartimin e një relacion shpjegues mbi procesin e verifikimeve të kryera dhe një plan rilevimi duke pasqyruar të dhënat urbanistike të zonës së stimuluar;
d) përllogaritjen e faturës së pronës së njësisë së ndërtuar;
dh) hartimin e kontratave të shit-blerjes ndërmjet Ministrit përgjegjës të çështjeve të turizmit dhe subjektit të interesuar, në përputhje me nenin 12 të këtij ligji.
KREU III
PROCEDURA E INVENTARIZIMIT
Neni 6
Dokumentet që duhet të paraqesë subjekti i interesuar
Çdo subjekt i interesuar, i cili ka lidhur një kontratë shit-blerjeje me zhvilluesin për njësinë ndërtimi brenda zonës së stimuluar, duhet të paraqesë pranë Komisionit të Posaçëm, brenda 60 ditëve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, dokumentet e mëposhtme:
a) kontrata noteriale e lidhur me zhvilluesin për kalimin në pronësi të njësisë/ve së ndërtuar;
b) planimetria dhe sipërfaqen e njësisë së ndërtuar në m2;
c) dokumentet e pronësisë për njësinë e ndërtuar, nëse ka;
ç) dokument identifikimi.
Neni 7
Dokumentet që duhet të paraqesë zhvilluesi
Çdo zhvillues i cili ka në përdorim ose disponon njësi ndërtimi brenda zonës së stimuluar, duhet të paraqesë pranë Komisionit të Posaçëm, brenda 60 ditëve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, dokumentet e mëposhtme:
a) leje ndërtimi për objektin/et e ndërtuar/a në zonën e stimulimit;
b) planimetria dhe sipërfaqja e njësisë së ndërtimit në m2;
c) dokumentet e pronësisë për njësinë e ndërtimit, nëse ka;
ç) dokument identifikimi ose ekstrakt të regjistrit tregtar.
Neni 8
Verifikimi i të dhënave
1. Me depozitimin e dokumentacionit të përcaktuar në nenet 6 dhe 7 të këtij ligji, Komisioni i Posaçëm bën hedhjen e të dhënave sipas formularit të përcaktuar në Udhëzimin e Ministrit përgjegjës të çështjeve të turizmit.
2. Komisioni i Posaçëm bashkërendon punën me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për verifikimin e gjendjes juridike të njësive të ndërtimit dhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të evidentuar nëse ka kërkesa të depozituara nga subjekte, të cilët pretendojnë të drejtën e pronësisë mbi zonën e stimuluar.
3. Komisioni i Posaçëm, në përfundim të verifikimeve të kryera pranë institucioneve të përmendura në pikën 2, harton një relacion shpjegues mbi procesin e verifikimeve të kryera dhe një plan rilevimi duke pasqyruar të dhënat urbanistike të zonës së stimuluar.
Neni 9
Inventarizimi i njësive të banimit
1. Komisioni i posaçëm, mbi të dhënat e verifikimeve dhe planit të rilevimit bën inventarizimin përfundimtar të njësive të ndërtimit brenda zonës së stimuluar.
2. Mënyra të detajuara për identifikimit e të dhënave dhe inventarizimit të njësive të ndërtimit mbi trojet brenda zonës së stimuluar, mund të caktohet me Udhëzim të Ministrit përgjegjës të çështjes së turizmit.
Neni 10
Prishja e kontratës së qirasë
Kur Komisioni i Posaçëm, në përfundim të procesit të përmendur në pikën 3 të nenit 8, të këtij ligji, konstaton që zhvilluesi ka kryer veprimtarinë stimuluese në kundërshtim me kontratën e qirasë, i propozon Ministrit përgjegjës për çështjet e turizmit zgjidhjen e kontratës së qirasë, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil.
Neni 11
Çregjistrimi i njësive të banimit
Njësitë e ndërtimit që janë regjistruar në favor të subjekteve të interesuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, konsiderohen të kundërligjshme. Në këtë rast, Komisioni i Posaçëm i propozon Ministrit përgjegjës për çështjet e turizmit të kërkojë çregjistrimin nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të këtyre njësive të ndërtimit.
KREU IV
PROCEDURA E BLERJES DHE KALIMIT TË PRONËSISË SË TRUALLIT TË NJËSISË SË NDERTIMIT
Neni 12
Blerja e truallit të njësisë së ndërtimit
1. Subjekte e interesuar kanë të drejtë të kërkojnë blerjen e truallit të njësisë së ndërtimit, të cilin e disponojnë mbi bazën e dokumenteve të paraqitura në përputhje me nenet 6 dhe 7, të këtij ligji.
2. Trualli i njësisë së ndërtimit brenda zonës së stimuluar do t’i shitet subjekteve të interesuara duke garantuar ndarjen proporcionale të çmimit të truallit në raport me sipërfaqen e truallit të përdorur në mënyrë individuale.
Neni 13
Procedura e kalimit të së drejtës së pronësisë të truallit dhe njësisë së banimit
1. Ministri përgjegjës për çështjet e turizmit urdhëron Komisionin e Posaçëm të hartojë kontratën e shit-blerjes, në emër të tij për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësisë së ndërtimit brenda zonës së stimuluar. Kontrata e shit-blerjes lidhet pasi bëhet pagesa e plotë e truallit të njësisë të ndërtimit.
2. Kontrata e lidhur midis Ministrit përgjegjës të çështjeve të turizmit dhe subjekteve të interesuara depozitohet pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për regjistrimin e truallit të njësisë së ndërtimit.
3. Kalimi i pronësisë së truallit të njësive të ndërtimit brenda zonës së stimuluar në bazë të kontratës së shit-blerjes mund të kryhet vetëm në pjesë të pandarë, ideale, në përputhje me parashikimet e dispozitave të Kodit Civil.
4. Administrimi i truallit të njësisë të ndërtimit brenda zonës së stimuluar përcaktohet sipas dispozitave të Kodit Civil që rregullojnë marrëdhëniet e bashkëpronësisë.
5. Mbi kalimin e pronësisë së njësisë së ndërtimit në emër të subjektit të interesuar nuk do të aplikohet taksa e kalimit të pronësisë. Regjistrimi i njësisë së ndërtimit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, do të bëhet në emër të subjektit të interesuar pasi të jetë lidhur kontrata e shit-blerjes për truallin e njësisë së ndërtimit brenda zonës së stimuluar.
6. Bashkësisë së subjekteve të interesuara u lind e drejta e ofertës së parë për marrje me qira të sipërfaqes së plazhit (ranore, gurore, shkëmbore) e kufizuar në vijë lineare me truallin e zonës së stimuluar, nga autoriteti pronar/administrues i kësaj sipërfaqeje.
Neni 14
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve për të drejtën mes kërkuesit
Në rastin kur, njësitë e banimit janë regjistruar në favor të dy ose më shumë subjekteve të interesuara Komisioni i Posaçëm i propozon Ministrit përgjegjës për çështjet e turizmit, mospranimin e lidhjes së kontratës së shit-blerjes së njësisë së banimit, deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes nga gjykata.
KREU V
PROCEDURA E PËRLLOGARITJES SË TRUALLIT TË NJËSISË SË BANIMIT DHE TATIMIT TË PRAPAMBETUR
Neni 15
Procedura e përllogaritjes së çmimit të truallit
1. Çmimi i truallit të njësive të ndërtimit brenda zonës së stimuluar do të përcaktohet në bazë të hartës të vlerës së tokës të miratuar më Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. Datë.
2. Komisioni i Posaçëm redukton në masën 10% shumën e çmimit të truallit të njësive të ndërtimit brenda zonës së stimuluar nëse subjekti kryen plotësisht pagesën brenda 3 muajve nga momenti i njoftimit publik.
3. Komisioni i Posaçëm redukton në masën 30% shumën e çmimit të truallit të njësive të ndërtimit brenda zonës së stimuluar nëse subjekti kryen plotësisht pagesën brenda 1 muajve nga momenti i njoftimit publik.
4. Në rast se sipërfaqja e pronës e tejkalon sipërfaqen e përfshirë në marrëveshjen e zhvillimit, pjesa e mbetur jashtë përcaktimit i nënshtrohet procedurave të sekuestrimit, në përputhje me ligjet në fuqi.
5. Të ardhurat e realizuara nga arkëtimi i shitjes së truallit brenda zonës së stimuluar, pa pretendime nga ish-pronare, llogariten si fond i veçantë për kompensimin e ish pronareve.
6. Të ardhurat e realizuara nga arkëtimi i shitjes së truallit brenda zonës së stimuluar llogariten si fond i veçantë për kompensimin e ish pronarit/ve të truallit, i cili/ të cilët pretendojnë të drejtën e pronësisë mbi atë truall, objekt i kontratës së shit-blerjes me subjektin e interesuar.
Neni 16
Përllogaritja e tatimeve të prapambetura
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën përllogaritjen e detyrimeve tatimore që lindin për personin e stimuluar si pasojë e shkeljes së kontratës së qirasë dhe ndjek procedurat për mbledhjen e tyre
KREU VI
SANKSIONE ADMINISTRATIVE
Neni 17
Kundërvajtjet administrative
1. Depozitimi dokumenteve dhe të dhënave të rreme ose të pasakta nga subjektet e interesuara, nëse nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.
2. Për kundërvajtjen e mësipërme personat juridikë dënohen me dyfishin e gjobës së përcaktuar në pikën 1.
3. Gjobat vendosen nga organet tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
4. Gjobat paguhen nga kundërvajtësi jo më vonë se 30 ditë nga komunikimi i gjobës.
Neni 18
Ankimi
Kundërvajtësi brenda 10 ditëve nga dita e marrjes së njoftimit mbi vënien e gjobës mund të bëjë ankim në gjykatë sipas Kodit të Procedurës Civile.
KREU VII
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 19
Aktet nënligjore
Ngarkohet Ministri i çështjeve të turizmit të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Neni 20
Shfuqizime
Pika 1/ç e nenit 3 të ligjit nr. 9583 datë 17.07.2006 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9235 datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Neni 21
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYETARE
Jozefina TOPALLI
Penalizohen regjistruesit e shtëpive, taksa shtesë për ndërtuesit
Si do kompensohen pronarët e tokës në fshatrat turistikë
ADI SHKEMBI
Paralelisht me procedurën për legalizimin e banesave në bregdet, Qeveria ka përcaktuar edhe mënyrën se si të ardhurat do të shkojnë për ish-pronarët.
Kështu, nëse fshati turistik është i ndërtuar në një zonë, në të cilën nuk ka pretendime nga ish-pronarët, të ardhurat nga shitja e çmimit të truallit do të kalojë si fond i veçantë për kompensimin e kësaj kategorie. Në të njëjtën kohë qeveria ka veçuar rastet kur në fshatrat turistikë ka pretendime nga ish-pronarët për truallin. Pronarët e këtij trualli përfitojnë menjëherë të ardhurat nga shitja e tij prej qytetarëve që kanë blerë ndërtesat në fshatin turistik. “Të ardhurat e realizuara nga arkëtimi i shitjes së truallit brenda zonës së stimuluar llogariten si fond i veçantë për kompensimin e ish-pronarit/ve të truallit, i cili/të cilët pretendojnë të drejtën e pronësisë mbi atë truall, objekt i kontratës së shit-blerjes me subjektin e interesuar”, thuhet në pikën 6 të nenit 15.
Tatimet
Por në të njëjtën kohë, kompanitë që kanë ndryshuar destinacionin e fshatrave turistikë, ku në kundërshtim me ligjin kanë shitur shtëpitë e ndërtuara në këto zona, do të jenë të detyruara të paguajnë taksën e shitjes pranë organeve tatimore. “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën përllogaritjen e detyrimeve tatimore që lindin për personin e stimuluar si pasojë e shkeljes së kontratës së qirasë dhe ndjek procedurat për mbledhjen e tyre”, thuhet në nenin 16 të projektligjit. Me miratimin e këtij drafti, veç ndërtuesve pritet të ketë penalizime edhe në radhët e punonjësve që kanë regjistruar kontratat e shtëpive në fshatrat turistikë. Sipas relacionit regjistrimi i këtyre kontratave përbën shkelje të legjislacionit në fuqi. I gjithë procesi i legalizimit të shtëpive në bregdet do të monitorohet nga Komisioni i Posaçëm që do të ngrihet pranë Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve.