E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditari i ambasadorit:Unë shqiptari i parë që vizitova Kolumbinë

 

Piro Andoni

Unë isha i pari, së paku nga zyrtarët shqiptarë, që vizitova Kolumbinë. Ishte vera e vitit 1986. Aq sa dija për të deri atëherë, nuk kalonte matanë bujës së lajmeve me trafiqet e   narkotrafikantëve. Në detyrën e diplomatit për rajonin e Amerikës Latine, isha njohur me disa nga zhvillimet kryesore të vendit, por gjithsesi dhe kjo një tabllo e kufizuar. Imazhi i përbotshëm me të cilin indetifikohej Kolumbia, i bënte vizitorët, sidomos ata që shkonin për herë të parë, të ndjeheshin të pasigurt e në një stres makthi. Sidoqoftë, statusi i diplomatit me të cilin udhëtoja për aty, më jepte një lloj garancie dhe aty për aty më bënte të mendoja se nuk do të ballafaqohesha me ndodhte ndonjë situatë kërcënuese. Po a ishte vërtetë kështu? Tre ditët e qëndrimit në mbretërinë e nakrotrafikantëve, përjetuam mjaft të papritura...
Në Kolumbi, 6 gusht 1986
U nisën në Kolumbi për të marrë pjesë në ceremonitë e marrjës se pushtetit nga presidenti Vargas i Partisë Liberale. Afro 4 vjet pas qeverisjes së Belisario Betankurt, në një klimë politike të tensionuar, u harrit të zgjedhet një president tjetër.  Për të parën herë një delegacion shqiptar merrte pjese në këtë vend. Ishin përpjekjet e para për një hapje të vendit tonë drejt perëndimit, sidomos me vendet e reja. Udhëtimi nis pas një shkëputje të menjëhershme të avionit nga toka. Pas 5 orë e 40 minuta zbritëm në aeroportin e Guajakilit në Ekuador. Bëhet një orë pushim. Pastaj nisemi drejt Bogotës. Zbresim në njërin nga tre aeroportet e saj. Duket se atë ditë priteshin edhe shumë delegacione të tjera të huaja. Nëpunësit e protokollit, një vajzë dhe një djalë, na përshëndesin dhe na japin programin. Pastaj me një makinë të prodhimit kolumbian nisemi drejt hotelit “Taquedema”. Po atë pasdite në orën 18.00, ishte pritja nga presidenti, Belisario Betankurt. Shkuam edhe ne. Jemi vendosur midis delgacioneve të Zelandës së Re dhe Xhamajkës. Pastaj, nga sa konstatuam, vinte delegacioni grek, i kryesuar nga një pjestar i Qeverisë.
7 Gusht 1986
Në sallën e kongresit do të zhvillohet ceremonia e dorëzimit të presidencës kandidatit të ri. Salla ku do të bëhet ceremonia ka llozhë dhe plate. Në krahun e djathtë janë vendosur të ftuarit. Vendet e para u janë lenë presidentëve të ftuar. Nga vendet e Amerikës Latine ka disa që janë përfaqësuar nga vetë presidentët. Për një çast hedhim sytë në mure, ku është vendosur një tablo me figurën e çlirimtarit të Kolumbisë e të vendeve të tjera të Amerikës së Jugut, Simon Boliver. Në të majtë lexohet ky citat i tij:”Kolumbianë! Armët ju dhanë pavarësinë, ligjet do t’u japin lirinë!” S. Bolivar
Presidenti i ri, Virgilio Barkas, mbajti fjalimin programatik. Të gjitha delegacionet me radhë takohen me të dhe i dorëzojnë mesazhin e presidentit të vendit të tyre. Ne, shqiptarët, si përherë edhe në këtë rast, treguam një të veçantë. Nuk kishim përshëndetje të shkruar, por e bëmë atë me gojë aty për aty. Pastaj e shfrytëzuam kohën në dispozicion për të marrë kontakt me delegacione të vendeve të ndryshme. U takuam me shumë prej tyre. Përgjithësisht qendrimi ndaj vendit tonë ishte miqësor, por edhe këtu do të bëja një ndarje. Vendet europiane, përfshirë në radhë të parë fqinjët tanë, ishin më të ftohtë, kritikë, ndonjë edhe mospërfillës. Brenda këtij grupi, ka edhe vende që shprehnin gatishmëri për bashkëpunim, si Gjermania, përfaqësuesit e të cilës nuk e fshihnin interesin për të ndryshuar raportin e marrëdhënieve me vendin tonë. Sigurisht, këto sinjale i vinin qendrës jo vetëm nga një anë. Po kaq interes shprehnin edhe vendet e Europës Lindore, por kjo më shumë nxitej nga kupolat se sa nga interesi për një rrjedhë të re të zhvillimeve politike, ekonomike dhe shoqërore. Më kujtohet biseda me kryetarin e delegacionit jugosllav, ishte ambasador në Venezuelë dhe e kishin caktuar të kryesonte delegacionin në kalimin e pushtetit. Kur trajtuam çështjen e vështirësive në tregti, problemet e punësimit, nevojën për shtimin e tregtise së jashtme, ai m’u përgjigj: - Pse nuk bëni edhe ju atë që bëmë ne? Lerini njerëzit të dalin jashtë të punojnë. Në vendet tona nuk mund të ndryshojë gjendja, nëse nuk do të ketë emigracion. Të pranoje një ide të tillë ishte jo vetëm gabim, por edhe një gafë. Megjithatë pata kurajon ta njoftoja ministrin rreth kësaj bisede. Përgjigja që mora ishte se “në të tilla raste duhet mbajtur qendrim klasor i prerë”. Nuk e kuptova as atëherë, as sot se ç’donte të thoshte zëvendësministri ynë me këtë deklaratë.  Grupin e dytë  të vendeve me të cilin ne kishim biseduar e përbënin ato të Azisë e të Afrikës. Përgjithësisht ishin dashamirës dhe admirues të politikës sonë të jashtme. Udhëheqësi i Shqipërisë, Enver Hoxha, gëzonte një autoritet të rrallë në radhën e këtyre vendeve. Kjo, falë edhe njohjes që kishin këto vende për Shqipërinë. Grupi i tretë përbëhej nga vende me të cilat kishim marrëdhënie diplomatike apo nuk kishim, por që e njihnin pak apo aspak vendin tonë. Këtu përfshiheshin disa vende të Amerikës Latine si, Venezuela, Ekuadori, Panamaja etj. Me këto delegacione ne shtronim pikëpamjet tona dhe dëshirën për shtimin e marrëdhënieve me vendet e tyre. Në subkoshiencë atëherë ekzistonte mendimi se zhvillimi i marrëdhënieve me vendet e tjera kërkonte një potencial ekonomik dhe diplomatik, që ne si një vend i vogël nuk mund ta përballonim. Ishte e domosdoshme të bëhej një gjë e tillë për të krijuar imazhin e vendit që ka rezerva dhe mundësi të medha, se nuk është ai që trajtohet me ngjyra të zeza nga shumë organe të shtypit perëndimor, në krye të të cilit ishte ai evropian. Pas takimeve zyrtare patëm edhe kohë të lirë. Por porosia e vëndasve ishte të ruheshim e të mos dilnim në zona periferike. Pavarësisht nga kjo, njohëm disa kuriozitete të Kolumbisë. Ky është vendi që njihet për prodhimin e kafesë. Por Kolumbia njihet edhe si vendi i eksportit të drogës. Kokaina është një nga produktet që kultivohet dhe përpunohet në vend. Që nga vitet ’60 të shekullit të kaluar ajo i mori Bolivisë monopolin e prodhimit të Kokës, duke siguruar kështu prodhimin dhe përpunimin e saj në vend. Djepi i narkotrafikantëve është qyteti i Medellinit, ai konsiderohet zemra e tyre. Në mes të gushtit të vititi 1989, një ministër i Drejtësisë u shtri i vrare përtokë me disa plumba. Një tjetër politikan, ambasadori kolumbian në Budapest, u ekzekutua perpara selise se tij sapo doli tek dera. Pas ketyre i erdhi radha prekurorit te qytetit te Medellinit, pa  permendur edhe shume te tjere te inkuadruar ne levizje te majta. Ketyre atentateve nuk mund tu vesh emer.  Gjatë ditëve që qëndruam në këtë vend në mjetet e informacionit shpalleshin viktimat e shumta që vinin si pasojë e krimit të narkotrafikantëve. Brenda 15 ditëve janë ekzekutuar më shumë se 100 vetë. U organizua një fushatë kundër narkotrafikantëve, në krye të së cilës qëndronin forcat qeveritare të ndihmuara edhe nga specialistë të huaj.Po cilat ishin rezultatet?Afro 13.000 vetë ishin pjestarë dhe veprimtarë të saj. U sekuestruan 2000 makina, një rrjet radiotransmetimi i brendshëm, mbi 1500 armë dore, vepra arti, mbi 20 milionë dollarë. Mirëpo komentet e mëvonshme citojnë se këto shifra duhet të merren për të vërteta po të shumëzohen me 100. P.sh, dy pallate i ishin kushtuar vetëm kësaj pune, ndërsa diskoteka ndodhej në një shtëpi të madhe të fortifikuar. Të gjitha këto e shumë të tjera, vërtetojnë atë që është nënvizuar në sa e sa raste se narkotrafikantët janë një shtet brenda shtetit. Këtë në Kolumbi e dinë të gjithë.
9 gusht ‘86
Dita e fundit në Kolumbi. Ajo që na la më shumë  përshtypje është dashuria që kanë banorët për vendin. Megjithëse të  terrorizuar, të varfër, ata e duan dhe admirojnë vendin  e tyre. Por sa del nga dera e hotelit, shoqëruesi të ndjek pas, duke kërkuar atë që cituam në fillim të këtyre shënimeve. Pak minuta më parë, jo më larg se 200 m nga hoteli, në derën e një banke të madhe shpërtheu një bombë që tronditi gjithë Bogotën. Mikpritja, karizma e vendasve, konsideratat ndaj vendit tonë, të veçantat e qytetit, kuriozitetet, bukuria e folklorit, mbi të gjitha, shija e kafes kolumbiane, do të mbeten të pashlyera nga kujtesa për shumë vite, ndoshta dhe për gjithë jetën.
 Mars 1987
Kemi nisur rrugëtimin për në Brazil. Zgjimi i kësaj dite na çon drejt një vendi të madh, lider në politikën latino-amerikane, me një potencial të madh ekonomik, me qëndrime kontradiktore ndaj vendit tonë. Teksa zbresim në aeroportin e Rio de Zhaneiros nëpunësi i protokollit na përcjellë duke lehtësuar kalimin në avionin që do të na çonte në Brazil. Pas një ore arrijmë në Brazilia. Në aeroport ka dalë një grumbull njerëzish për të na përshëndetur. Midis tyre janë edhe katër deputetë të Partise Komuniste të Brazilit- pro shqiptarë, anëtarë të shoqërisë së miqësisë Brazil-Shqipëri, miq dhe simpatizantë të vendit tonë. Një fëmijë me ngyrën e mulatit, karakteristike për brazilianët, na afrohet dhe na dhuron një tufë me lule. Fotografia e çastit, kur unë e mora në krahë dhe e përqafova, ishte fiksuar të nesërmen në faqen e parë të gazetës më të madhe të Brazilit, “Zhornal du Brazil”, me diçiturën: “Ambasadori i parë i Shqipërisë arrin në Brazil”. Nëpunësi i protkollit, Manuel Antonio Gomes, një burrë mbi të 50-at, e nisi bisedën duke na folur për Brazilian, kryeqytetin administrativ të vendit. Ai na thotë: “Brazilia i ngjan një shpendi vigan, që ka krahët e shqiponjës, të tilla sa arrijnë në kufijtë e qytetit. Pamja e këtij shpendi duket po ta shikosh nga avioni”. Ai na tregoi se projektuesi i Brazilias ishte Oskar Neymeyer. Ai ka lindur në Rio de Zhaneiro në vitin 1907. Duke qenë një nga gjenitë e projektit, ai mori pjesë në konkursin e Brazilias në vitin 1957. Në vitin 1963, qeveria sovjetike i akordoi çmimin “Lenin për paqe”. Në vitin 1964 qeveria ushtarake e Brazilit e la pa punë. Por ai u mor në mbrojtje nga presidenti i mëparshëm i Francës, De Gol. Ministria e Kulturës e Francës i akordoi punë dhe kushte  të tjera të favorshme. Është autor i disa projekteve të mëdha në Azi, Afrikë dhe në Amerikën e Jugut. Por projekti i Brazilias e ka bërë të pavdekshëm. Ideja e krijimit të një qendre të re administrative në Brazil kishte lindur fillimisht në fund të viteve ’50. Qëllimi ishte se duhet t’i hiqej pushteti administrativ Rio de Zhaneiros dhe ai ekonomik San Paolos, dhe të krijohej një qendër e re administrative në një vend të përshtatshëm midis këtyre dy gjigandëve të Brazilit.... 
Takimi me Oscar Neimeyer
Teksa ishim në Brazilia, nuk mund të rrinim pa takuar me Oscar Neimeyer, këtë personalitet të respektuar në Brazil.  Që në çastet e para e përgëzuam për kryeveprën e tij, qëndrën e Brazilisë dhe Oskar duke na hedhur duart në krahë u shpreh: “Arkitektura është një manifestim i shpirtit, i imagjinatës dhe i poezisë”. Mëshirimi i kësaj thënieje është Brazilia. Vizitorët që vijnë për herë të parë në këtë qendër interesante mahniten me ndërtimet dhe rrugët. Vendosja  e ministrive, katedrales, si dhe të tre pushteteve, kongresi, pallati presidencial dhe ai i drejtësisë, formojnë një kompleks impresionues, që ka pushtet mbi ndërgjegjen e njeriut. Kjo figurë të shquar e kulturës dhe shkencës në Brazil, në vitin 1945, siç tregoi vetë, kishte hyrë në Partinë Komuniste të Brazilit, nga e cila ishte larguar vite më vonë si pasojë e zhgënjimit dhe humbjes së besimit te teoria marksiste. Megjithatë, O. Neimeyer dëgjon dhe interesohet për realizimet e vendit tonë. Pavarësisht nga mosha e thyer, ai shpreh interesin për ta parë Shqipërinë në një udhëtim të mundshëm. Ai tregon se në projektin e Brazilias ka patur bashkëpunëtorë të afërt mjeshtrin Lucio Costa, i cili ka projektuar ndërtimet dhe planimetrinë e qytetit dhe Roberto Burle Marx njeriun që ka projektuar kopshtet dhe parqet pa të cilat Brazilia nuk mund të gëzonte famën dhe preferencën e saj karakteristike. Ndërkaq ai me modesit na flet për mënyrën si mund të zgjerohet arkitektura urbane në një vend mesdhetar si Shqipëria. Vërtetë që Oskar nuk kishte qënë ndonjëherë në vendin tonë, por si një nga personalitetet e rralla të mjeshtërisë së arkitekturës botërore, e njihte mirë konfiguracionin e Shqipërisë dhe kishte mjaft mendime interesante për zhvillimet urbane. Në thelb ideja e tij kishte të bënte sa me ruajtjen e virgjërisë natyrale të mjedisit aq dhe me zgjerimin e profileve bashkëkohore të ndërtimeve të reja. Sidoqoftë, do të ishte mirë që mendjen e këtij gjeniu ta dëgjonin nga afër specialistët tanë, sidomos tani në vrullin e jashtëzakonshëm të zhvillimeve pas vitit 90...
Bazilia 25 mars 1987.
Në ceremonitë zyrtare të paraqitjes së kredencialeve. Pa stë gjitha procedurave zyrtare u ndodhëm përpara presidentit Sarney. Është një burrë, i cili që në fjalën e parë të heq emocionet. Flet spanjishten dhe biseda me të bëhet pothuaj jashtë rregullave protokollore. Që në fillim ai shprehu konsideratat për Shqipërinë, të cilën e njihte vetëm nga qëndrimet e saj, por jo në detaje. Në rastin e Brazilit që në atë kohë ëndërronte të bëhej fuqia e shtatë ekonomike në botë, sipas tij, pozicionimi i vendit tonë kishte shumë interes. Më qëlloi të takohesha me presidentin  Sarney tre vjet më vonë, në një pritje zyrtare, u   në Buenos Aires. Ai sapo ishte kthyer nga një vizitë në Bashkimin Sovjetik. Përpara dëgjuesve të shumtë tregoi të veçantat e sistemit socialist. Vlen të përmend një nga thëniet e tij: “Nuk arrita të kuptoj se si është e mundur që një vend që ka çuar njeriun në hënë, që ka lëshuar satelitë e kozmonautë, t’i ketë dyqanet pa televizorë e sende të tjera elektro-shtëpiake?!” Në këtë takim entuziazmi ynë kishte rënë. Gjërat në vendin tim kishin filluar të ndryshonin. Vështirësitë ekonomike ishin të mëdha dhe perspektiva dukej e errët. Pavarësisht nga këto, me presidentin karizmatik të Brazilit, folëm si herën e parë, kuptuam se midis vendeve ka mundësi komunikimi, pavarësisht nga largësitë, se Brazili është një potencial i madh,  jo vetëm i futbollit, por edhe i zhvillimit. Në darkë, i lodhur, isha kthyer në hotel. Ora kishte kaluar nga 22, kur bie zilja e telefonit. Një zë gruaje më pyet nëse isha ambasadori i Shqipërisë. Pasi konfirmova, ajo m’u lut të flisja me ambasadorin grek, Aleksis. Më përshëndeti dhe më uroi. Por nuk harroi të thoshte se për të kishte qenë një surprizë jehona që i dha kësaj vizite shtypi i vendit. Pastaj Aleksis më ftoi në festën kombëtare të vendit të tij, që do të bëhej të nesërmen. Pranova me kënaqesi ftesën, si dhe propozimin që një nga darkat ta kalonim së bashku. Nga miqtë e shumtë që kam pasur, Aleksis do të mbetet i paharruar. Ai vlerësonte shumë bashkëjetesën në paqe midis shteteve, sidomos midis vendeve fqinje. Njihte shumë mirë marrëdhëniet e vendit tonë me Greqinë dhe shpresonte në një ulje të tensionit midis tyre. Një vit më vonë, përsëri në një telefonatë nga Brazilia, bashkëshortja e tij, Helena, më dha lajmin e hidhur se Aleksis kishte vdekur si pasojë e një ataku kardiak. Lajmi më hidhëroi shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›