Akcizat, rriten para kohe pjesët e makinave dhe vajrat lubrifikant
Ervin KOÇI
Ende pa hyrë në fuqi akcizat e reja të miratuara tashmë nga qeveria, tregtarët kanë nisur me rritjen dy fish të pjesëve të makinave, gomave dhe vajrave lubrifikant. Këtë fakt e kanë konstatuar ditët e fundit dhjetëra shoferë, të cilët kanë qenë të detyruar të bëjnë shpenzime më të mëdha për shërbimet mekanike të automjete të tyre. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga mekanikët dhe pronarët e auto-serviseve, që në shumicën e rasteve tregtojnë edhe pjesë këmbimi për automjete, si dhe vajra lubrifikant. Ata pohojnë se tani për të mbajtur një automjet për cilin do individ po bëhet gjithmonë e më e vështirë. “Krahas taksave të makinave dhe karburantit, kohët e fundit janë rritur edhe taksat për pjesën e automjeteve dhe vajrat e ndryshëm dhe shoferëve u shkon më shtrenjtë një servil makine”,- thotë Genti një mekanik në rrugën “Ali Demi”. Duke filluar nga çmimet e gomave, baterive, filtrave të ndryshëm, vajrave lubrifikant, rripave të ndryshëm dhe çdo pjesë këmbimi për automjetet është rritur disa herë nga çka qenë vetëm disa javë më parë. Çmimet e rritura janë reflektuar menjëherë në dyqanet që tregtojnë pjesë këmbimi për automjete, por më të shtrenjta rezultojnë të jenë ato origjinale që kryesisht tregtohen në dyqanet e autosallonëve të makinave. Sipas Gimit, një mekaniku nga Tirana e Re, “tani shoferët që kryesisht i përdorin makinat e tyre për punë do t’u drejtohen më shumë varrezave të makinave në periferitë e qyteteve për të gjetur pjesë këmbimi, pasi blerja e të rejave nuk mund të përballohet nga cili do”.
Rritja e çmimeve
Me rishikimin që synon ti bëjë paketës së akcizës, qeveria parashikon të risë taksat për një pjesë të madhe të artikujve të konsumit, si të lëndëve që kanë lidhje me to. Një gjë e tillë do të sillte menjëherë një shtrenjtim të nivelit të jetesës, në një kohë që shumë prej produkteve që pritet tu ritet akciza, janë aktualisht të shtrenjta. Në këtë listë futen një pjesë e ushqimeve të cilave u vendoset akcizë për ambalazhet e tyre, por edhe shumë lëndë të para dhe lëndët djegëse. Në listën e artikujve që u ritet akciza janë karburantet, gomat e makinave, vajrat lubrifikante, pjesët e këmbimit për automjete, si dhe pijet alkoolike, bira, cigaret, dhe mjaftë produkte të importit. Niveli aktual i taksave për karburantet duket se nuk kënaq autoritetet shtetërore, pasi kanë planifikuar rritjen e disa nënprodukteve. Bëhet fjalë për lëndë të para djegëse që nevojiten për industrinë e rëndë të prodhimit, si solar apo naftë virgine, që përdoren edhe për sektorin e bujqësisë, për ngrohjen e serave, etj. Qeveria mendon t’u rrisë taksën këtyre produkteve, duke i unifikuar me karburantet e tjera, naftë dhe benzinë, që aktualisht janë 37 lekë për litër. Rritja e taksave do të sjellë kosto shtesë për subjektet private në sektorin e prodhimit, që Ministria e Financave e vlerëson në rreth 50 milionë dollarë. Drafti pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave, pasi të jetë diskutuar me grupet e interesit në Këshillin Konsultativ.
Rritja e akcizave
Një rishikim apo rritje e akcizës për lëndët e para dhe ato djegëse, do të bënte që çmimi i karburanteve të rritej akoma e më shumë, tashmë jo si lëvizje e lirë e tregut, por me ndërhyrjen e vet qeverisë. Kështu, propozohet që për herë të parë nafta virgine të ketë një akcizë prej 70 lekë litri, kur sot niveli është zero. Tjetër propozim lidhet me karburantet, tip vajguri, që pritet të futen në listën e produkteve që duhet të paguajnë akcizë, në masën 20 lekë për litër. Sipas parashikimeve të bëra nga MF-ja, vetëm nga rritja e taksës për naftën virgin, kostoja shtesë për konsumatorin vlerësohet të jetë 21 milionë dollarë. I njëjti efekt negativ do të ketë edhe për biznesin prodhues dhe atë bujqësor, sa i takon rritjes së solarit dhe mazutit, me rreth 21 milionë dollarë. Efekte do të ketë edhe për nënprodukte e tjera të karburantit që pësojnë rritje, si për karburantet, tip vajguri me 70 mijë dollarë dhe për hidrokarbure aciklike dhe ciklike me 8 milionë dollarë. Kështu, për herë të parë në listën e produkteve që paguajnë akcizë në shkallë të ndryshme do të futen nafta virgine dhe karburantet tip vajguri. Kjo është njëra anë, pasi Financat propozojnë rritje për produktet e tjera, që janë në skemë. Ato janë konkretisht vajrat e rëndë si lëndë djegëse (solar, mazut), që aktualisht janë 13 lekë për kilogram, dhe propozohet të bëhen 37 lekë. Rritja në 37 lekë nga 5 lekë që është aktualisht prek edhe hidrokarburet aciklike dhe ciklike që përfshin (etilen, benzen, toluol, ksilol).
Ndryshimet e propozuara në nivelin e akcizës:
Kafe papjekur 30 lekë/kg
Nafta virgine 50 lekë/litri.
Vajguri 20 lekë/litri
Solar, mazut 20 lekë/kg
Etilen, benzen 20 lekë/litri
toluol, ksilol 37 lekë/ kg
Ambalazhi plastik 100 lekë/kg
Ambalazhet e qelqit 10 lekë/kg
Goma të reja 20 lekë/kg
Goma të riveshura 40 lekë/kg
Goma të përdorura 100 lekë/kg
Ambalazh i përzier 20 lekë/kg
Pilat dhe bateritë 200 lekë/kg
Akumulatorët elektrikë 20 lekë/kg
24 Maj 2010