Ndërtimi rënie me 20 për qind, kriza pakësoi kërkesat edhe për lejet
Ekonomia shqiptare investoi 70 miliardë lekë në ndërtimtari (rreth 520 milionë euro) gjatë vitit 2009, me rënie 20 për qind kundrejt vitit të kaluar, sipas shifrave të publikuara së fundmi nga Instituti i Statistikave. Vlera e punimeve sipas lejeve të ndërtimit ka ardhur në rënie, pavarësisht volumit të stërmadh të punimeve të kryera me financime të buxhetit të shtetit. Në sektorin privat, kompanitë kërkuan leje për ndërtesa me vlerë të përgjithshme prej 62.5 miliardë lekësh, ose 35 për qind më pak se një vit më parë. Rënia duket se ka qenë dramatike në grupin “Ndërtesa të tjera”, ku përfshihen ndërtimet për qendra tregtare, fabrika apo hotele. Investimet e programuara në këtë segment ranë në 13.2 miliardë lekë, ose 81 për qind më pak se në vitin 2008. Industria private e ndërtimit në Shqipëri përjetoi krizën e vet më të rëndë në të gjitha kohërat gjatë vitit të kaluar, për shkak të rënies së kreditimit për banesa, që solli rënie drastike të shitjeve. Kriza mbërriti në një kohë shumë të papërshtatshme për këtë industri, e cila gjatë viteve 2007-2008 pati filluar realizimin e blloqeve të reja të apartamenteve në zonat periferike të Tiranës, si Kashari, Dajti apo Farka. Bankat ndaluan pothuajse totalisht kreditimin e familjeve që nga fillimi i vitit 2009. Sasia e përgjithshme e kredisë për blerje pronash të patundshme ra me 60 për qind dhe vetëm gjatë muajve të fundit është vënë re një rigjallërim i lehtë.
Një pjesë shumë e madhe e apartamenteve të ndërtuara në periferi të Tiranës, të cilat qenë ideuar për të ofruar banesa relativisht të lira, kanë mbetur aktualisht pa u shitur, ndërsa një pjesë e ndërtuesve kanë pezulluar përkohësisht punën pasi janë përballur me krizë likuiditeti. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, me mijëra apartamente dhe me mijëra metra katrorë zyra kanë mbetur pa blerës gjatë vitit 2009, gjë që ndodh për herë të parë, pasi gjatë dy dekadave të fundit, uria për banesë ka qenë aq e madhe, sa apartamentet prenotoheshin dhe fillonin të paguheshin që në çastin kur hapeshin themelet. Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në të gjithë Shqipërinë erdhi në rritje gjatë vitit të kaluar, por sasia e punimeve të parashikuara pësoi rënie. Pushteti vendor në të gjithë vendin lëshoi gjithsej 1522 leje gjatë vitit të kaluar, nga 1492 të lëshuara në vitin 2008. Më 2009 u mor leje ndërtimi për 2.3 milionë metra katrorë ndërtesa, nga 2.9 milionë metra që qenë miratuar në vitin 2008. Tirana dhe Durrësi mbeten qytetet me më shumë leje ndërtimi të dhëna, duke zënë secila rreth 20 për qind të totalit.
24 Maj 2010