Remitancat, të ardhurat e Shqipërisë nga emigracioni kanë pasur tendencë negative
Të ardhurat e Shqipërisë nga emigracioni kanë pasur një rënie neto për dy vite radhazi, duke pasqyruar papunësinë e lartë të krijuar në vendet pritëse si Greqia dhe Italia. Remitancat arritën kulmin në vitin 2007, kur Banka e Shqipërisë vlerësoi se të ardhurat nga puna në emigrim qenë 951.7 milionë euro. Por rënia qe e shpejtë në dy vitet në vijim. Në vitin 2009, emigrantët sollën vetëm 780 milionë euro, kuota më e ulët kjo e shënuar që nga viti 2004. Remitancat kanë qenë motori më i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare gjatë dy dekadave të fundit. Vlerësohet se çdo euro e sjellë nga emigrantët fuqizon ekonominë me 2-3 euro prodhim. Paratë që familjet shqiptare i marrin nga fëmijët e tyre jashtë, i përdorin për të paguar mallra konsumi të prodhuara në vend apo të importuara, duke shumëfishuar biznesin. Një pjesë e remitancave vendosen nëpër banka si depozita për shkak se bankat në Shqipëri ofrojnë interesa disa herë më të larta se sa bankat në vendet fqinje. Në këtë mënyrë, remitancat kanë ndihmuar jo vetëm shtimin e konsumit, por edhe shtimin e investimeve. Por situata ndryshoi me shpejtësi në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Papunësia në Eurozonë, ku shumica dërrmuese e emigrantëve shqiptarë jetojnë dhe punojnë, u rrit në 9.5 për qind të forcës së punës, niveli më i lartë i regjistruar në një dekadë. Parashikimi i Komisionit Europian është që papunësia mund të rritet deri në 11.5 për qind në vitin 2010, pra ende shumë vende pune pritet të mbyllen. Që prej një dekade, në Shqipëri shumë ekspertë kanë paralajmëruar për “ciklin natyror” të të ardhurave të emigrantëve, gjë që do të thotë se pas dekadës së parë, lidhjet e emigrantëve me atdheun dobësohen dhe paratë që ata dërgojnë pakësohen gjithashtu. Arsyeja kryesore e dobësimit të lidhjeve konsiston në ndryshimin e brezave, por edhe me konsolidimin e jetës në atdheun e ri. Një pjese të të rinjve u vdesin prindërit, duke hequr nevojën për të kthyer para në atdhe, ndërsa një pjesë tjetër stabilizojnë jetesën duke hyrë në kredimarrje në vendet pritëse.
Berisha fton të huajt: “Mos shkoni deri në Kinë, investoni në Shqipëri”
Nuk është nevoja të shkohet deri në Kinë për të gjetur treg të lirë pune, kur ai është në mes të Evropës, i arsimuar dhe i edukuar, natyrisht edhe i gatshëm për të punuar siç duhet. Një thirrje të tillë, kryeministri Sali Berisha ua ka bërë investitorëve të huaj gjatë një konference rajonale për ekonominë, e cila po zhvillohet në Tiranë, duke u theksuar se Shqipëria paraqet mundësi reale të shkëlqyera për një treg pune, pasi sipas tij, ai është treg evropian dhe i ri. “Tregu është i hapur dhe në Shqipëri dhe ju garantoj se tek ne do të gjeni tregun më të ri të punës në Evropë, të arsimuar mirë dhe më të lirin njëkohësisht. Nuk është nevoja të shkoni deri në Kinë, pasi këtu është një treg pune jo prej 1 miliardë personash”,- tha kreu i qeverisë lidhur me një fakt të tillë. Më tej, ai ka shtuar se tregu shqiptar në tërësi paraqet mjaft interes për investitorët e huaj, falë edhe normativave të qeverisë lidhur me funksionimin e tij. “Ne kemi thjeshtëzuar regjistrimin e bizneseve në mënyrë elektronike, sikundër kemi thjeshtësuar edhe licencimin e tyre, si edhe lejet e llojeve të ndryshme për investitorët”. Këto kanë qenë vetëm disa nga lehtësirat për biznesin, që i janë krijuar atij nga qeveria shqiptare kohët e fundit, të cilat kryeministri shqiptar ua paraqiti investitorëve të huaj gjatë një konference rajonale për ekonominë.
“Sikundër, u ndryshua tërësisht edhe kuadri ligjor dhe mund të thuhet se vendi ynë ka aktualisht legjislacionin më të mirë për biznesin”,- ka shtuar më pas ai. “E gjitha kjo, është një histori suksesi dhe revolucion i vërtetë, pasi këto institucione lehtësojnë mjaft punën e bizneseve në Shqipëri”,- komentoi kryeministri. Më tej, ai tha se qeveria që ai drejton është “duke u marrë me investimet direkte të huaja”. Në fund, shtoi se, “është i bindur se Shqipëria do të ketë rritjen më të madhe në rajon” dhe se i mbijetoi cunamit ekonomik-financiar që goditi botën.
24 Maj 2010