Kancelari Fayman: “Shqipëria ka shënuar arritje në kriteret për heqjen e vizave”
Kancelari i Austrisë, Verner Fayman, ka vlerësuar hapat që ka bërë Shqipëria për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. “Është i gëzueshëm fakti që tashmë Shqipëria ka arritur të bëjë hapa të rëndësishëm në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, ku në veçanti janë ato të masave matëse të vendosura nga Bashkimi Europian në fushën e politikave të sigurisë”, - është shprehur kancelari austriak. Ai gjithashtu ka vlerësuar ecurinë e reformave për vizat në vendin tonë. Kancelari i Austrisë, Verner Faymann, njëkohësisht kryetar i socialistëve austriakë dhe anëtar i Presidencës së Partive Socialiste Europiane, ka pohuar faktin se “Austria prej shumë vitesh jep ndihmesën e saj në procesin e stabilizimit të Ballkanit Perëndimor, siç është ajo në fushat e ekonomisë, kulturës si dhe ato të sigurisë së brendshme, në mënyrë që këto vende t’i bashkëngjiten sa më shpejt Bashkimit Europian”. Ai shtoi më tej se përsa i përket liberalizimit të vizave me Shqipërinë, duhet nënvizuar se ka disa detyrime të qarta, të cilat duhet të kihen gjithmonë parasysh, siç janë ato të sigurisë së dokumenteve personale, sigurisë së kufijve, si dhe lufta kundër korrupsionit, pastrimit të parave, kriminalitetit etj.
24 Maj 2010