E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurobondi, qeveria rrit hapësirën e interesit me një ligj “të fshehtë”

Ligj i jep të drejtë MF-së ta çojë tavanin e interesit të borxhit nga 7.5 në 8.5 për qind

Ervin KOÇI

Qeveria, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës kanë kaluar dhe miratuar në heshtje me shpejtësinë e “dritës”, propozimin e Ministrisë së Financave për të rritur me 1 për qind kufirin e interesit të eurobondit 400 milionë euro. Në një fshehtësi për t'u pasur zili, duke u ngjarë më tepër lozhave masone, institucionet më të larta të shtetit kanë vendosur të shtojnë, të paktën në parim, me 20 milionë euro, interesat për borxhin e ri në kurriz të shqiptarëve. Dy javë më parë, në datën 6 maj, Kuvendi ktheu në ligj një propozim të qeverisë që kaloi në fillim po në mënyrë të fshehtë edhe në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Ky i fundit shqyrtoi dhe rregulloi draftin për kushtet e marrëveshjes së borxhit që qeveria po tenton të marrë në tregun ndërkombëtar përmes eurobondeve. Këtë fakt e denoncoi dje edhe deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, sipas të cilit, një draft i tillë i fundos shqiptarët në borxhe. “Ligji që ka kaluar në Parlament e rrit interesin e eurobondeve, tavanin e sipërm, nga 7.5 në 8.5, që do të thotë se kostoja e borxhit që duhet të paguajnë qytetarët shqiptarë në 5 vitet që vijnë rritet me 18 për qind, brenda tri javësh”, - u shpreh Braçe. Por rritja e interesave të borxhit që bën ligji i propozuar nga qeveria nuk është rreziku i vetëm. Vetë ligji shoqërohet nga një letër sekrete që dy bankat e huaja të mandatuara për emetimin e eurobondit i dërgojnë qeverisë shqiptare.

Letra e bankave
Në letër, dy bankat paralajmërojnë qeverinë për rreziqe të rritura financiare deri në ekstrem. “Duke nisur nga ndryshimi pa paralajmërim i termave të çmimit tregues që do të thotë që interesi do të vijë duke u rritur, deri te mundësia që të ketë pak ose aspak treg dytësor për një transaksion të tillë”, - theksoi Braçe. I gjithë ndryshimi i kushteve të borxhit u bë në fshehtësi të plotë, aq sa letra e dy bankave, sipas Braçes, nuk u është vënë në dispozicion as deputetëve të Kuvendit. Madje edhe ligji është botuar në kopje të rezervuara, edhe pse bëhet fjalë për 400 milionë euro borxh. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë nga miratimi i ligjit, qeveria ende nuk po del dot në treg. Sinjal ky që paralajmëron se interesi mund të rritet edhe mbi normën 8.5 për qind ose në rastin më ekstrem, eurobondi mund të dështojë. Kjo situatë ngre tashmë pikëpyetje serioze mbi qëndrueshmërinë e financave të qeverisë dhe mbajtjen nën kontroll të borxhit publik.

Ndryshimet
Qeveria, Komisioni i Ekonomisë dhe Kuvendi, brenda pak ditësh kanë ndryshuar në fshehtësi të plotë ligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së mandatimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Deutsche Bank AG, London e J. P. Morgan Securities, LTD, si menaxherë bashkëdrejtues për transaksionin e emetimit të eurobondit deri në 400 milionë euro dhe miratimin e dokumenteve të tjera të transaksionit". Ky ligj parashikonte që qeveria shqiptare, borxhin e brendshëm për financimin e deficitit ta zëvendësonte me borxh në euro. Pra, qeverisë i lejohej që bashkë me bonot e thesarit në lekë, të financonte deficitin edhe në bono thesari në euro, ose ndryshe eurobonde. Në ligjin e miratuar nga Kuvendi më 15 prill, parashikohej që qeveria mund të merrte borxh me eurobonde nga tregjet e huaja, me një maksimum interesi vjetor prej 7.5 për qind. Mbi këtë vlerë, qeveria nuk mund të financonte deficitin buxhetor me euro. Pra në rast se tregjet do të ofronin një interes më të lartë se 7.5 për qind, qeveria nuk mund të shiste eurobondin. E gjendur përballë tregjeve ndërkombëtare të trembura dhe kërkesës imediate për para në buxhet, qeveria vendosi të rrisë normën tavan të interesit, nga 7.5 për qind në 8.5 për qind. Vendimi i qeverisë, që kërkon këtë ndryshim në ligj, nuk figuron të jetë publikuar. Ashtu sikur nuk figuron të jetë publikuar as vendimi i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë apo vendimi i deputetëve të seancës plenare të datës 6 maj të këtij viti. E gjithë kjo fshehtësi ka një logjikë tregu. Rritja e tavanit të normës së interesit, sigurisht është një mundësi më e shtrenjtë për qeverinë për të marrë borxh. Kjo do të shkaktonte një rritje të kostos së borxhit për qeverinë dhe rrjedhimisht për të gjithë shqiptarët. Por, ajo që të bën përshtypje, është këmbëngulja e qeverisë për të marrë patjetër borxh në euro.

Dakord edhe Presidenti
Një prej institucioneve më të larta, që ka qenë parimisht dakord me këtë ndryshim, është dhe ai i Presidentit të Republikës. Në faqen zyrtare të Presidencës është botuar në datën 10 maj, në kulmin e krizës politike, dekreti "Për shpalljen dhe dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të Ligjit Nr. 10276". Bëhet fjalë për ligjin që i jep të drejtë MF-së të çojë tavanin e interesit, me të cilën do të shitet eurobondi 400 milionë euro, nga 7.5 për qind, në 8.5 për qind. Pra në rast se qeverisë i lejohej që borxhin me eurobonde ta merrte me interes deri në 7.5 për qind, tani i lejohet ta marrë me interes deri në 8.5 për qind. Në shifra duket një ndryshim i vogël, por efekti në pagesat që duhet të paguajë MF-ja nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, është rreth 20 milionë euro.

24 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›